Kërko

I Lumi At Bernardin Palaj, matir I Lumi At Bernardin Palaj, matir

Festa e të Lumit At Bernardin Palaj, ofm, françeskan, martir

I Lumi At Bernardin Palaj, frat, kangëtar, poet, folklorist, shkencëtar, Martir i fesë së Krishtit, kje "zog i rrallë"(at Zef Pllumi). Nëpërmjet veprave të veta synon t’i mësojë popullit dashurinë për një vizion demokratik të jetës. Ai nuk gabohej që shihte te komunizmi një tjetër tiran. E në të vërtetë ky tiran qe një uragan që mori njerëzit më të mirë dhe më të shquar, së bashku me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të çdo feje, të gjithë fajtorë vetëm se besonin në lirinë e bijve të Zotit

R.SH. - Vatikan

Më 2 dhjetor kalendari i Kishës katolike universale kremton festën liturgjike të Të Lumit At Bernardin Palaj, meshtar françeskan, martir, poet, folklorist, studiues i letërsisë e i historisë së kishës, një nga figurat më të ndritura të asaj që njihet si "shkolla letrare e fretërve".

Jetёn e At Bernardinit e karakterizojnë tri aspekte: kontakti i drejtpërdrejtë me popullin, vetmia dhe puna. Puna qe thelbi i tij si njeri, si i krishterë, si frat, si meshtar, punoi “me besnikëri e devotshmëri”, duke e ruajtur “shpirtin e uratës së shenjtë dhe të devotshmërisë”. Puna qe jeta e tij dhe prova e jetës së tij të varfër. Vetëm arrestimi, burgu dhe vdekja mund ta ndalnin dallgën e dinamizmit të tij fizik e intelektual.

 I Lumi At Bernardin Palaj lindi më 2 tetor 1894 në një familje me origjinë nga Shllaku. Vdiq në burgun e Shkodrës më 2 dhjetor 1946.   Mësimet e para dhe të mesme i mori në shkollën françeskane në Shkodër, ku u thirr nga Zoti për rrugën e meshtarisë në Urdhrin e Fretërve të Vegjël. Pas mbarimit të shkollës së mesme, u nis për studime në Graz të Austrisë, ku kreu filozofinë e teologjinë dhe u shugurua meshtar.

U kthye menjëherë në Atdhe, ku filloi veprimtarinë meshtarake e kulturore, duke shërbyer si famullitar ndër fshatrat e vendlindjes. Krahas veprimtarisë meshtarake, nisi të mblidhte thesaret e krijimtarisë gojore të popullit, gojëdhëna, këngë, doke, zakone. At Bernardinit i takon merita e pamohueshme e mbledhësit të parë të epikës legjendare shqiptare. Është ai që, së bashku me sivëllaun françeskan, At Justin Rrotën, i dhuroi kulturës shqiptare një nga brilantet më të ndritshëm: përmbledhjen e parë të Këngëve të Mujit e të Halilit. Ishte viti 1939 kur përmbledhja “Kangë kreshnikësh e legjenda” pa për herë të parë dritën e shtypit.

Ai, në vetminë e malit, ia vente veshin kangës së pashterrshme, që buronte shi nga thellësitë e zemrës së Kombit arbënuer dhe ia rrëmbente atê harresës. Tue harrue vetin e tue u shkrî më nja me atë jetë që lëvizte e hasharitej ndër lëpizat e pluhnueme të qelës vetmitare në maje të thepave. Në ato lëpiza flente fara e pranverës së përtardhun e poezisë së re shqiptare, për të cilën u mundue dhe e nxorri në dritë.

Botoi shumë shkrime në shtypin kishtar të kohës, posaçërisht në “Hyllin e Dritës” e në “Zanin e Shëna Ndout”, por edhe në gazetën “Tomori”. At  Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare që më 1940. Ka botuar edhe librat "Prej burgut të jetës"; "Vorreve të flamurit", "Kuq e zi, "Mite, besime, legjenda" (ribotuar pak vite më parë në Kosovë); "Kanuni i maleve" etj.

Nëpërmjet veprave të veta synon t’i mësojë popullit dashurinë për një vizion demokratik të jetës. Ai nuk gabohej që shihte te komunizmi një tjetër tiran. E në të vërtetë ky tiran qe një uragan që mori njerëzit më të mirë dhe më të shquar, së bashku me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të çdo feje, të gjithë fajtorë vetëm se besonin në lirinë e bijve të Hyjit. E ky qëllim i kësaj tiranie vetëdeklarohet në vitin 1977, kur në revistën e Gjykatës së Lartë të Tiranës shkruhet: “Në vendin tonë nuk ka liri mendimi për elementët armiq”. E “armik” ishte kushdo që mendonte ndryshe, prandaj edhe personaliteti i spikatur i të ndriturit Atë Bernardin Palaj nuk mund t’i ikte sundimtarit të ri. Por Palaj nuk kërkonte t’i ikte, përkundrazi, siç e thekson Atë Zef Pllumi, ai “e konsideronte si nder të arrestohej nga ky [sundimtar i ri] «antikrisht»”.

Palaj si poet përfaqësohet me një mori krijimesh, ndërmjet të cilave poemi i pakryem "Valët e nji shpirti" që përmban 1533 vargje, vende-vende me fuqi të rrallë poetike, shkrue me një farë vargu të lirë, pa rima, me formë krejt moderne. Në pjesën ma të bukur të poemit, me tingëllim të fuqishëm aktual, i kjahet halli një mërgimtari të ri, plot mall për atdheun, plot angushtí për fatet e tokës që e lindi, por që s'kje në gjendje ta ushqente e i dha udhët e trishtueshme të botës:

"… gjithkund dhén po ma kërkon.

Të tanë copash mendja m'ju ka bâ.

Kur ndërmendi i Shqipnisë po m'i bjen,

Gjumi i natës atë kurr nuk po ma merr.

E m'i lutet Zotit, qi rrin në qiell,

Për njatë gjak të këtyne trojeve qi âsht derdhë,

Njanën dysh i Lumi me e bâ:

Ndo edhe 'i herë Shqipninë Ai me na e falë,

Si shpërblim për të gjithë këto merita, më 1947 u burgos. Pasi u torturua mizorisht nga regjimi komunist, një ditë ogurzezë të vitit 1948 u lidh shtrëngueshëm me tel të ndryshkur, që i hapi plagë vdekjeprurëse e u flak nën shkallët e spitalit të burgut, ku dha shpirt mes dhimbjesh të papërshkrueshme, shkaktuar nga tetanosi, si martir i fesë e dëshmor i lirisë.  Kështu. si shpërblim i dashtënisë së pakufí që kishte për Atdheun, në elter të cilit vuri dije, talent, djersë, gjak e deri jetën, u mbyt mizorisht  me 2 dhjetor 1946.

Ndërsa mbytej e mohohej në atdhe, në mërgatën shqiptare për krijimtarinë e tij u interesua vazhdimisht prof. Ernest Koliqi, i cili botoi shumë shkrime të tij e për të. Në vitet '30 Atë Bernardini shikohej si poeti që do të zinte vendin e Atë Fishtës, duke sjellë një frymë të re moderne në letrat shqipe. E sot, kujtojmë se At Bernardin Palaj OFM është një nga ata fretër e meshtarë shqiptarë të martirizuar nga komunizmi në Shqipëri, të cilët më 5 nëntor 2016 u lartuan, përmes kremtimit tё Lumnimit, në nderimet e elterit, në Katedraljen e Shkodrës!

P. BERNARDIN PALAJT, POET E MARTIR  

nga Kolec P. Traboini

I lirë tash je, o Prometé i moçëm,
me maj t’i këputësh prangat përmbi hekur
e t’ kuptojsh pse vdesin dhe poetët e soçëm.

Prej synit tand vetim’ kjenë shkëputë për mrekull,
prej gojës sate, stuhí u çuen t’furishme
e prej qerpikeve shfrynë ernat e motit.

E kur për drrasa t’burgut të gozhduene
t’i e binde qiellën me një brim’t’fuqishme
por mbete i njajt’gjithmon’ n’parime t’Zotit.

 

 

 

02 dhjetor 2024, 14:19