Kërko

Jezu Krishti Jezu Krishti

Më 14 nëntor kalendari kujton Shën Shtjefnin Kyenò, ipeshkëv e martir

Misionar në Indokinë, mbrojti besimtarët e tij të persekutuar nga autoritetet budiste. Në këtë betejë nisi të fitonte mijëra shpirtra. Mijëra vetë nisën të kthehen në fenë e krishterë, të frymëzuar nga shembulli i jetës së ipeshkvit. Gjatë persekutimit të të krishterëve nga mbreti Tu-Duk, u kap e u mbyll në kafaz. U mbyt me helme që përdornin vendasit më 14 nëntor 1861

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar i 14 nëntorit përkujton Shën Shtjefnin Kyenò, ipeshkëv e martir. Shekulli ishte vetëm dy vjeç - kështu e përshkruan datëlindjen e vet nën Napoleonin, Konsull i parë, Viktor Hygoi, patriark i letërsisë romantike franceze që lindi në Bezanson të Francës më 8 shkurt 1802. Në të njëjtin vit me autorin e romanit “Të mjerët” lindte, në Belië, i biri i një bujku, që më pas do të bëhej ipeshkëv, si imzot Myriel tek romani i Hygoit, e që do të kthente në rrugë të drejtë, duke e thirrur vëlla, jo vetëm një ish të burgosur zemërbardhë si Zhan Valzhani, por mijëra paganë nga Indokina, të cilët i desh si t’i kishte vërtetë vëllezër.

Me ipeshkvin Myriel, Viktor Hygo krijonte figurën ideale të prelatit të lidhur ngushtë me popullin e me mjerimin e tij, me shpirt sa ungjillor, aq edhe revolucionar. Po ta kishte njohur imzot Kyenň-n, do të kishte pasur rastin të shihte figurën, jo letrare, por reale, të një biri të popullit, për të cilin “i afërmi”, nuk ishte një shprehje e përgjithshme, as një farë klase shoqërore, që jetonte në një vend e në një periudhë të caktuar historike. I afërmi për të përfshinte të gjitha klasat, të gjitha racat e kombet, në atë revolucion të përhershëm që është krishterimi i vërtetë. I pagëzuar në një kullë sane, i edukuar nga famullitarët e fshatit, Shtjefni i ri studioi me ndihmën e prindërve, që i paguanin mësueset me dhurata në natyrë.

Kur hyri në teologji, e ëma shiti petkun e saj të martesës, për t’i blerë uniformën e studentit. Prandaj, sa u shugurua meshtar, gjëja e parë që bëri, ishte t’i blinte nënës një fustan të ri. Nuk e gjeti menjëherë rrugën e meshtarisë. Në fillim deshi të bëhej orëndreqës. Pastaj shërbeu si katekist e si mësues besimi. Së fundi e gjeti rrugën e vërtetë, duke hyrë, në vitin 1827 në Kongregatën e Etërve misionarë të Shën Vinçenc de Paolit. Një vit më vonë misionari i ri arrinte në Indokinë.

Në vitin 1835 u shugurua ipeshkëv i Metelopolis. Filloi menjëherë betejën për të mbrojtur besimtarët e tij të nëpërkëmbur e të persekutuar nga ana e autoriteteve budiste. E në këtë betejë nisi të fitonte mijëra shpirtra. Mijëra vetë nisën të kthehen në fenë e krishterë, të frymëzuar nga shembulli i jetës së ipeshkvit. Kur njeri prej tyre detyrohej, me tortura, të mohonte fenë e re, njëqind të tjerë kërkonin Pagëzimin. Kleri vendas u trefishua, u hapen shumë shtëpi për edukimin e jetimëve, vijoi me zell të madh përkthimi i librave kishtarë e fama e ipeshkvit francez arriti deri në zonat e largëta malore të Laosit.

Në vitin 1861, gjatë persekutimit të të krishterëve nga ana e mbretit Tu-Duk, ipeshkvi shenjt u kap e u mbyll në kafaz. Nuk u mbyt menjëherë, por ngadalë-ngadalë me helme që përdornin vendasit, derisa mbylli sytë më 14 nëntor 1861. Prandaj konsiderohet martir e nderohet me titullin ‘i Lum’.
Rojet që e ruanin thanë për të: “Ishte bërë i përkryer, prandaj qielli nxitoi ta merrte para se të pësonte një poshtërim të ri”. E kishin fjalën për trajtimin e trupit të tij të vdekur, të cilit iu pre koka. Një vit pas vdekjes së tij, një traktat ndërmjet Francës e Indokinës, sanksiononte, të paktën në teori, lirinë e kultit në vend.

 

 

14 nëntor 2024, 10:26