Presidenti ukrainas Zelensky dhe kryeministria italiane Meloni Presidenti ukrainas Zelensky dhe kryeministria italiane Meloni

Turne e Zelensky-t në Evropë. Armëpushimi nuk është në rendin e ditës

Vijon misioni evropian i presidentit ukrainas Zelensky për të paraqitur “planin e fitores” së Kievit dhe për të marrë mbështetje të mëtejshme politike dhe ushtarake. Kryeministrja italiane Meloni njofton një konferencë për rindërtimin e Ukrainës më 10 dhe 11 korrikun e ardhshëm

R.SH. – Vatikan

         Turneu diplomatik i presidentit ukrainas Zelensky, vetëm 48 orësh, filloi dje në Londër dhe në të njëjtën ditë, u ndal në Paris dhe Romë, për të paraqitur hollësitë e të ashtuquajturit "Plani për Fitoren" para aleatëve kryesorë evropianë.

Ndalesa në Londër dhe Paris

Në Londër, duke folur me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Zelensky nënvizoi nevojën e autorizimit për të goditur thellë në territorin rus dhe për ta forcuar Ukrainën ushtarakisht, me aviacion, drone dhe armë me hedhje të gjatë. Presidenti ukrainas, i cili u takua më pas në Francë me homologun Macron, sqaroi se një armëpushim i mundëshëm ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës "nuk është objekt i diskutimeve me aleatët tanë" dhe se Kievi nuk dëshiron të bëjë asnjë lëshim.

Konferenca e rindërtimit korrikun e ardhshëm

Në fund të ditës, pasi mbërriti në Romë, Zelensky mori edhe mbështetjen e plotë të kryeministres italiane Meloni, e cila deklaroi se për një paqe të drejtë dhe të besueshme nevojitet vendosmëri dhe përkrahje, por qeveria italiane mbetet kundër përdorimit të armëve të saj në territorin rus. Meloni njoftoi se pikërisht në Romë, më 10 dhe 11 korrik të vitit të ardhshëm, do të mbahet një konferencë për rindërtimin e Ukrainës. Zelensky u largua nga Roma, pas takimit me Papën, për në Berlin, ku e përfundon me kancelarin Sholtz, serinë e tij të bisedimeve me krerët e qeverive evropiane. Po sot (11 tetor), presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian takohen në Ashgabat, Turkmenistan, për të diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe mbi situatën në Lindjen e Mesme.

11 tetor 2024, 11:15