Kreuz - Croce Kreuz - Croce

Me 22 tetor kalendari kujton Shën Donatin e Fiezoles

I shtyrë nga dëshira për t’u bërë i krishterë i përkryer, në vitin 816 u largua nga familja e nga atdheu e nisi të shtegtojë në vise të ndryshme. Shkeli si shtegtar edhe në Romë. Si e realizoi këtë dëshirë, mori rrugën e kthimit në atdhe e në shtëpinë atërore. Në sa po kthehej, arriti në Fiezole kur populli po zgjidhte ipeshkvin e ri. Çuditërisht fiezolanët zgjodhën shtegtarin. Ishte viti 829. Ai do të vijonte ta drejtonte dioqezën e Fiezoles për 40 vjet me radhë, deri në vdekje

R.SH. - Vatikan

 Shën Donati lindi në Irlandë aty nga fundi i shekullit VIII në një familje fisnikësh të krishterë. I shtyrë nga dëshira për t’u bërë i krishterë i përkryer, në vitin 816 u largua nga familja e nga atdheu e nisi të shtegtojë në vise të ndryshme. Shkeli si shtegtar edhe në Romë.

Si e realizoi këtë dëshirë, mori rrugën e kthimit në atdhe e në shtëpinë atërore. Por pikërisht në sa po kthehej, arriti në Fiezole kur populli po zgjidhte ipeshkvin e ri. Çuditërisht fiezolanët zgjodhën shtegtarin e udhëve të largëta. Ishte viti 829. Ai do të vijonte ta drejtonte dioqezën e Fiezoles për 40 vjet me radhë, deri në vdekje.

Qe njeri i letrave dhe ushtroi ndikim të fuqishëm mbi shkollën e ngritur në Firence nga Lotari. Shkroi shumë vepra, nga të cilat arriti deri në ditët tona vetëm një epitaf i shkruar për varrin e tij, shumë i çmuar për njoftimet autobiografike që përmban, një besojmë poetike, të cilën ua pati lexuar miqve para se të vdiste, si dhe lavdet për Shën Brigjidën, pajtore e Irlandës. Vdiq në Fiezole ndërmjet viteve 874- 877 e u varros në katedralen e vjetër të qytetit, tek këmbët e kodrës, në kapelën kushtuar Shën Romulit. Më 1817 u mbart në katedralen e re, të ngritur mbi kodër. Kisha fiezolane e kremton më 22 tetor.

22 tetor 2024, 11:24