Mё 18 dhjetor kalendari kujton Malakinё, profet
R.SH. - Vatikan
Kalendari kishtar më 18 dhjetor përkujton Malakinë, Profet. Libri i Malakisë, nё Bibёl, mbyll serinë e profetëve të Besëlidhjes së Vjetër. Simbolike versetet e fundit, që flasin për një lajmëtar të Zotit, të dërguar për të rivendosur marrëdhëniet e drejta ndërmjet Zotit e popullit të vet. Është profeci mesianike, që lind nga zemra e historisë së Izraelit e nuk kufizohet ndër rrethanat, në të cilat lindi.
Malakia jetoi e profetizoi disa dhjetëvjeçarë pas ngritjes të tempullit, që u krye së ndërtuari në vitin 520 para Krishtit, pas kthimit të izraelitëve nga mërgimi. Në këtë kohë kishin profetizuar e kishin bërë ftesë për të shikuar përpara profetët Agjeu e Zakaria. Por shpesh të krijohet përshtypja se rindërtimit të ritit templar i mungon shpirti: kremtimi i dashurisë së Zotit, që vepron në histori.
Zëri i Malakisë ngrihet për të denoncuar shpërfilljen dhe kujdesin thjeshtë për anët e jashtme, largimin nga Hyji e padrejtësinë. Profeti shenjt e kërkon rrugëzgjidhjen në përgatitjen shpirtërore për takimin me Zotin, mesazh ky që tingëllon tepër aktual në Kohën e Ardhjes. Kujtojmë se Shën Malakia është i fundmi i profetëve të vegjël të Biblës, të cilët hebrenjtë, pikërisht për këtë arsye, i quajnë “Vula e profetëve”. Shumë pak dihet për jetën e tij.
Dihet me siguri vetëm se ishte nga fisi i Zabulonit, se lindi në Sofa e se jetoi pas mërgimit babilonez (538 para Krishtit), gjatë pushtimit persian. Megjithatë nuk mund të përcaktohet me siguri në se profecitë e tij janë bërë para, njëkohësisht apo pas kthimit të Ezdrës në Palestinë. Kujtojmë se Ezdra qe prift hebre, kodifikues i judaizmit në shekujt V-IV para Krishtit. Duke u nisur nga fakti se në librat e Besëlidhjes së Vjetër, shkruar nga Ezdra e Nehemia nuk flitet për Malakinë, mund të arrijmë në përfundim se ai jetoi pas tyre, ndoshta ndërmjet viteve 519 e 425 para Krishtit.
Libri i Malakisë trajton probleme morale, që lidhen me bashkësinë hebraike, kthyer nga internimi në Babiloni, të cilën e qorton rëndë për ankimet kundër Provanisë Hyjnore dhe e nxit të pendohet. Ai vë në dukje në mënyrë të posaçme ‘zgjedhjen e Izraelit’, gjë që nuk është thjeshtë privilegj nga ana e Hyjit, por përfshin edhe detyrime, si çdo dhuratë hyjnore.
Prandaj profeti qorton priftërinjtë që e lënë pas dore dhe e fyejnë dinjitetin e Jahveh, duke mos i kryer si duhet shërbimet e kultit. Vijon, më pas, të dënojë martesat e përziera, në sa mbron pazgjidhshmërinë e lidhjes martesore. Libri mbyllet me një vegim eskatologjik, që kujton mbarimin e jetës tokësore, fundin e botës e ardhjen e lajmëtarit të Hyjit, që do të përzgjedhë të mirët në gjirin e popullit të vet; në këtë profeci mund të shëmbëllejmë ardhjen e Gjon Pagëzuesit.