Më 26 nëntor kalendari kujton Shën Leonardin nga Porto Mauricio
R.SH. - Vatikan
Më 26 nëntor kalendari kishtar përkujton Shën Siricionin, papë; shën Silvestrin, abat; themelues i rregulltarëve silvestrinë dhe Shën Leonardin e Porto Maurizios, rregulltar i urdhërit të fretërve të vegjël.
Shën Leonardi nga Porto Mauricio
Po ndalemi tek figura e Shën Leonardit nga Porto Mauricio, meshtar françeskan. I dërguar nga Papa në Korsikë për të rivendosur harmoninë ndërmjet qytetarëve, mbajti një predikim me temën e Mundimeve të Krishtit në sheshin publik të qytetit. Ishte aq e fuqishme fjala e tij e frymëzuar, sa njerëzit e mbledhur në shesh, të ndarë nga inate të vjetra, shkrehën armët në ajër dhe u përqafuan me njëri tjetrin në një gjest paqeje që as mund të mendohej pak orë më parë. Kaq i fuqishëm ishte predikimi i Shenjtit, kaq bindës, kaq pajtues - gjithnjë në emër të Krishtit.
Shën Leonardi njihet sa për predikimet e tij, aq edhe për krijimin e Udhës së Kryqit, lutje që përshkon rrugën e Krishtit deri në Kalvar, deri në kryqëzim. Po ky shenjt shpëtoi Koloseun nga shkatërrimi i plotë dhe kremtoi aty për herë të parë, Udhën e Kryqit në kujtim të martirëve të bashkësive të para të krishtera. Kështu gjatë këtij kremtimi në Kolose jehoi përsëri zëri i martirëve të të gjitha kohëve, sepse kujtimi i mundimeve të Zotit tonë, natyrisht të sjell menjëherë në mend edhe vuajtjet e njerëzve që besuan në të deri në flijimin e jetës, në rrjedhë shekujsh. E ky zë vijon të jehojë edhe sot në Kolose vit për vit të Premten e Madhe, kur Kisha përkujton Mundimet e Zotit tonë, sepse është akoma sot vetë Zoti, ai që vuan në korpin e tij mistik.
Shenjti, lindur më 1676, në Ligurie të Italisë, në Porto Maurizio (që sot, i bashkuar me Onelien formon qytetin e Imperies) në familjen e një kapiteni të flotës detare, mbeti jetim në moshë të njomë. Leonardi kreu studimet në Romë pranë Kolegjit romak, për të hyrë pastaj në Kuvendin romak të Shën Bonaventurës, në Palatin, ku veshi zhgunin françeskan e ku edhe vdiq më 26 nëntor 1751.