Kërko

Shën Luçia Shën Luçia

Më 13 dhjetor kalendari kujton Shën Luçinë, virgjër e martire

Luçia është shenjtore guximtare e besnike ndaj besojmës së saj në Krishtin Zot e Shëlbues, me një jetë të ndritur e tragjike, që frymëzoi faqe të tëra të hagjiografisë së lashtë, të cilat lexohen me një frymë, si roman. Luçia jetoi në fillim të shekullit IV të epokës së krishterë, në Sirakuzë të Italisë.

R.SH. - Vatikan

Me 13 dhjetor, Kisha katolike kremton festën e Shën Luçisë, Shenjtore guximtare dhe besnike ndaj besojmës së saj, me një jetë të ndritur e tragjike, që frymëzoi faqe të tëra të hagjiografisë së lashtë, të cilat lexohen me një frymë, si roman. Shën Luçia nderohet shumë kudo në botë. Emri i saj, që në shqip përkthehet Dritë, është mjaft i përhapur edhe ndër shqiptarë. 

Shën Luçia, ёshtё Pajtore qiellore e dritës së syve. Besimtarët shqiptarë i kanë ngritur që kur një katedrale në qytetin bregdetar të Durrësit. E pikërisht në këtë katedrale kremtohet çdo vit, me përkushtim të veçantë, festa e Pajtores.

Luçia jetoi në fillim të shekullit IV të epokës së krishterë, në Sirakuzë. Ngjarja që shënoi kthesën e madhe në jetën e saj ishte shtegtimi së bashku me nënën e sëmurë në Katania të Italisë, për të marrë pjesë në përkujtimin e martirizimit të Shën Ages. U gjunjëzuan së bashku mbi varrin e martires dhe u lutën për shërimin e të sëmurës.

Luçia ra në një dremitje të thellë. Iu duk, si në ëndërr, Agia virgjër e i tha: "Luçí, motra ime, pse ma kërkon mua, atë që e ke fituar vetë? Ja, për hir të fesë sate, jot ëmë është shëruar. Ashtu si Krishti lumnoi nëpërmjet meje qytetin e Katanies, ashtu do të lumnojë nëpër ty qytetin e Sirakuzës, sepse me virgjërinë tënde i ke përgatitur një banesë të këndshme Zotit”.

Kur vajza u zgjua nga gjumi, mrekullia ishte kryer. E ajo vendosi t'ia kushtonte gjithë jetën Zotit!Shën Luçia, Pajtore e njerëzve që vuajnë nga sëmundjet e syve, u martirizua njëmijë e shtatëqind vjet më parë, gjatë persekutimeve të Dioklecianit.

13 dhjetor 2024, 11:31