Papët e SHBA, një vend që ka lindur nga parimet e mëdha dhe feja e thellë
R.SH. – Vatikan
Sytë e botës tani janë përqendruar tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Votuesit në të gjithë vendin janë të thirrur në qendrat e votimit për të zgjedhur presidentin e ri. Sfida për Shtëpinë e Bardhë është mes kandidatit republikan Donald Trump dhe kandidates demokrate Kamala Harris. Por me çfarë sysh duhet ta shikojmë historinë dhe shpresat e popullit amerikan? Pas këndvështrimit të përvijuar në fjalimet, vizitat dhe takimet historike të Papëve me përfaqësuesit më të lartë të këtij kombi, shfaqet një kornizë në të cilën, edhe para pavarësisë në 1776, trashëgimia shpirtërore luan një rol parësor.
Fara e krishterë në historinë amerikane
“Një popull që i bazon bindjet e tij jetësore në vlerat shpirtërore dhe morale, në një sens të thellë fetar, në respektimin e detyrës dhe në shërbimin bujar të njerëzimit”. Ky është portreti i kombit amerikan i përshkruar më 6 tetor 1979 nga Gjon Pali II, Papa i parë që vizitoi kryeqytetin amerikan, ku parimet fisnike janë ngulitur në monumente kushtuar figurave përfaqësuese, si George Washington, presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një "njeri me karakter të fortë dhe largëpamësi", nënvizon Piu XII në enciklikën Sertum Laetitiae. Në këtë tekst, të shkruar në vitin 1939 me rastin e 150-vjetorit të themelimit të hierarkisë kishtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Papa Pacelli kujton "miqësinë e fortë" midis atit të atdheut amerikan dhe bariut të parë të Baltimorit, Imzot John Carroll, "karakterizuar nga lidhjet e dashamirësisë", si një shembull të përhershëm për pasardhësit të lidhjes midis "parimeve supreme etike" dhe fesë së krishterë. Papa Piu XII, duke iu referuar lulëzimit të Kishës Katolike në këtë vend, kujton veçanërisht enciklikën e Leonit XIII Longiqua Oceani të vitit 1895. "Ashtu si arka e Noes - shkruan Papa Pecci - mbante në vetvete farën e Izraelit dhe reliket e racës njerëzore, në të njëjtën mënyrë anijet e Kolombit, të mbështetura në oqean, transportuan parimin e shteteve të mëdha dhe farën e katolicizmit në tokat përtej detit”.
Paqe dhe ndërgjegjja morale
Në takimet mes Papëve dhe Krerëve të shtetit amerikan, traditat fisnike të historisë amerikane të lidhura me vlerat shpirtërore janë bashkuar edhe me dëshirën për paqe. Më 6 dhjetor 1959, në Pallatin Apostolik në Vatikan Papa Gjon XXIII priti Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dwight D. Eìsenhower. Me atë rast, Roncalli u gëzua duke parë se Shtetet e Bashkuara priren drejt "idealeve të larta të harmonisë besnike dhe efektive midis kombeve". 4 tetori 1965 është dita e vizitës së parë të një Pape në Pallatin e Qelqtë. Papa Pali VI e mbyll fjalimin e tij në selinë e OKB-së në Nju Jork me këtë shpresë: “duhet të mësohemi të mendojmë për njeriun në një mënyrë të re”. Ne duhet t'i shohim "rrugët e historisë dhe fatet e botës në një mënyrë të re" për të bërë të mbizotërojë "ndërgjegjja morale e njeriut".
Zëri i ndërgjegjes është i lidhur fort me atë të lirisë. Benedikti XVI u përqendrua në këtë temë gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2008. "Liria – tha Ati i Shenjtë Ratzinger - nuk është vetëm një dhuratë, por edhe një thirrje për përgjegjësi personale". Amerikanët e dinë këtë nga përvoja. “Pothuajse çdo qytet në këtë vend – shpjegoi Papa Benedikti XVI – ka monumentet e tij që u bëjnë homazhe atyre që sakrifikuan jetën në mbrojtje të lirisë”.
Udhët e lirisë
Historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të lexohet edhe përmes trashëgimisë së lënë nga bijtë e saj të mëdhenj. Në vizitën e tij në Kongres më 24 shtator 2015, Papa Françesku kujton se Abraham Lincoln ishte "ruajtësin e lirisë që punoi pa u lodhur në mënyrë që "ky komb, me mbrojtjen e Zotit, të mund të kishte një rinlindje të re lirie". Në rrugën e njerëzimit, ëndrra e Martin Luther King për "të drejta të plota civile dhe politike për afrikano-amerikanët" duhet të vazhdojë të jetë një burim frymëzimi. Gjatë fjalimit të tij në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Papa Françesku kujton edhe figurën e murgut cistercen Thomas Merton, një "njeri i lutjes, një mendimtar që sfidoi siguritë e kësaj kohe dhe hapi horizonte të reja për shpirtrat dhe për Kishën". Papa Françesku, duke kujtuar disa përfaqësues të mëdhenj të këtij vendi, së fundi ndalet në dëshminë e lënë nga Dorothy Day, e cila luftoi "për drejtësinë dhe kauzën e të shtypurve". Në fytyrat e Abraham Lincoln, Martin Luther King, Thomas Merton e Dorothy Day dhe në ato të shumë të tjerëve mund të shohim bukurinë e këtij populli. Një komb që është ushqyer gjithmonë nga trashëgimia e parimeve të mëdha dhe nga forca e fesë për të ecur në udhët e lirisë, edhe në kohë të tronditura nga luftërat dhe çekuilibrat.