Kërko

 Piazza San Pietro, Vaticano, cupola di San Pietro Piazza San Pietro, Vaticano, cupola di San Pietro

Kushtimi i Bazilikave të shën Pjetrit e shën Palit në Romë

Dy bazilikat, trofe e martirizimit të tyre, u ngritën pikërisht atje ku Pjetri e Pali derdhën gjakun për Krishtin e ku edhe u varrosën. Cak shtegtimesh të vazhdueshme në rrjedhë shekujsh, janë simbol i bashkimit dhe i karakterit apostolik të Kishës së Romës.

R.SH. - Vatikan

Më 18 nëntor Kisha përkujton Kushtimin e Bazilikës së shën Pjetrit në Vatikan (1626) e Bazilikës së shën Palit në Ostiense (1854) në Romë.  

Farat e shenjtërisë shpesh ruhen në "enë" të çmuara, të cilat ushqejnë jetën e fesë së miliona njerëzve me praninë e tyre mes njerëzve. Ky është rasti i dy Bazilikave të Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Romë, të cilat nuk janë ndërtesa të thjeshta arti, monumente statike kushtuar një të shkuare të lavdishme, por laboratorë të vërtetë shenjtërie, të cilat mirëpresin dhe ndihmojnë besimtarët e sotëm në fenë e tyre konkrete. Kështu, duke kremtuar  përkushtimin e këtyre dy Bazilikave, Kisha kujton trashëgiminë e dy apostujve, që janë shtyllat e bashkësisë universale të krishterë.

Princat e Apostujve, Pjetri e Pali, kremtohen pothuajse gjithmonë së bashku nga liturgjia romake. Dy bazilikat, trofe e martirizimit të tyre për fe, u ngritën pikërisht atje ku Pjetri e Pali derdhën gjakun për Krishtin e ku edhe u varrosën. Cak shtegtimesh të vazhdueshme të besimtarëve në rrjedhë shekujsh, bazilikat janë simbol i bashkimit dhe i karakterit apostolik të Kishës së Romës.

Përkujtimi liturgjik i Kushtimit të bazilikave të Apostujve të Shenjtë Pjetër Pal është një rast i ri, i katërti gjatë vitit, për të reflektuar mbi figurën dhe veprën e dy Princave të apostujve e edhe mbi kultin e jashtëzakonshëm që u është bërë atyre gjatë shekujve. Përkujtimi i kushtimit të bazilikave është një rast i përshtatshëm, që i shtyn të gjithë të krishterët të meditojnë mbi fjalët e shën Pjetrit, i cili thotë: “Nuk deshëm t’ju rrëfejmë përralla, kur ju njohëm me pushtetin dhe ardhjen e Zotit tonë, Jezu Krishtit, port erdhëm si dëshmitarë, të cilët e panë me sytë e vet madhështinë e Tij dhe dëgjuan zërin që zbriste nga qielli, derisa ishin me Krishtin mbi malin e shenjtë”.

Pikërisht kjo dëshmi, të cilën të dy apostujt e vulosën me gjak, i shtyn pambarimisht shtegtarët të gjunjëzohen pranë Varreve të tyre, mbi të cilat lartohen madhështore bazilika e shën Pjetrit në Vatikan dhe e shën Palit në rrugën Ostiense, në Romë, kushtimin e të cilave nga Papa Silvestri (314-335) dhe Papa Siricio (384-399) e përkujtojmë sot.

Që nga shekulli XII në bazilikën e Vatikanit të Shën Pjetrit dhe në atë të Shën Palit në rrugën Ostiense, përkujtoheshin dhe kremtoheshin përvjetorët e kushtimeve të tyre, të ndërtuara në shekullin IV nga papët e shenjtë Silvestri (314-335) dhe Sirici (384-399).

Në Martiriologun Romak, për Bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan, shkruhet: “Kjo bazilikë, e ndërtuar nga perandori Kostandin mbi kodrën e Vatikanit përmbi varrin e Shën Pjetrit, e dëmtuar rëndë nga koha dhe e rindërtuar në formë më të zgjeruar, u shugurua përsëri më 18 nëntor".

Tjera Bazilikë, ajo e shën Palit, në rrugën Ostiense të Romës, e ndërtuar nga perandorët Teodosi e Valentiniani e pastaj e shkatërruar nga një zjarr i tmerrshëm, u rindërtua përsëri e u kushtua më 10 dhjetor. Me përkujtimin e tyre të përbashkët, shprehet simbolikisht vëllazërimi ndërmjet dy Apostujve Pjetër e Pal dhe uniteti i Kishës.

Ky përkujtim i kushtimit të bazilikave të Apostujve është një rast i ri, i katërti gjatë vitit, që na nxit të reflektojmë për figurat e për veprat e dy Princave të Apostujve e edhe për kultin e jashtëzakonshëm që gëzojnë që prej dymijë vjetësh ndërmjet besimtarëve.

18 nëntor 2024, 06:59