Imzot Pjetër Bogdani, kryeipeshkëv, teolog e atdhetar Imzot Pjetër Bogdani, kryeipeshkëv, teolog e atdhetar

Me 6 dhjetor 1689 ndërroi jetë imzot Pjetër Bogdani

Ipeshkvi, teologu e atdhetari shqiptar, imzot Pjetër Bogdani, figurë e ndritur e letërsisë së vjetër shqiptare, konsiderohet si kultivues e ndriçues i ndërgjegjes shqiptare dhe pararendës i hershëm i lëvizjes së rilindjes kombëtare

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik kujtojmë se si sot, më 6 dhjetor 1689 ndërroi jetë në Prishtinë nga epidemia e murtajës imzot Pjetër Bogdani, personalitet i shquar i Kishës, kombit dhe kulturës shqiptare, teolog e filozof shqiptar, nga Hasi (Krahinë e lashtë), që shtrihet në Shqipëri dhe Kosovë.

Imzot Pjetër Bogdani teolog i njohur shqiptar

Ipeshkvi i madh shqiptar imzot Pjetër Bogdani vlerësohet si teologu më i njohur shqiptar dhe figura më e ndritur e letërsisë së vjetër shqiptare. Imzot Pjetër Bogdani shquhet jo vetëm si meshtar e ipeshkëv i madh, pra si bari shpirtëror por edhe si atdhetar, dijetar e letrar që dha kontribut të çmueshëm në përpjekje për çlirimin e popullit dhe vendit nga zgjedha osmane si dhe për zhvillimin e përparimin e kulturës së shqiptarëve.

Veprimtaria  kishtare e atdhetare 

Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme kishtare, pra ungjillëzuese dhe atë atdhetare e politike 40 vjeçare, sidomos me rolin që luajti si formues i ndërgjegjes së shqiptarëve, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me kryeveprën e tij teologjike “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të At Justin Rrotës “Çeta e profetëve", ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdani konsiderohet si kultivues e ndriçues i ndërgjegjes shqiptare dhe pararendës i hershëm i lëvizjes së rilindjes kombëtare.

Imzot Pjetër Bogdani (lindi rreth 1625 në Has - vdiq më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë) pas një kohe veprimtarie e apostulli si meshtar, emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit. 1663–1664: Njihet dhe i bën shërbime Kardinal Barbarigos, i cili në atë kohë jetonte e punonte në Romë. Më 1675 e shkruan librin ‘Çeta e profetëve’ dhe ia paraqet Kongregatës së Vatikanit Propaganda Fidae për botim. Rekomandimi i Propagandës ishte të përkthejë librin. Fillon përkthimin e librit.

Në vitin 1677 emërtohet kryeipeshkëv i Shkupit në vend të të ungjit, imzot Andrea Bogdanit. Lufta turko–austriake fillon më 1683. Në dhjetor të atij viti vdes Imzot Andrea Bogdani. Pjetër Bogdani arratiset në male me ç'rast e humb librin e Gramatikës latinisht–shqip të punuar nga Adreu. Strehohet në Ciprovac dhe në Dubrovnik. Në pjesën e parë të vitit 1685 shkon në Venedik e në Padovë. E merr me vete librin e përgatitur për botim. Libri ‘Cuneus Prophetarum’ botohet në fund të vitit në Padovë te Barbarigo.

Një tjetër element i rëndësishëm i veprimtarisë së Imzot Pjetër Bogdanit është se ai njoftoi rregullisht Selinë e Shenjtë të Romës dhe botën mbi gjendjen njerëzore, pra shoqërore, ekonomike, si dhe atë shpirtërore të shqiptarëve në atë kohë, përmes Relacioneve të detajuara, dërguar Papës e organeve Kishtare të Romës nga Shkupi e vendet tjera, si për shembull: “Mbi gjendjen shpirtërore e shoqërore të mbretërisë së Shqipërisë e Serbisë 1687–1688” (“Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania e Servia”).

Misioni shpirtëror e antiturk

Krahas misionit shpirtëror, atij ungjillor, imzot Pjetër Bogdani, punoi edhe për kultivimin e identetitetit. Merret aktivisht me organizimin e rezistencës antiturke dhe u bën vizita të gjitha bashkësie kishtare në vende të Kryeipeshkëvisë së vet. Në vitin 1689 depërton ushtria austriake. Në nëntor kjo ushtri arrin në Prishtinë. Imzot Pjetër Bogdani niset me ushtrinë për Prizren, ku i inkuadron edhe 6.000 shqiptarë dhe bashkë me ta arrin atje. Sëmuret nga murtaja. Kthehet në Prishtinë për shërim te mjekët gjermanë, po më kot. Ndërroi jetë më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë ku edhe varroset. Siç njoftonte nipi i tij Gjon Bogdani, menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit e nxjerrin nga varri trupin e tij.

06 dhjetor 2024, 10:14