Më 17 dhjetor kalendari kujton shenjtorët Ananinë, Azarinë dhe Mizaelin, martirë
R.SH. / Vatikan
Më 17 dhjetor nga kalendari kishtar përkujtohem Shenjtorët Anania, Mizaeli e Azaria, të quajtur edhe Abdenagoni, Misaku, Sedraku, martirë, janë tre personazhe biblike, historia e të cilëve tregohet në Librin e Danielit.
Në tre kapitujt e parë, libri i Danielit profet rrëfen ngjarjen e këtyre tre personazheve me shumë hollësira. Këta janë hebrenj të rinj të dëbuar në Babiloni dhe më pas, për shkak të meritave të tyre, u ngritën në rolin e guvernatorëve. Tre djelmoshat, qeveritarë të Babilonisë, flaken në një furrë të ndezur, sepse nuk pranojnë të adhurojnë idhujt paganë.
Anania, Mizaeli e Azaria ishin të rinj nga Mbretëria e Judës, të dëbuar në Babiloni së bashku me popullin e tyre nga mbreti Nabukodonozor dhe, së bashku me Danielin, qenë dalluar për aftësitë e tyre, aq sa sovrani vendosi t'i bënte administratorë të një krahine.
Emrat e tyre u ndryshuan në emra kaldeas: Danieli u bë Baltazar, Azaria u bë Abdenego, Anania u bë Shadrak dhe Misaeli u bë Meshak. Megjithatë, ata nuk i harrojnë rrënjët dhe identitetin e tyre fetar. Në fakt, kur mbreti ngriti një statujë dhe u kërkoi të gjithëve ta adhuronin, ata refuzuan dhe për këtë arsye u hodhën në një furrë të zjarrtë. Por ndërsa ata, të padëmtuar, i kënduan himne lavdi Zotit, njerëzit që ishin përgjegjës të zjarrit vdiqën nga flakët e fuqishme. Ishte vetë Nabukodonozori, i mrekulluar, ai që i shpëtoi të tre nga torturat, duke njohur madhështinë e Zotit të tyre.
Reliket e tre shenjtorëve të Besëlidhjes së Vjetër u mbartën nga Babilonia në Kostandinopojë, ku në vitin 1156 u vendosën me nderime të mëdha në abacinë e Montevergine. Atje vijojnë të nderohen edhe sot, të ekspozuar në tri relike të ndryshme, në të cilat shkruhen emrat Anania, Mizaeli e Azaria. Në abacinë Montevergine, në Itali, kremtohen më 16 dhjetor, ndërsa Meshari Romak i përkujton një ditë më von më 17 dhjetor.