Shkatërrim në Beit Lahia, në Rripin verior të Gazës Shkatërrim në Beit Lahia, në Rripin verior të Gazës  (AFP or licensors)

Idan Landau: plani i gjeneralëve pas bombave në Gazën veriore

Reflektim i profesorit të Universitetit të Tel Avivit mbi Planin e Gjeneralëve, projektin e rrethimit dhe të evakuimit të detyruar nga veriu i Rripit, planifikuar nga Izraeli, i cili shqetësohet edhe për fatin e bashkësisë së krishterë, strehuar në famullinë e Familjes Shenjte.

R. SH. - Vatikan

Ndërkohë që vëmendja e medias ishte tërësisht e përqendruar te Libani dhe konfrontimi me Iranin, ditët e fundit ushtria izraelite rifilloi bombardimet masive mbi Rripin verior të Gazës, duke shkaktuar shumë viktima civile. Situatë e rëndë, kjo, që krijon shqetësim edhe për fatin e bashkësisë së krishterë, e cila strehohet në famullinë e Familjes së Shenjtë, tashmë vetëm pak kilometra nga përparimi i trupave izraelite. Disa vëzhgues besojnë se ky është fillimi i Planit të Gjeneralëve, plan rrethimi dhe evakuimi i detyruar nga veriu i Rripit, i propozuar në vijat e tij të përgjithshme nga ish-gjenerali izraelit, Giora Eiland, në një intervistë për «The Times of Israel» që nga prilli i kaluar. Plani iu komunikua komisionit të jashtëm dhe të mbrojtjes të parlamentit nga kryeministri, Benjamin Netanyahu, shtatorin e kaluar. Në lidhje me këtë, «L'Osservatore Romano» intervistoi profesorin Idan Landau, nga Universiteti i Tel Avivit, studiues i kujdesshëm dhe penë e mprehtë, që e studioi me kujdes këtë çështje dhe shkroi për të, në disa revista izraelite.

Professor Landau, a mund të na shpjegoni shkurt se çfarë nënkuptohet me Planin e Gjeneralëve?

Plani i Gjeneralëve u publikua shtatorin e kaluar. Objektivi i tij është të zbrazë veriun e Rripit të Gazës nga popullsia e tij, pra rreth një e treta e numrit të përgjithshëm të Rripit, afërsisht 300,000 banorë. Gjatë fazës së parë, ushtria izraelite do t'i informonte të gjithë këta njerëz se atyre iu dha një javë kohë për t'u evakuuar drejt jugut përmes dy korridoreve humanitare. Në një fazë të dytë, në fund të javës, e gjithë zona do të shpallej “zonë e mbyllur ushtarake”. Kushdo që do të mbetej atje do të konsiderohej luftëtar armik dhe do të vritej, nëse nuk do të dorëzohej. Më pas do të vendosej një rrethim në të gjithë territorin, duke intensifikuar krizën ushqimore dhe shëndetësore me izolim.

Profesor, plani i propozuar nga gjenerali Eiland iu prezantua qeverisë prillin e kaluar dhe nuk u miratua plotësisht. Pse mendoni që tani është në fazën e realizimit? Cilat operacione ushtarake aktuale do ta vërtetonin këtë?

Përshtypja ime është se, pavarësisht mohimeve zyrtare, ushtria izraelite po zbaton një variant jo shumë larg atij origjinal. Dhe vetë ushtarët në terren e konfirmojnë këtë për gazetarët. Shumë civilë janë vrarë ditët e fundit, ndërsa rrethimi në veri të Rripit është gjithashtu i vazhdueshëm. Dhjetra dëshmitarë nga qytetet Jabalia, Beit Hanoun dhe Beit Lahia, flasin për nivele të paprecedente të shkatërrimit, për prishjen e lagjeve të tëra, madje edhe sulmeve në strehime, për të dëbuar ata që kërkojnë mbrojtje atje. Masakrat janë të përditshme: më 29 tetor forcat ajrore izraelite bombarduan masivisht ndërtesat me popullsi të dendur në Beit Lahia, duke vrarë 250 njerëz (gjysma e të cilëve janë ende nën rrënoja). Prandaj nuk ka dyshim se plani është bërë funksional. Paralelisht me shkatërrimin, IDF po i shtyn të zhvendosurit drejt jugut, edhe nëse shumë rezistojnë të qëndrojnë në enklavë dhe të mos kalojnë korridorin Netzarim, mbasi kanë frikë se nuk do të mund të kthehen kurrë më.

Sa njerëz preken nga plani i evakuimit të detyruar?

Përpara 5 tetorit 2024 – datë e parashikuar e fillimit të operacionit – rreth 300 a 400,000 njerëz jetonin në enklavë. Tani kanë mbetur rreth 100,000. Por IDF (Israel Defense Forces) janë të vendosura të mos lërë asnjë. Është mjaft e qartë se e gjithë kjo nuk ka të bëjë fare me qëllimin e deklaruar për të kapur liderët e mbetur të Hamasit dhe për të shkatërruar bazat e tyre; por e drejta ndërkombëtare humanitare nuk e lejon këtë lloj operacioni ushtarak.

Plani do të përfshijë, përveç presionit ushtarak, edhe pezullimin e furnizimeve me ushqim, karburant, energji dhe ujë. A do të binte kjo edhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare?

Më lejoni të them se kundërshtoj përdorimin tuaj të foljes kushtore. Ai nuk do të "parashikonte", por "parashikonte"; jo “do” por “është”. Prej një muaji, ushqimi dhe uji nuk kanë hyrë në enklavën veriore të Gazës, me përjashtim të furnizimeve të kufizuara për spitalin Kamal Adwan. Të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat humanitare raportojnë çdo ditë se situata humanitare tani është katastrofike. Unë besoj se nuk mund të ketë asnjë dyshim për natyrën e këtij operacioni në lidhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe kjo është arsyeja pse qeveria izraelite tenton të fshehë rëndësinë e tij reale.

Deri më sot, qeveria izraelite nuk ka shprehur qëndrim të qartë dhe përfundimtar për rregullimet e ardhshme të Gazës. A mendoni se ky operacion përbën një urdhër të ardhshëm, të paktën për veriun e Rripit?

Po. Unë mendoj se qëllimi përfundimtar është rivendosja e kolonëve. Rikthim, pas largimit të detyruar më 2005 nga kryeministri i atëhershëm Sharon. E djathta ekstreme e koalicionit që mbështet qeverinë Netanyahu, nuk e fsheh këtë. Duke filluar me Ministrin e Thesarit, Smotrich. E qartë se ky është një projekt që do të zbatohet në faza. Nëpërmjet pranisë së përhershme të ushtarakëve brenda perimetrit të Rripit dhe zonave të ashtuquajtura “sigurie”. Më pas do të fillojnë vendbanimet e vogla, të justifikuara si nevojë për kontroll ushtarak të territorit, të cilat më pas do të shtohen për t'u bërë bashkësi të mëdha, si ato që ekzistojnë në Bregun Perëndimor. Megjithatë, nuk mendoj se kjo zgjidhje për zhvendosjen e kolonëve mund të funksionojë ndonjëherë edhe në jug të korridorit Netzarim, sepse dy milionë palestinezë, të ngjeshur në atë geto në ajër të hapur, nuk mund të shkojnë askund. Me kalimin e kohës, ato do të përfundojnë si bombë me sahat varfërie, sëmundjeje, madje edhe ekstremizmi të rrezikshëm, në rritje.

08 nëntor 2024, 13:51