Me 3 dhjetor kalendari kujton shën Françesk Saverin
R.SH. - Vatikan
Shën Françesk Saveri është njëri nga jezuitët e parë në historinë e urdhrit të mirënjohur, sepse përkrah me shën Injacin e Lojolës, themeloi më 1534 Shoqërinë e Jezuitëve.
Françesk Saveri, jezuit, misionar me zemër të hapur ndaj botës
Ata që e shohin botën me sytë e Jezu Krishtit të Ngjallur, nuk kanë frikë nga kufijtë, ata e dinë se i gjithë planeti është "shtëpi", një shtëpi e përbashkët për njerëzimin dhe të dashur nga Zoti. Në një botë të globalizuar kjo perspektivë jo gjithmonë ishte përvojë që u përkiste bashkësive të krishtera: sot, kremtuar kujtimin e Shën Françesk Saverit, meshtarit jezuit, liturgjia na kujton nevojën për të jetuar si misionarë me zemër të hapur ndaj botës .
Shën Françesk Saveri lindi në kështjellën e familjes në Navarra, nga prindër fisnikë. Në vitin 1533, shën Françesku i ardhshëm, kthen jetë e vihet nën udhëheqjen shpirtërore të shën Injacit, me urdhër të të cilit, niset nga Lisbona për në Goa (kryeqyteti i kolonive portugeze në Inditë Lindore), ku mbërrin më 6 maj 1542. Prej këndej, duke mësuar, pagëzuar, rrëfyer, duke u kujdesur për të varfrit e të gërbulurit e duke denoncuar shfrytëzimin e këtyre popujve nga “të krishterët evropianë”, shën Françesk Saveri përshkoi si misionar i Krishtit, jugun e Indisë, Malagën e Ishujt Moluke, për të shkuar në Japoni e më pas në Kinë, ku u sëmur me ethe, që e dobësuan deri në vdekje, më 3 dhjetor 1552.
Kështu, e predikoi Ungjillin e Krishtit në Indonezi, në Japoni e vende tjera. Ëndrra e shën Françesk Saverit ishte ta vijonte këtë predikim edhe në Kinë, ku nuk mundi të arrinte: vdiq fare pranë brigjeve të dëshiruara, në ishullin Shangçuan, që sot bën pjesë në të, në afërsi të Kantonit, më 3 dhjetor 1552.
Shkolla Saveriane në Shkodër
Për jetën e Shenjtit janë shkruar dhjetëra libra. Figura e tij është e mirënjohur edhe në Shqipëri e ndër shqiptarë, sepse emri i shën Françesk Saverit ka qenë i gjithpranishëm në jetën e besimtarëve katolikë e të shumë shqiptarëve të besimeve të tjera. Mjafton të kujtojmë se këtë emër mbante një nga shkollat më të famshme në Shqipërinë e para diktaturës komuniste: Shkolla Saveriane në Shkodër (sot shkolla e mesme Atë Pjetër Meshkalla) nën drejtimin e Jezuitëve.
Shën Françesk Saveri është pajtor qiellor i misioneve, i mirënjohur edhe në viset shqiptare e posaçërisht në Shkodër, ku shkolla e jezuitëve ka mbajtur gjithnjë emrin e tij. Mesazhi i shën Françesk Saverit është t’ia besojnë veten Zotit në shpalljen e Ungjillit e t’i shërbejnë njerëzimit, aty na thërret e çon Hyji, pa i lënë gjërat e jetës të kenë përparësi mbi jetën shpirtërore.