Kërko

L'immagine di copertina del Rapporto Unesco per la Giornata Internazionale per la fine dell'impuntità dei crimini contro i giornalisti L'immagine di copertina del Rapporto Unesco per la Giornata Internazionale per la fine dell'impuntità dei crimini contro i giornalisti

Raporti i UNESCO-s, 85% e vrasjeve të gazetarëve mbeten të pandëshkuara

Raporti i ri i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën denoncon se në vitet 2022-2023 u vranë 162 punonjës të medias, pothuajse gjysma në zona lufte, ndërsa mosndëshkimi mbetet shumë i lartë. Është rritur edhe numri i viktimave të gazetareve: janë 14. Prandaj kërkohet veprimtari urgjente nga Shtetet. E prandaj u organizua edhe fushata "Ka një histori pas historisë" dhe u publikua një udhëzues për mbështetje psikologjike

R.SH. / Vatikan

“Në vitet 2022 dhe 2023, çdo katër ditë një gazetar vritej thjeshtë duke bërë punën e vet: duke kërkuar të vërtetën. Në shumicën dërrmuese të rasteve, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi”. Njoftimim e jep Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s, e cila publikoi raportin e saj të ri sot, 2 nëntor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t'i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve. Tetëdhjetë e pesë për qind e vrasjeve të gazetarëve në mbarë botën mbeten të pandëshkuara, shifër që nënvizon peshën e situatës, pavarësisht nga progresi i vogël që nga viti 2018, kur shkalla e mosndëshkimit për vrasjet e regjistruara që nga viti 2006 ishte 89 për qind.

Shkalla e pandëshkueshmërisë ishte 95 për qind në vitin 2012

Me raportin e saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë u bën thirrje të gjitha shteteve të saj anëtare "të bëjnë më shumë për të siguruar që këto krime të mos mbeten pa u ndëshkuar - shpjegon Azoulay – të ndjekin penalisht dhe të dënojnë autorët e krimeve, është mjet themelor për të parandaluar sulmet e ardhshme kundër gazetarëve". Edhe pse UNESCO vëren përmirësimin e prirjes, duke pasur parasysh se shkalla e mosndëshkimit ishte 95% dymbëdhjetë vjet më parë,  u bën thirrje shteteve "t’i shtojnë ndjeshëm përpjekjet e tyre për t’u dhënë fund krimeve të reja kundër gazetarëve".

Në dyvjetorin e fundit, 162 viktima, 14 gra

Në periudhën dyvjeçare 2022-2023, periudhë që mbulon raporti i ri, janë vrarë 162 gazetarë, gati gjysma e tyre në vendet e konflikteve të armatosura, ndërsa në dy vitet e mëparshme përqindja ishte 38 për qind. Në vende të tjera, shumica e gazetarëve janë vrarë në përpjekje për të thënë të vërtetën për krimet e organizuara, korrupsionin ose për raportimin e demonstratave publike. UNESCO raporton edhe një fakt tjetër alarmues: numri i grave gazetare të vrara në periudhën dyvjeçare, 14 gjithsejt, është më i larti që nga viti 2017.

Fushata "Ka një histori pas historisë"

Që të luftohet mosndëshkimi, organizata e Kombeve të Bashkuara nisi sot një fushatë të re vjetore globale për të rritur ndërgjegjësimin e publikut kundër dhunës ndaj gazetarëve. Me temën “Ka një histori pas historisë”, nisma synon të tërheqë vëmendjen ndaj krimeve kundër medias, përmes artikujve dhe dëshmive të publikuara në mbarë botën. Për më tepër, më 6 nëntor, UNESCO do të organizojë një konferencë globale mbi Sigurinë e Gazetarëve në Kriza dhe Emergjenca, në Addis Abeba, në bashkëpunim me Bashkimin Afrikan. Gjatë aktivitetit do të prezantohet Regjistri Global i Mekanizmave Kombëtare të Sigurisë për Gazetarët, i cili përmbledh politikat e mbrojtjes së gazetarëve të zbatuara në 56 vende dhe të paktën 12 plane kombëtare veprimi.

Udhëzues për mbështetje psikologjike

UNESCO do të publikojë gjithashtu një udhëzues për psikologët që punojnë me gazetarët në situata emergjente, në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar të Medias së Grave (IWMF). Udhëzuesi, i cili synon veçanërisht gratë, do t'u sigurojë psikologëve mjete për të stabilizuar proceset emocionale dhe njohëse të viktimave të ngjarjeve traumatike, duke i ndihmuar të marrin vendime racionale, themelore për mbijetesën e tyre, dhe për të reduktuar sjelljet impulsive që mund t'i shtyjnë më tej në rreziqe.

UNESCO, Kombet e Bashkuara për arsimin, shkencën dhe kulturën

Me 194 shtete anëtare, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë kontribuon për paqen dhe sigurinë përmes bashkëpunimit shumëpalësh në arsim, shkencë, kulturë, komunikim dhe informacion. Me seli në Paris, UNESCO ka zyra në 54 vende dhe punëson mbi 2,300 njerëz. Mbikëqyr më shumë se dy mijë site të Trashëgimisë Botërore, Rezervat e Biosferës dhe Gjeoparket Globale, rrjetet e Qyteteve Kreative, Gjithëpërfshirëse, Mësimore dhe të Qëndrueshme, dhe mbi trembëdhjetë mijë shkolla të lidhura, katedra universitare, qendra formuese dhe kërkimore.

02 nëntor 2024, 18:48