Flamuri i Kombit Shqiptar Flamuri i Kombit Shqiptar

Gëzuar e Bekuar 28 nëntori, Festa e Flamurit të të gjithë shqiptarëve!

Festa e Flamurit të Kombit Shqiptar nis nga 28 nëntori i vitit 1443 kur i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës, e shkon deri te 28 nëntori i vitit 1912, kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Redaksia shqipe e Radio Vatikanit, të gjithë patriotëve shqiptarë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, nga zemra u uron “Gëzuar Festën e Flamurit e të Pavarësisë”!

R.SH. - Vatikan

28 Nëntori – Dita e Flamurit të Kombit Shqiptar është festë që i bashkon shqiptarët anë e mbanë botës rreth idealit dhe vlerave që përbëjnë identitetin e një populli e kombi. Kjo e kremte tregon edhe udhën që kjo Datë e rëndësishme e historisë kombëtare, 28 Nëntir, ka shenjuar, që nga flamuri i Gjergj Kastrioti Skënderbeut më 1443 dhe deri te 28 nëntori i vitit 1912, kur Ismail Qemali ngriti Famurin Kombëtar në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë,  duke përuruar kështu rrugëtimin si një Shtet më vete, i shkëputur nga Perandoria Osmane.

 28 Nëntori nuk është një përvjetor i thjeshtë. Është kremtimi i idealeve dhe vlerave themelore të jetës, që përbëjnë identitetin, kulturën e udhën e shqiptarëve. Është kremtimi i të qenit shqiptarë, që pas shumë shekujsh gëzojnë e jetojnë në një shoqëri të pavarur e demokratike. Kështu, sot më 28 Nëntor, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre dhe kudo jetojnë e punojnë nëpër botë, kremtojnë me mirënjohje, krenari dhe emocion, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria otomane turke.

Sikur dihet, Pavarësia e Shqipërisë nga perandoria turke, mjerisht jo e të gjitha trevave shqiptare, u përgatit me vite e vite kryengritjesh, që filluan në viset e ndryshme Arbënore nga Malësia e Mbishkodrës, Mirdita dhe vende e vise tjera, për të përfshirë më vonë krejt Shqipërinë e atëhershme. U desh fillimi i Luftës së Parë Botërore dhe shkatërrimi i perandorisë së xhonturqve, që shqiptarët të kurorëzonin ëndrrën e viteve për një Shqipëri “më vehte, të lirë e të mosvarme”.

Kështu, si sot, më 28 nëntor tё vitit 1912, në Vlorë u ngrit Flamuri dhe u hap Kuvendi historik Kombëtar me 37 delegatë, por u deshën vite të tjera dhe përfaqësi në Kongrese e në kancelaritë e vendeve perëndimore, që Shqipëria të njihej si e tillë nga fuqitë dhe Shtetet e kohës. Prandaj, më 28 nëntor shqiptarët kujtojnë ngjarjen e 1912-tës qё ndodhi në Vlorë, ku u ngrit Flamuri Kombëtar i Kastriotëve, simbol i lirisë, i pavarësisë, i ëndrrave për një ardhmëri më të mirë të kombit shqiptar në gjirin e kombeve të përparuara të botës.

Dita e shpalljes së Pavarësisë, që përkujtohet çdo 28 Nëntor, pastaj, na nxit të meditojmë për vlerat që përmban e rrezaton Flamuri Shqiptar dhe fatet historike të Kombit shqiptar, me të cilat lidhen në mënyrë të pazgjidhshme edhe fatet e çdo shqiptari. E kujtimi që sot na çon në 28 Nëntorin e 1912-tës, na sjell në mendje e në zemër edhe rrugën e përshkuar gjatë  vjetëve e shekujve nga ata shqiptarë, që pa asnjë dallim, me përkushtim dhe bindje punuan e flijuan gjithçka, madje edhe jetën për Atë Ditë dhe për vlerat e patjetërsueshme që simbolizon Flamuri Kuq e Zi i Atdheut. Një kontribut domethënës, që çoi deri në shpalljen e pavarësisë së shqiptarëve nga pushtuesi otoman, dhanë edhe katolikët shqiptarë. 

Redaksia shqipe e Radio Vatikanit - Vatican News, të gjithë patriotëve shqiptarë e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, nga zemra u uron Festën e Flamurit Kombtar dhe Festën e Pavarësisë”!

28 nëntor 2024, 11:38