Papa: shteti, jo tregu, krijon harmoni
R.SH. / Vatikan
"Ata që flasin për harmoni të hamendësuar që vjen nga tregu, nuk propozojnë ndonjë histori të re. Historia është e vjetër dhe rezultatet nuk kanë qenë kurrë të mira. Harmoninë e krijon shteti, që krijon e garanton edhe drejtësinë sociale, jo tregu". Kështu shkruan Papa Françesku në një letër me rastin e paraqitjes së Kapitullit Uruguaian të Komitetit Pan-Amerikan të Gjyqtarëve për të Drejtat Sociale dhe Doktrinën Françeskane (Copaju) publikuar në faqen e po këtij Komiteti.
“Në mënyrë që të mos ketë më njerëz të flakur - vëren Françesku në letër - dhe që të gjithë të jenë pjesë e sistemit ekonomik e social në mënyrë të drejtë dhe të integruar, është e nevojshme të arrihet një shpërndarje e drejtë dhe e barabartë e pasurisë. Nuk ka shoqëri që përparon mbi bazën e varfërisë së anëtarëve të saj. Në çdo rast, disa mund të përparojnë individualisht, por ia vlen të pyesim: çfarë përparimi është ky? A mund të ketë të ardhme të mirë njeriu që radhitet në një shoqëri ku sundon pabarazia dhe përjashtimi?”.
Kujtojmë se deri më sot, përfaqësitë e Komitetit Panamerikan të Gjyqtarëve për të Drejtat Sociale dhe Doktrina Françeskane janë krijuar në vende të ndryshme, si Argjentinë, Kili, Kolumbi, Peru, Brazil, Meksikë, Shtetet e Bashkuara dhe Paraguaj. Tani po zgjerohet edhe në Uruguaj, ku zyrtarisht kjo shoqatë u prezantua këtë të hënë që kaloi, më 11 nëntor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Republikës. Me këtë rast u prezantua edhe “Instituti Fray Bartolomé de las Casas”, me qëllime akademike, mësimore dhe formuese mbi të drejtat sociale, migrimin dhe kolonializmin që i përket COPAJU.
Kujtojmë se Kapitulli uruguaian i Copaju filloi punimet më 11 nëntorin e kaluar, në qytetin e Montevideo. Kapitullit i Komiteti Panamerikan i gjyqtarëve për të Drejtat Sociale dhe Doktrinën Françeskane, themeluar në Vatikan më 2019, frymëzuar nga magjisteri i Papës Françesku, është një organizëm që funksionon në marrëdhënie të ngushtë me Akademinë Papnore të Shkencave Sociale.