Trump fiton kundër Harris dhe bëhet presidenti i 47-të i SHBA-së
R.SH. – Vatikan
Donald Trump e kaloi pragun e 270 të ashtuquajturve “zgjedhës të mëdhenj”, që i duhen për t’u shpallur president i SHBA-së, duke fituar zyrtarisht mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë. Numërimi vijon akoma por tashmë nuk ka më asnjë dyshim për rezultatin përfundimtar.
Fjalimi për përkrahësit
Në fjalimin e fitores në Palm Beach para përkrahësve të tij, Trump theksoi se do t'i mbajë premtimet, duke filluar nga ulja e taksave dhe e borxhit federal të SHBA-së. “Detyra, që na pret, nuk do të jetë e lehtë – shtoi ai – por unë do të përdor çdo gram energjie, shpirti dhe vendosmërie për ta çuar deri në fund punën, që më keni besuar. Do të jetë një epokë e re e artë”. Më pas, shtoi: "Nuk do të filloj luftëra, por do t'i ndal”. Gjatë natës, pas mbërritjes së statistikave krejtësisht në favor të rivalit të saj, Kamala Harris u largua nga "shtabi i saj i përgjithshëm".
Trump në mandatin e dytë
Donald Trump, 78 vjeç, është i pari, që zgjidhet presidet për dy mandate jo të njëpasnjëshme. Gjithashtu, është presidenti më i vjetër në moshë, që ka marrë ndonjëherë detyrën. Karriera e tij politike konsiderohet si një ndërmarrje e paprecedentë, pasi ai arriti të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, duke kaluar përmes dy “impeachment”, proceseve të ndryshme, dy dënimeve penale dhe disa skandaleve. Shumë besuan se, pas sulmit në Capitol Hill, do të përfundonte si lider politik, i braktisur edhe nga partia e tij, të cilën ai arriti ta rifitonte.
Reagimi i bashkësisë ndërkombëtare
Mesazhe urimi i kanë ardhur Donald Trump-it nga e gjithë bota. “Jemi gati të punojmë së bashku, siç kemi bërë për katër vjet. Për më shumë paqe dhe prosperitet”, shkruan presidenti francez Emmanuel Macron në platformën X. Nga ana e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quan fitoren e Trump-it si “kthimin më të madh në histori!” Nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, vullneti për të vazhduar bashkëpunimin në atë, që ajo e përkufizon si “aleancë të palëkundur, me vlera të përbashkëta dhe miqësi historike”. Një mesazh edhe nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili e uroi Trump-in për "fitoren mbresëlënëse", duke shpresuar se si president i SHBA-së ai "do ta ndihmojë Ukrainën të arrijë një paqe të drejtë". Ndërkaq, shprehin shqetësimin për të ardhmen të majtët evropianë.