Kërko

Martirio di San Giosafat Kuncewycz, dipinto di Josef Simmler Martirio di San Giosafat Kuncewycz, dipinto di Josef Simmler

Më 12 nëntor kalendari kujton Shën Jozafatin, ipeshkëv e martir

Shën Jozafati, Apostull i bashkimit midis Lindjes dhe Perëndimit, ktheu në bashkimin e Kishës aq shumë njerëz, sa të quhej nga të gjithë: “ Rrëmbyes shpirtrash”. Kundërshtarët nisën ta urrenin për shkak të jetës së tij të shenjtë, e sidomos të apostullimit, zhvilluar ndërmjet ortodoksëve të Rutenisë

R.SH. - Vatikan

Më 12 nëntor kalendari kishtar përkujton Shën Jozafatin Kuncewycz, Apostull i bashkimit midis Lindjes dhe Perëndimit. Në zemër të Evropës, bari shpirtëror dhe mbrojtës i të krishterëve "uniatë" të persekutuar. Farat e së vërtetës janë ato që bashkojnë qeniet njerëzore, ndërsa ideologjitë dhekrah mbajtësit krijojnë ndarje, konflikte dhe vuajtje. Ata që sot kanë ndezur zemrën e Evropës me një luftë të përgjakshme dhe vëllavrasëse, duhet të çmojnë trashëgiminë shpirtërore të Shën Jozafatit Kuncewycz, ipeshkëv i Polock-ut dhe dëshmitar i unitetit midis popullsive sllave.

Shumëllojshmëria na pasuron dhe na bën të rritemi, na mëson të merremi me alteritetin a tjetërsinë dhe kështu t’i hapim krejtësisht zemrat tona ndaj "tjetrit" që është dashuria e Zotit. Pikërisht për të mbrojtur bukurinë e bashkimit ndërmjet dallimeve e dha jetën e tij Shën Jozafati Kuncewycz, apostull i dialogut midis Lindjes dhe Perëndimit. Një angazhim të cilin e jetoi në zemër të Kishës uniate rutene, një komunitet i “përzier”, me rite orientale, si ortodoksët, por në bashkësi të plotë me Romën dhe rrjedhimisht me katolikët

Shën Jozafati Kuncewycz  lindi në Vilnius të Lituanisë rreth vitit 1580 nga prindër ortodoksë. Rreth moshës 20 vjeçare u kthye në katolicizëm dhe hyri ndër rregulltarë bazilianë (1604), ku pas pak kohe u zgjodh i parë, pastaj abat e, së fundi, kryeipeshkëv i Polozkut (1617).

Gjatë gjithë jetës së tij meshtarake ruajti ritin liturgjik të Kishës Uniate, në harmoni të plotë me Kishën e Romës. Për këtë, gjithnjë në harmoni me Romën, punoi pa pushim: riorganizoi klerin e vendit, jetën rregulltare dhe sjelljet fetare.

Ktheu në bashkimin e Kishës aq shumë njerëz, sa të quhej nga të gjithë: “Rrëmbyes shpirtrash”. Kundërshtarët nisën ta urrenin për shkak të jetës së tij të shenjtë, e sidomos të apostullimit, zhvilluar ndërmjet ortodoksëve të Rutenisë.

Urrejtja e ortodoksëve të shkëputur nga Kisha u thellua aq, sa një ditë i hynë të armatosur në banesën e argjipeshkvisë, e mbytën mizorisht dhe trupin e tij e flakën në lumin e Dunës. (Viterbsk, Rusia e Bardhë, 1623).

12 nëntor 2024, 10:44