Vritet lideri i Hamasit Sinwar, gjatë një operacioni izraelit në Gaza
R.SH. / Vatikan
Sipas kontrolleve të kryera, "Jahya Sinwar është eliminuar". Me këto fjalë, televizioni izraelit Channel 12 njoftoi vrasjen e liderit të Hamasit. Pak më parë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan se po kontrolloheshin trupat e "tre terroristëve" të vrarë orët e fundit në një operacion të ushtrisë në Rripin e Gazës, për të përcaktuar nëse ndonjëri mund të ishte pasardhësi i Ismailit. Sulmi, sipas burimeve të shtypit, ndodhi në Rafah. Për më tepër, trupat e IDF që vepronin në zonë, nuk e dinin se lideri i Hamasit, Yahya Sinwar, ishte pikërisht atje.
Lajmet për fatin e Sinwar-it, ende në fazë saktësimi përmes radios ushtarake izraelite, që vijon ta përsërisë ngjarjen, mbërrijnë në kulmin e tensioneve edhe në Liban, kur sapo ka mbërritur edhe ankesa e re nga Unifil: një tank izraelit qëlloi dje në një nga stacionet e Helmetave Blu, në jug të vendit. Bëhet fjalë për frontin gjithnjë në flakë e, sipas CNN, është gati edhe plani i Izraelit për të sulmuar Iranin, pas reshjeve të raketave nga Teherani, më 1 tetor.
Pas bombardimeve të përsëritura nga ushtria izraelite në disa zona të Libanit, ndërmjet të cilave edhe qyteti jugor i Nabatiyeh, me të paktën 16 të vdekur dhe mbi 50 të plagosur, misioni i Kombeve të Bashkuara pohoi se paqeruajtësit e saj nga një pozicion afër Kfar Kela, në një sektor jugor të vendit, dëgjuan të shtëna nga një tank izraelit: kulla e vrojtimit u dëmtua dhe dy kamera sigurie u shkatërruan. “Edhe një herë - bëri të ditur Unifil-– jemi dëshmitarë të zjarrit të drejtpërdrejtë dhe dukshëm të qëllimshëm”.
E menjëhershme, përgjigjja e Izraelit, sipas së cilës vendet dhe forcat e Unifil "nuk janë objektiv" i operacioneve të tij ushtarake. Këtë e përsëriti edhe kryeministri Benjamin Netanyahu në një intervistë për “Le Figaro”, thjesht për t’u ankuar se “në gati njëzet vjet Unifil nuk ka ndaluar as edhe një raketë të Hezbollahut”.
E ndërsa raketat e milicëve drejt Izraelit verior vazhdonin, ministrat e mbrojtjes të 16 vendeve të BE-së pjesëmarrëse në misionin Unifil ndërhynë në shkallëzimin në Liban, duke dënuar "me forcë" sulmet kundër Helmetave Blu. Për krizën foli edhe Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin, në një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant.
Në Tokën e Kedrave, krah për krah me operacionet e luftës - dhe kur Izraeli ka planifikuar një tjetër, duke urdhëruar evakuimin e zonës Tamanine, në Bekaa, në lindje - urgjenca humanitare po keqësohet. Sipas Unicef-it, një milion njerëz kanë nevojë për shërbime shëndetësore, ujë dhe higjienë.
Ndërkohë, bastisjet izraelite sot prekën edhe Sirinë, ndërsa milicitë pro-iraniane nga Iraku lëshuan drone kundër Eilat, në Izraelin jugor. Më në fund, SHBA-ja nisën një sulm kundër depove të armëve Houthi në Jemen.
nga L'Osservatore Romano