Me 21 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Gasprin e Bufalos
R.Sh. - Vatikan
Shën Gaspari Del Bufalo (1786-1837), meshtar romak, ungjillëzues i "barozzarëve", fermerëve të fushave romake, të cilët kishin depot e tyre të barit në Forumin Romak, të quajtur atëherë Campo Vaccino, është ikona e bariut që me thellësi dhe mençuri diti të kultivojë besimin e njerëzve, mbi të gjitha përmes predikimit. Shën Gaspari ia kushtoi jetën misionit ungjillëzuesr duke promovuar përkushtimin ndaj Gjakut të Paçmueshëm të Jezu Krishtit.
Shën Gaspri i Bufalos, i lindur në Romë më 6 janar 1786, që i vogël iu kushtua lutjes e pendesës. I ati ishte kuzhinier i princit Altieri; e ëma merrej me punët e familjes. Ishe ajo që i dha të birit një edukatë të vërtetë të krishterë. I shuguruar meshtar më 31 korrik 1808, u specializua në ungjillëzimin e karrocierëve e të banorëve të katundeve romake. U dënua me internim, sepse nuk pranoi të betohej për besnikëri ndaj Napoleonit e kaloi katër vjet në burgjet e Bolonjës, Imolës e Korsikës.
Fatin e tij e pati më pas vetë perandori francez, që u internua në Ishullin e Shën Helenës, ku edhe vdiq. Ndërsa shenjti i ardhshëm u kthye në Romë, ku Papa Piu VII i besoi detyrën të përshkonte Italinë duke predikuar e duke iu kushtuar posaçërisht misioneve popullore. Tepër i devoçëm i Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit, më 15 gusht 1815 themeloi Kongregatën e Misionarëve të Gjakut të Krishtit.
Rregulltarët e këtij urdhri i kushtohen predikimit dhe mësimdhënies. Në vitin 1834, së bashku me Marinë de Matia, themeloi degën femërore të Kongregatës: “Motrat e adhurimit të Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit”. Vdiq në Romë më 28 dhjetor 1837. U shpall shenjt nga Papa Piu XII më 12 qershor 1954.