San Virgilio San Virgilio

Më 27 nëntor kalendari kujton Shën Virgjilin

Në Salzburg të Bavarisë, në Austrinë e sotme, Shën Virgjili, ipeshkëv, njeri me kulturë të madhe, i cili, me origjinë irlandeze, me favorin e mbretit Pepini, u vendos në krye të Kishës së Salzburgut, ku ndërtoi Kishën Katedrale në nderimin e Shën Rupertit dhe bëri të pamundurën për të përhapur fenë e krishterë në mesin e banorëve të Carinthia. Shën Virgjili është ungjillëzues i Karincies, Stirisë e Panonisë dhe themelues i kuvendit të Shën Kandiditi në Alto Adigje (sud Tirol) të Italisë.

R.SH. - Vatikan

Shën Virgjili (Vigjili), ipeshkëv i Salisburgut, në shekullin VIII, Apostulli i një Evrope pa kufij dhe mure, është një udhërrëfyes model për Evropën e sotme. 

Një Evropë pa kufij, ku e mira e një populli korrespondon me të mirën e të gjithë të tjerëve: uniteti midis kombeve nuk është një shpikje moderne, por një realitet në historinë e ungjillëzimit të Kontinentit të Vjetër. Këtë na e kujton figura e Shën Virgjilit të Salzburgut, një shenjtë i ardhur nga “periferia”, historia e të cilit është shprehja e një Evrope pa kufij ku modelet e shenjtërisë vinin shpesh nga "periferitë".

Shën Virgjili (Vigjili), ipeshkëv i Salisburgut, i shekullit VIII, u lind në një familje fisnikësh irlandezë, por përqafoi jetën rregulltare, dhe u bë murg e abat. Pasi braktisi Irlandën, jetoi në Francë e në Bavari, ku u thirr nga vetë Duka, dhe u emërua ipeshkëv i Salisburgut.

 I nderuar më të gjallë, por më pas i harruar, Shenjti u rizbulua në dioqezën e tij të Salcburgut dhe u kanonizua më se pesë shekuj pas vdekjes. Kaluan edhe pesë shekuj të tjerë, para se emri i tij të shkruhej në Martiriologun Romak.

Virgjilio apo Vergilius është shqiptimi latin i emrit Fergal, siç shqiptohet në gjuhën keltike të Irlandës, ishullit që nuk iu nënshtrua kurrë Perandorisë romake e që u bë i krishterë përmes predikimit të Shën Patrikut, vdekur më 461.

Me Virgjilin nisi jetën një Kishë, që këtu nuk u organizua mbi bazën e dioqezave e të famullive, por mbi bazën e manastireve e abatëve të tyre, prijës shpirtëror të murgjërve e të populllit. Edhe Virgjili eci në këtë rrugë. Lindi në Irlandë në fillim të shekullit VIII dhe shumë shpejt hyri në kuvendin e Akad-bo-Cainig, ku më parë qe murg e më pas Abat dhe ipeshkëv i palodhshëm, që u shqua për edukimin fetar të popullit dhe veprimtarinë e pakursyer në ndihmë të të varfërve.

Jetoi sipas rregullave shumë të rrepta të jetës murgare irlandeze, në përkim me jetën e vështir të popullsisë vendase. Është një nga figurat më të njohura ndërmjet murgjërve irlandezë që shtegtuan nëpër botë "për Krishtin".

Njihet si apostull i Karincies dhe pajtor qiellor i Salcburgut në Austri. Shën Virgjili është ungjillëzuesi i Karincies, Stirisë e Panonisë dhe themelues i kuvendit të Shën Kandidit në Alto Adigje të Italisë.  Vdiq në 784. U varros në katedralen e tij, e u harrua.

Katër shekuj më vonë, Katedralja u shkatërrua nga një zjarr i papritur e, kur nisën punimet për rindërtimin e ndërtesës, u gjet arkivoli me trupin e tij krejt të paprishur. Dukej sikur flinte. U fol për mrekulli e njerëzit rranë nga të katër anët për t’u lutur para trupit të njeriut, vdekur katër shekuj më parë, që dukej si i gjallë.. Figura e ipeshkvit nga Irlanda doli nga heshtja: po më vonë populli kërkoi të shpallej shenjt menjëherë.

Procesi kanonik filloi në vitin 1230 e më pas dëshmitë për shenjtërinë e e jetës së tij u nisën për në Romë. U shpall Shenjt nga Gregori IX më 1233. Emri i tij u shkrua në Martiriologun romak më 1740. Shën Virgjili vijon të nderohet nga populli e të bëhet burim i shumë ngjarjeve të mrekullueshme.

27 nëntor 2024, 10:08