Shërbëtori i Zotit, Át Gjergj Guxeta, në përvjetorin e vdekjes
R.SH. – Vatikan
Më 21 nëntor kujtojmë në përvjetorin e vdekjes, një nga arbëreshët e mëdhenj, që mbajtën gjallë gjuhën e kulturën e të parëve në Sicili, Át Gjergj Guxetën (Giorgio Guzzetta – 1682-1756), themeluesin e Seminarit greko-shqiptar të Palermos më 1734, për të cilin ka filluar procesi i lumnimit.
Pak biografi
Át Gjergj Guxeta u lind më 23 prill 1682 në Piana dei Greci, aktualisht Piana degli Albanesi (Kundi i Arbëreshëve). Pas viteve të para të shkollës në vendlindje, vijoi studimet në Trapani, në kolegjin e jezuitëve, ku ndodhej edhe vëllai i madh, Serafini. Hyri në seminarin e kryedioqezës së Monreales, mori doktoraturën në teologji dhe u mbajt në Kurie nga kryeipeshkvi Francesco Del Giudice, si përkthyes i greqishtes klasike dhe si pro-sekretar.
Më 5 dhjetor 1706, me leje papnore, hyri në Kongregatën e Oratorit të Shën Filip Nerit në Palermo dhe, më 22 dhjetor 1707, u shugurua meshtar, duke kaluar nga riti bizantin në atë latin. Gjatë viteve të para të shërbimit, iu kushtua predikimit në italisht e në shqip, me homeli të modeluara sipas shembullit të shenjtorëve Bazili, Gjon Krizostomi dhe Gregor Naxianxeni.
Themelues i Oratorit të Horës së Arbëreshëve
Më 1716, themeloi Kongregatën e Oratorit të Horës së Arbëreshëve, formuar nga meshtarë të pamartuar të ritit bizantin. Falë mbështetjes së kardinalit Del Giudice, arriti të shërbejë në kishën e Shën Gjergjit e, me përkrahjen e bamirësve, bleu ndërtesat pranë kishës. Megjithëse themeloi Oratorin, nuk u bë kurrë anëtar i tij, pasi Oratori ishte i ritit bizantin,ndërsa ai vetë qëndroi gjithnjë i lidhur me Kongregatën e Palermos, si meshtar i ritit latin.
Gjithnjë në Horën e Arbëreshëve, së bashku me sivëllain Át Antonio Brancato, Eprori i parë i Kongregatës, themeloi Kolegjin e Marisë për edukimin e vajzave, për katekizmin në gjuhën shqipe dhe italiane e për kremtimet liturgjike në gjuhën greke dhe shqiptare.
Themelimi i Seminarit të Palermos
Me synimin për të ruajtur e mbrojtur traditat kulturore e fetare të bashkësive arbëreshe të ritit bizantin, në vitin 1734, siç e thamë, themeloi në Palermo, Seminarin e parë greko-shqiptar, për formimin e klerit të zonave arbëreshe. Kujtojmë se emri greko-shqiptar ka të bëjë me ritin bizantin - ose grek, siç quhej – që ndiqet nga një pjesë e madhe e arbëreshëve të Italisë e jo me etninë greke në vetvete. Hapja e këtij seminari pati një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm sepse deri atëherë, meshtarët e riti bizantin formoheshin në seminaret latine, por edhe sepse aty u përgatitën ipeshkvijtë, meshtarët, atdhetarët e shkrimtarët më të njohur arbëresh të Sicilisë.
Pararendës i Koncilit II të Vatikanit
Në projektet e Át Guxetës, në çdo koloni shqiptare të Siçilisë duhej të ngriheshin seminarë të këtij lloji, ku meshtarët të formoheshin për t’u dërguar misionarë në Greqi dhe Shqipëri, që të punonin për kthimin e Kishave të ndara lindore në unitetin katolik. Ai u përpoq edhe për themelimin e ipeshkvisë së ritit bizantin në Sicili, gjë që do të realizohej pas vdekjes së tij me Bulën e 6 shkurtit 1784, të Papës Piu VI, miratuar me dekretin mbretëror të 10 janarit 1785. Pararendës i Koncilit II të Vatikanit, Át Gjergj Guxeta punoi për kthimin e Lindjes së Krishterë në unitetin e Kishës.
Ruajtja e trashëgimisë fetare e kulturore të atdheut
Át Guxeta u bë kështu ai, që hodhi themelet e ndërtesës së kulturës arbëreshe, ku do të ruheshin të paprekura gjuha dhe traditat shqiptare në Sicili. Në shkollën e tij u edukua pothuajse e gjithë inteligjenca e arbëreshëve të ishullit me një frymë, që pajtohej plotësisht me trashëgiminë fetare e kulturore të atdheut të etërve. E jo më pak, u formua një aradhe meshtarësh të ritit bizantin sipas traditës e kultit të tyre.
Atij iu drejtua imzot Gjon Nikollë Kazazi, kur zbuloi më 1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides, kopjen e vetme të Mesharit të Gjon Buzukut, duke i shkruar se kishte gjetur "një meshar të lashtë shqiptar të rrëgjuar nga koha" e duke i dërguar disa fragmente të tekstit, që më pas u mbulua nga heshtja, deri sa u nxor sërish në dritë nga imzot Pal Skiroi (Paolo Schirò, 1866-1941).
Njohës i thellë i kulturës klasike, ai shkroi, ndër të tjera, një Kronikë të Maqedonisë deri në kohën e Skënderbeut, ritin etimologjik “De Albanensibus Italiae excolendis, ut siti totique Ecclesiae prosint”, që përmban një nga kontributet e para për përshkrimin dhe studimin e gjuhës shqipe. Tekstet e tij ishin baza për kërkimet e mëvonshme, më të gjera e më të qëndrueshme, nga intelektualët italo-shqiptarë që pasuan.
Njeri i shenjtë, në kërkim të vullnetit të Zotit
Át Gjergj Guxeta, sprovuar nga një sëmundje, që i shkaktoi verbërinë, vdiq në Partiniko (Partinico, Itali) më 21 nëntor 1756. Nga viti 1954, trupi i tij ruhet në katedralen e Eparkisë së Shën Mitrit Megalomartir në Horën e Arbëreshëve. Njihet mirë nga shqiptarët si meshtari që, me shkrimet e veta, ngrinte zërin në mbrojtje të kombit, si ai që siguroi mjetet për themelimin e Seminarit të Palermos, i cili do të bëhej një nga vatrat kryesore të kulturës dhe të atdhetarizmit shqiptar, çerdhe e një plejade shkrimtarësh e poetësh të shquar, të gjithë katolikë. Por, jo të gjithë e dinë se ai ishte edhe njeri i shenjtë, në kërkim të vazhdueshëm të vullnetit të Zotit. Dashuria e tij për Hyjin i pati rrënjët në Eukaristi dhe në kundrimin e mistereve hyjnore, me nderim të veçantë për meditimin mbi mundimet e Krishtit dhe për Virgjërën Mari. E madhe ishte dashuria e tij për sivëllezërit dhe për popullin e Zotit. Njeri, që kërkohej nga të pushtetshmit për aftësitë e tij si orator dhe rrëfyes, dinte të dhuronte gjithçka fitonte për të varfërit dhe nevojtarët, me vëmendje të veçantë për vajzat që mbeteshin pa martuar dhe për jetimet, të cilat, asokohe, shpesh shiheshin shtrembër nga shoqëria.
Jetoi në varfëri, sipas Ungjillit
I matur, i përvuajtur, jetoi në varfëri, duke respektuar këshillat ungjillore. Jeta e tij ushqehej nga lutja dhe meditimi, të cilat e bënë të fortë në fatkeqësi dhe të bindur ndaj eprorëve dhe magjisterit të Kishës. Ishte udhëheqës i aftë shpirtëror, i pajisur me aftësi të jashtëzakonshme oratorike. Kultura e tij e gjerë e lejonte të fliste si me fisnikët, ashtu edhe me njerëzit e thjeshtë, duke marrë përsipër gjetjen e zgjidhjeve për vuajtjet e popullatës arbëreshe. Prandaj edhe u impenjua në kujdesin dhe mbrojtjen e pakicave etnogjuhësore të pranishme në Siçili, duke u përpjekur të formonte klerin shqiptar që, besnik ndaj Selisë së Shenjtë, të mos humbiste traditat e origjinës. Për këtë, më 25 nëntor 2021, Papa Françesku e deklaroi Shërbëtorin e Zotit Át Gjergj Guxetën të nderueshëm nga besimtarët katolikë. Çështja për lumnimin e tij u paraqit që më 1934, por vetëm më 1984 u riaktivua nga kryeipeshkvi i Monreales dhe iu besua Eparkisë së Horës së Arbëreshëve. Procesi dioqezan i lumnimit të Át Gjergj Guxetës rifilloi më 21 nëntor 2001.