Në dhjetor, në Romë, një pamje paraprake e Jubileut me muzikalin "Mercy"

Shfaqje në skenë, më 7 dhjetor, në Teatro Orione, në Romë, frymëzuar nga fjalët e Papës Françesku mbi temën e mëshirës

R. SH. / Vatikan

Pesëdhjetë artistë të rinj në skenë për të nisur, me koreografi e muzikë, një mesazh "force dhe shprese", i cili megjithatë, e "shikon realitetin e jetës sonë të përditshme me sy të zhgënjyer, ashtu si edhe të rinjtë, që e interpretojnë". Është përpjekje, e cila duhet të ndihmojë "për të shuar shumë pasiguri" dhe për t’i dhënë përgjigje optimiste frikës së kohës sonë”. Ky, kuptimi dhe ambicia e “Mercy”, muzikalit që do të ngjitet në skenën e Romës në Teatro Orione Arena Artis më 7 dhjetor, me regji të Antonia Varagnolo.

Emri i Zotit është mëshirë

Shfaqja e frymëzuar nga fjalët e Papës, shkëputur nga libri-intervistë i Andrea Torniellit “Emri i Zotit është mëshirë" (botimet Piemme) i paraprin dy javë Jubileut, logoja e të cilit iu dha Musical-it, së bashku me atë të Dikasterit të Kulturës. Është, shpjegojnë autorët, një vepër e "frymëzimit katolik, por e hapur për diskutim me këdo, 'jashtë kishave dhe famullive' siç thotë Papa, për t’i takuar të gjithë ata njerëz, të cilët kërkojnë përgjigje nga një realitet i vështirë për t'u deshifruar".

Në një nga audiencat e zakonshme jubilare të së shtunës, Papa foli për keqardhjen, si dhembshuri ndaj vuajtjeve të tjerëve. "Ne duhet të dalim nga indiferenca dhe skllavëria e pasurisë materiale, për të njohur nevojat e vëllezërve tanë"- kujtoi.

Mëshira e vërtetë meriton këngë

 “Ndër shumë aspekte të mëshirës - vijoi - është edhe ​​ ndjesia e keqardhjes ose e përdëllimit ndaj atyre, që kanë nevojë për dashuri. Pietas ishte koncept i pranishëm në botën greko-romake, megjithse vlerësonte një akt nënshtrimi ndaj eprorëve: para së gjithash ndaj perëndive, pastaj respektin e fëmijëve ndaj prindërve, veçanërisht ndaj të moshuarve. Sot, megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e identifikojmë keqardhjen me atë pietizëm mjaft të përhapur, emocion sipërfaqësor, që e cenon dinjitetin e të tjerëve.

Mëshira e vërtetë, nuk duhet “ngatërruar as me dhembshurinë që ndjejmë për kafshët, që jetojnë me ne: e ndjejmë këtë ndaj kafshëve, e jo pranë vuajtjeve të vëllezërve dhe motrave tona…!”. Mëshira, për të cilën flet Papa, «është shprehje e mëshirës së Zotit, një nga shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt, që Zoti ua dorëzon dishepujve të vet për t'i bërë “t'u binden frymëzimeve hyjnore”.

Shpesh ndër Ungjijtë dëgjohet klithma spontane e njerëzve të sëmurë, të pushtuar nga djalli, të varfër, të munduar, që i drejtohen Krishtit me klithmën zemërçjerrëse: «Ki mëshirë për ne!». E Jezusi u përgjigjet të gjithëve me një vështrim plot mëshirë, pasuar nga mrekullitë. Edhe në mes të turmës, "Jezusi i vë re lutjet për mëshirë dhe ndjehet keq, veçanërisht kur shikon njerëzit që vuajnë dhe dinjitetin e tyre të shkelur me këmbë".

Ashtu si Jezusi, edhe ne jemi thirrur t’i përballojmë shumë situata në jetë, duke shkundur indiferencën që na pengon të njohim nevojat e vëllezërve dhe motrave, dhe të çlirohemi nga skllavëria e mirëqenies materiale, që sot sundon mbarë botën tonë! Ndaj shfaqja e frymëzuar nga fjalët e Papës, shkëputur nga libri-intervistë i Andrea Tornellit,  na kujton me fjalë e me tinguj se "Emri i Zotit është mëshirë”.

25 nëntor 2024, 10:22