Më 12 dhjetor Kisha kremton festën e Zojës së Guadalupes
R.SH. - Vatikan
Më 12 dhjetor, kalendari kishtar kujton festën e Zojës së Bekuar të Guadalupës.
Zoja Mari na mirëpret dhe na mbron, na ruan udhës tonë dhe na çon te Zoti .Ajo është fytyra femërore e një besimi që shëron plagët, ngushëllon, na mbledh dhe na orienton drejt shpresës së vërtetë. Sot ky mesazh vazhdon të rezonojë në Qytetin e Meksikos dhe në të gjithë Amerikën Latine falë edhe Zojës së Guadalupes, historia e së cilës na flet për një mision të pamundur, të arritur me forcën e vetme të dashurisë dhe fesë në Zotin.
Zoja e Bekuar e Guadalupës kremtohet më 12 dhjetor, për të përkujtuar ditën kur iu duk, në kodrën e Tepejakut, pranë Qytetit të Meksikos, Juan Diego Kuauhlatoacinit, aztek i kthyer në fenë katolike. Dukjet u përsëritën nga 9 deri më 12 dhjetor të vitit 1531. Emrin Guadalupe besohet se ia tha Juan Diegos vetë Maria; e besohet edhe se Gudalupe në spanjisht, Coatlaxopeuh në gjuhën azteke, do të thotë “Ajo që i shtyp kokën gjarprit (cfr. Libri i Zanafillës 3, 14-15).
Zoja e Guadalupes është simbol fetar, por edhe kulturor shumë i rëndësishëm për të gjithë meksikanët, madje për të gjithë banorët e Kontinentit të pafundëm Amerikan. Mbi kodrën, ku u duk Zoja, u ngrit menjëherë një kapelë, që u zëvendësua, në vitin 1557, me një Kishë të vogël, zmadhuar në vitin 1622. E më në fund, në vitin 1976 u përfundua e u shugurua Bazilika e sotme e Zojës së Guadalupes. Në Bazilikë ruhet manteli i Huan Diegos, mbi të cilin u duk figura e Marisë, me pamjen e një vashe indiane lëkurëzeshkët. Në vitin 1921 dikush i vuri dinamitin figurës, për ta shkatërruar mantelin, por Zoja zeshkane mbeti e paprekur.
Dukja e Zojës së Guadalupes, që nderohet nga katolikët si Pajtore qiellore dhe Mbretëreshë e Kontinentit amerikan, është pranuar nga Kisha katolike dhe Juan Diego është shpallur shenjt nga Papa Shën Gjon Pali II më 31 korrik 2002. Është simbol i kombit meksikan, që nga lufta meksikane për pavarësi. Ushtritë e Miguel Hidalgos dhe të Emiliano Zapatës luftuan nën flamurin e Nuestra Señora de Guadalupe. Romancieri i njohur meksikan Karlos Fuentes shkruan: “... ju mund të mos quheni i krishterë, në se nuk besoni në krishterim, por as meksikan, nëse nuk besoni në Zojën e Guadalupes”.
Festa e Zojës së Guadalupes kremtohet më 12 dhjetor, e Ajo kremtohet si “pedagogia” e fesë, “pedagogia” e inkulturimit të fesë së krishterë në zemrën e popujve të Amerikës Latine, si Ylli i ungjillëzimit të ri. Zoja i ndihmon njerëzit e këtij kontinenti, që e besojnë me fe, por edhe e dëshmojnë përmes përvojës historike e personale, për të realizuar jetën dhe besojnë plotësisht se Krishti arrihet përmes Marisë. Prandaj festa e 12 dhjetorit u kujton latinoamerikanëve ftesën ta rijetojnë, ta aktualizojnë sërish vetëdijen e së vërtetës, të dinjitetit, të arsyes e të bukurisë së qenies të krishterë.
Në heshtje, me fjalët e një himni liturgjik të mrekullueshëm, t’i kthejmë sytë kah Maria e t’i themi:
S’due tjetër, veç me të pa,
Mari!
Me sy të hapun kah ti,
si botë e mbyllun në vetvete...
Mjafton Ty me të kundrue
e me zbrazë heshtas
në zemrën tande,
zemrën e mbushun plot.
E Ti flladin e ballit
aspak mos e trazo.
Vetëm përkunde lehtë
vetminë time të dhunueme,
varun mes jetës e vdekjes...
Në sytë e tu,
o Nanë e dashunueme,
shoh një copë jete
shtangun në kujtesë;
e orët, shoh, që nxitojnë,
e njerëzit që i kafshon
lëtyra e jetës e e vdekjes...
Mjafton me të pa, o Nanë,
me t’kundrue veç një çast
me zemër në zemrën tande,
Në pastrinë tande
të bardhë porsi zambaku,
e me pa Dritën
që rri pezull mbi ne!
(Himn i lashtë liturgjik, përkthyer lirisht)