Kërko

 San Liberato, martire San Liberato, martire

Më 20 dhjetor kalendari kujton Shën Liberatin, martir

Liberati, bir i një familjeje fisnike, ishte konsull. Si u kthye në fenë e krishterë, u dashurua me Krishtin aq, sa hoqi dorë nga karriera, nga politika, nga jeta në rrethet fisnike dhe nisi të ndjekë rrugën e re të dashurisë vëllazërore e të fesë në Zotin. Ndryshimi i tij i thellë u ra në sy të gjithëve. E arrestuan dhe e dënuan me vdekje.

R.SH. - Vatikan

Më 20 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Liberatin, martir në Romë. Në “martirologun Jeronimian” festa e shën Liberatit martir shënohet më 20 dhjetor. Kjo datë mbeti për përkujtimin e martirit edhe në “martirologun Romak”, hartuar në shekullin XVI nga historiani i madh, kardinali Cesare Baronio. Ndonëse mendohej se kishte ardhur nga Lindja, në të vërtetë shën Liberati ishte romak. Emri i tij i vërtetë ishte Liberale (italisht); Liberalis (latinisht), prej nga u përkthye gabimisht në Liberatis apo Libert, e ashtu edhe mbeti.

Reliket e shën Liberatit janë varrosur në Udhën e lashtë romake Salaria, ku pushojnë në paqe edhe dy martirë të tjerë: Gjoni e Festi.
Liberati, bir i një familjeje fisnike, ishte konsull. Si u kthye në fenë e krishterë, u dashurua me Krishtin aq, sa hoqi dorë nga karriera, nga politika, nga jeta në rrethet fisnike dhe nisi të ndjekë rrugën e re të dashurisë vëllazërore e të fesë në Zotin.

Ndryshimi i tij i thellë u ra në sy të gjithëve. E arrestuan dhe e dënuan me vdekje në kohën e sundimit të Klaudios, që njihet me atributin “Gotiku” (269-270). Një farë Flori e ngriti trupin e tij mbi një varr monumental, me shpresën se Zoti do t’ia shpërblente në jetën tjetër nderimin për shenjtërim. Varri u shkatërrua në kohën e pushtimit të Alarikut në vitin 410 pas Krishtit, por besimtari i përshpirtshëm e ndërtoi përsëri. Kujtojmë se emri Liberalis në latinisht do të thotë: “I çliruar nga skllavëria”; të krishterët e përdorën me kuptimin “I çliruar nga robëria e mëkatit, apo nga paganizmi”.

20 dhjetor 2024, 10:14