Shën Gjon Leonardi Shën Gjon Leonardi

Më 9 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Leonardin, themelues i Urdhrit Rregulltar të Nënës së Hyjit

Sot, kremtohet festa liturgjike e Shën Gjon Leonardit, themelues i Urdhrit Rregulltar të Klerikëve të Nënës së Hyjit, shpallur shenjt më 17 prill të vitit 1938, zgjedhur, më 8 gusht 2006, pajtor i farmacistëve.

R.SH. - Vatikan

Shën Gjon Leonardi, që jetoi në gjysmën e shekullit XVI, në Krishtin e pati qendrën absolute të veprës së tij apostolike, duke kundërshtuar, me vlerën e Ungjillit, ndarjen e përçarjen ndërmjet  fesë e arsyes që nisi të përvijohej në atë epokë.

Shenjti lindi më 1541 në Dieçimo, në provincën italiane të Lukës. I fundmi i shtatë vëllezërve, e kaloi adoleshencën sa në gjirin e një familjeje të shëndetshme e punëtore, aq edhe në një tregtizë erëzash e ilaçesh në vendlindje. Kur mbushi 17 vjeç, i ati e regjistroi në një kurs të rregullt pranë barnatores së Lukës, me qëllim që në të ardhmen të bëhej farmacist, madje jo dosido, por njohës i shquar i barërave e i erëzave,  siç quheshin asokohe. Djaloshi Gjon i ndoqi me vëmendje e pasion mësimet për dhjetë vjet me radhë, por kur, sipas normave të  caktuara nga Republika e lashtë e Lukës, fitoi titullin zyrtar, që do t’i krijonte kushte për të hapur barnatoren e vet, ai nisi të mendonte se ndoshta-ndoshta kishte ardhur çasti i duhur për realizimin e një plani, të cilin e kishte fort për zemër prej kohe. Pasi reflektoi thellë, vendosi të niste rrugën meshtarake. La, prandaj, barnatoren e, si mori formimin e përshtatshëm teologjik, u shugurua meshtar. Ishte solemniteti i Dëftimit të Zotit i vitit 1572, kur kremtoi Meshën e parë. Por rruga e re në të cilin nisi të ecte, nuk ia zbehu aspak pasionin për farmakopenë, dmth për librat, që  përmbledhin recetat e ilaçeve të ndryshme, një pjesë e mirë prodhuar përmes mbledhjes dhe përpunimit të barërave,   tejet të përdoruara, kur shkenca farmaceutike ishte ende në fasha. Vijoi njëkohësisht, rrugën e meshtarit e të barnatarit, me bindjen se ndërhyrja e tij profesionale do ta ndihmonte për ta realizuar plotësisht misionin : “T’u përcillte njerëzve, përmes një jete shenjte, ‘ilaçin e Zotit’, Jezu Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, ‘masë e të gjitha sendeve’.

I shtyrë nga zelli apostolik, në maj të vitit 1605 i dërgoi papës Pali V, që sapo ishte zgjedhur, një Përkujtesë, përmes së cilës shprehte mendimet e veta për përtëritjen e Kishës, me bindjen se njeriu duhet të zhvishet nga çdo lloj interesi, për t’ia kushtuar gjithë vetveten Hyjit, duke vënë mbi gjithçka vetëm shërbimin e lavdinë e Krishtit të kryqëzuar e duke parë gjithnjë pranë Fytyrës së Jezusit, atë të Nënës së Tij, Zojës së bekuar, të cilën e pati mësuese, motër, nënë e pajtore.

09 tetor 2024, 12:55