Kërko

Persekutimi i të krishterëve Persekutimi i të krishterëve

Krishtlindja e të krishterëve të persekutuar, britma e dhimbjes nga Lindja e Mesme në Sahel

Mbi 300 milionë besimtarë jetojnë të persekutuar në 28 vende. Marta Petrosillo e Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”: "Afrika ka pasur përkeqësimin më serioz të viteve të fundit, sepse atje është zhvendosur epiqendra e grupeve ekstremiste islamike, të cilat deri një dekadë më parë ishin më të përqendruara në Lindjen e Mesme"

R.SH. – Vatikan

Mbi 300 milionë të krishterë jetojnë në shtete ku ka së paku një formë persekutimi, shifër që po rritet veçanërisht në Afrikë dhe Sahel. Marta Petrosillo e Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, e cila drejton hartimin e raportit dyvjeçar për lirinë fetare në botë, bën një bilanc të kushteve të jetesës së të krishterëve, me Krishtlindjet afër dhe, në shumë raste, me kontekste të karakterizuara nga dhuna, lufta dhe varfëria.

“Po punojmë për raportin e ri, i cili do të publikohet në tetor 2025”, deklaron Petrosillo në një intervistë për mediat e Vatikanit, duke kujtuar të dhënat e botimit të fundit, sipas të cilit në 28 vende jetojnë në vështirësi 307 milionë të krishterë. “Natyrisht është e pamundur të vlerësohet me saktësi sa prej tyre vuajnë persekutimin, por kemi një skenar global, që fatkeqësisht shkakton shqetësim për vëllezërit dhe motrat tona në fe”. E kjo gjendje vërehet në të gjitha kontinentet. “Afrika është ajo që ka pasur përkeqësimin më serioz në vitet e fundit”, nënvizon drejtoresha e raportit të Fondacionit për lirinë fetare. “Epiqendra e grupeve ekstremiste islamike, të cilat deri një dekadë më parë ishin më të përqendruara në Lindjen e Mesme, është zhvendosur këtu. Vitet e fundit, këto grupe xhihadiste janë përhapur veçanërisht në rajonin e Liqenit të Çadit dhe në Sahel".

Nigeria dhe Burkina Faso

Kriza e Burkina Fasos është emblematike në këtë rajon. “Vetëm dhjetë vjet më parë, në Indeksin Global të Terrorizmit, Burkina Faso nuk bënte pjesë as në 100 pozicionet e fundit, ndërsa në vitin 2024 është në vendin e parë në këtë renditje dhe vitin e kaluar, 67% e viktimave të sulmeve terroriste jetonin pikërisht në Burkina Faso”, deklaron Petrosillo. Të krishterët e këtij vendi vuajnë, sepse janë pakicë, përbëjnë më pak se 25% të popullsisë e tani, janë vënë veçanërisht në shënjestër. “Një vend tjetër kritik është sigurisht Nigeria: rreth 15 vjet më parë filloi veprimtaria gjithnjë e më brutale e Boko Haramit, në veri të vendit me shumicë islamike, por në 6-7 vitet e fundit fenomeni i sulmeve është keqësuar edhe nga barinjtë Fulani, që veprojnë kryesisht në shtetet qendrore dhe po shtrihen edhe në jug”. Petrosillo përmend dhunën në provincën e Cabo Delgado, në Mozambikun verior, si edhe pasojat katastrofike të konfliktit në Sudan. "Kufijtë porozë ndërmjet vendeve po lejojnë shtrirjen e veprimit të lëvizjeve xhihadiste", pohon përfaqësuesja e Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, duke përmendur situatat e vështira në Niger, në Mali dhe në Republikën Demokratike të Kongos.

Situata në Siri

Më pas, Petrosillo vazhdon të analizojë vuajtjet e të krishterëve në Lindjen e Mesme. Duke filluar nga Siria, pas përfundimit të epokës së presidentit Asad. “Në disa raste ka një optimizëm të kujdesshëm, ka pasur takime ndërmjet udhëheqjes së re dhe ipeshkvijve vendas – shpjegon ajo. – Megjithatë, ekziston frika që paqëndrueshmëria të çojë në kufizimin e lirive të të krishterëve”, siç tregon përvoja e së kaluarës së afërt. “Siria është vend, që vjen nga lufta shumëvjeçare, me popullsi të krishterë tejet të munduar: nëse në vitin 2012 kishte një milion e gjysmë të krishterë, sot ka vetëm 250.000; në Haleb - dikur bastion i krishterimit - bashkësia është reduktuar nga 200-250.000 të krishterë në vetëm 30.000".

Të krishterët e Gazës

Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” qëndron krah të krishterëve në gjithë Lindjen e Mesme: nga ata, që u kthyen në Pllajën e Ninives, pas periudhës së errët të pushtimit të Isisit - Shtetit Islamik, deri te bashkësitë e martirizuara të Palestinës dhe Libanit. “Shumica e fondeve, gjatë muajve të fundit, kanë shkuar për Rripin e Gazës, ku jetojnë rreth një mijë të krishterë, shumë prej të cilëve të strehuar në famullinë katolike të Familjes Shenjte dhe në Kishën Ortodokse Greke”, nënvizon Petrosillo. Në Jerusalemin Lindor dhe në Palestinë po ndihet veçanërisht kriza ekonomike "e keqësuar nga lufta dhe nga rënia e të ardhurave të turizmit". Përsa i përket Libanit, "i cili së bashku me Jordaninë ishte një nga dy pikat më të qëndrueshme të rajonit dhe qendër e rëndësishme për ndihmën e vendeve në vështirësi, si Siria dhe Iraku", Petrosillo thekson se shkallëzimi i konfliktit "e ka shndërruar krizën e rëndë politike dhe ekonomike në emergjencë të vërtetë”.

Pakistani, ligji i blasfemisë

Duke e zgjeruar vështrimin në pjesën tjetër të botës, drejtoresha e raportit për lirinë fetare nuk harron të krishterët në Pakistan. “Ligji për blasfeminë vazhdon të jetë problem dhe ka ende dënime me vdekje”, thekson Petrosillo, duke përmendur rastin e dënimit me vdekje të Shagufta Kiran, një grua e krishterë pakistaneze 40-vjeçare. “Një nga pasojat, që shqetëson më shumë, janë incidentet pas akuzave për blasfemi. Autorët e dyshuar linçohen dhe lagje të tëra shkatërrohen, si në rastin e Sargodha-s majin e kaluar”. “Problemi tjetër, që e mundon bashkësinë e krishterë ka të bëjë me rrëmbimet, kthimet me forcë në fe tjetër dhe martesat e detyruara të grave, në shumë raste, adoleshente. Fatkeqësisht, kjo është plagë, fenomen që nuk ndalet, ndërsa familjet e viktimave lihen shpesh vetëm e janë të pafuqishme para një sistemi gjyqësor, që nuk siguron drejtësi”. “Edhe në Indi – shton Petrosillo – ka sulme të shumta kundër të krishterëve nga ekstremistët hinduistë; gjithnjë në Azi, na shqetëson shtypja e lirisë fetare për bashkësitë e krishtera nën regjime autoritare, si Koreja e Veriut”.

Amerika Latine

Së fundi, Amerika Latine, karakterizuar nga dhuna kundër meshtarëve e rregulltarëve - në Meksikë, për shkak të kriminalitetit të përhapur, ndërsa në Nikaragua, për shkak të "shkallëzimit negativ", dëshmuar nga mbyllja e shumë organizatave joqeveritare dhe e subjekteve të lidhura me Kishën Katolike.

 

23 dhjetor 2024, 12:05