Kërko

Santa Caterina d'Alessandria, Giovanni di Paolo Santa Caterina d'Alessandria, Giovanni di Paolo

Më 25 nëntor kalendari kujton Shën Katerinën e Aleksandrisë, virgjër e martire

Shën Katerina, lavdia e martirëve, me bukurinë, trimërinë dhe guximin e fesë së saj në Krishtin, me pastërtinë dhe dëlirësinë e saj të shkëlqyer tërhoqi shumë shpirtra në dritën e Jezu Krishtit. U tregua banesë e Shpirtit të Shenjtë, nuse e Krishtit, Mbretit qiellor.

R.SH, - Vatikan

Shën Katerina e Aleksandrisë, martire, me bukurinë, trimërinë dhe guximin e fesë së saj në Krishtin, me pastërtinë dhe dëlirësinë e saj të shkëlqyer tërhoqi shumë shpirtra në dritën e Jezu Krishtit. U tregua banesë e Shpirtit të Shenjtë, nuse e Krishtit, Mbretit qiellor.

Shën Katerina lindi në Aleksandri të Egjiptit. I ati i saj, i quajtur Kestos, ishte një fisnik i pasur i asaj krahine. Shën  Katerina u rrit në një ambient dhe rreth shoqëror tepër të ngritur. Studioi me mësuesit më të mirë. Mësoi gjuhë të huaja, njihte shumë mirë filozofinë greke, dhe studioi në degën e mjekësisë.

Përgatitja intelektuale, bukuria dhe pasuria që kishte familja e saj, e bënin atë ndër nuset më të kërkuara. Duke dashur të zgjidhte një të ri  të shkallës së vetë, nuk pranonte asnjë nga ata që i propozonin për tu martuar. Nëna e saj, duke dashur ta ndihmnte në këtë fushë, e dërgoi të këshillohet me një asket të krishterë i cili jetonte në një zonë jashtë Aleksandrisë. Me këshillat e asketit por dhe pas ëndrrës që ajo pa me Virgjërën Mari, vendosi të pranonte krishterimin dhe të pagëzohej.

Pas pagëzimit, Shën Katerina pa përsëri në ëndërr Zojën e Bekuar dhe Jezu Krishtin Zot. Zoja Mari Hyjlindëse i vuri një unazë dhe i kërkoi të kishte dhëndër të vetëm Krishtin. Kur u zgjua, pa në dorë unazën dhe kuptoi se nuk  ishte një ëndërr! Që atë moment Katerina ia përkushtoi jetën Jezu Krishtit. Eshtë fjala për shekullin e 4 pas Krishtit, ku perandor i Romës ishte Maksimino Daia. E perandori romak urdhëroi të dënohen të gjithë ata që nuk adhurojnë idhujt.

Kur erdhi momenti që Shën Katerina duhej të tregonte bindjen ndaj perandorit e të adhuronte idhujt, ajo shprehu hapur mendimin e saj kunder. Kërkoi t’i sjellin 50 të ditur a filozofë  që të diskutojnë me të dhe ta bindin për besimin e tyre. Perandori, i verbuar nga bukuria e saj, pranoi. Me ndihmën e Zotit Katerina doli fitimtare ndaj 50 të diturve dhe të gjithë kërkuan të pagëzohen. Maksimino urdhëroi atëherë të digjeshin të gjallë të pesëdhjetë burrat.

Menjëherë e arrestuan Shën Katerinën dhe i bënë shumë tortura. Engjëll i Zotit e shpëtoi Shenjtën nga mekanizmi me rrota i torturave. Duke parë këtë mrekulli, gruaja e perandorit dhe oficeri Porfirio, shprehën menjëherë dëshirën të pagëzoheshin. Bashkë me ta u pagëzuan edhe 200 ushtarë. Vizituan Shenjtën në burg. Maksimino Daia pas kësaj urdhëroi t’i presin kokën të shoqes, oficerit dhe të 200 ushtarëve.

Më 25 nëntor shën Katerina u dërgua para gjyqit ku dhe u  vendos ekzekutimi i saj.  E shoqëruan jashtë qytetit dhe i prenë kokën. Trupin e saj e morën dy engjëj dhe e çuan në malin Sinaj, ku u gjend pas 4 shekujsh nga një asket. Asketi e dërgoi trupin e saj në manastir ku ruhet deri në ditët tona, duke lëshuar aromë mirre dhe duke bërë çudira. Kisha e përkujton shën Katerinën me daten 25 nëntor.

25 nëntor 2024, 09:57