Assisi basilica inferiore cappella san martino restauro s. Ambrogio, foto Sala Stampa Sacro Convento s. Ambrogio Assisi basilica inferiore cappella san martino restauro s. Ambrogio, foto Sala Stampa Sacro Convento s. Ambrogio

Më 7 dhjetor, kalendari kujton Shën Ambrozin, ipeshkëv

Shën Ambrozi qe një Gjon tjetër. Ipeshkvi i famshëm, që i priu në fe Milanos së shekullit IV, njeri i ligjit e funksionar civil - u zgjodh njëzëri si nxënës i dashur nga Jezusi. Ashtu si Shën Gjoni Apostull, qe i aftë ta thithte drejtpërdrejtë nga Zemra e Mësuesit thelbin e mesazhit të tij të dashurisë e të bëhej jo vetëm mësues i fesë, por edhe, e sidomos, dëshmitar i dashurisë së krishterë.

R.SH. - Vatikan

Më 7 dhjetor kalendari kishtar përkujton Shën Ambrozin, ipeshkëv e dijetar i Kishës, politikan ende i papagëzuar u zgjodhë ipeshkëv nga populli.

I jashtëzakonshëm fati i Ambrozit, i cili u emërua ipeshkëv para se të pagëzohej. I lindur në vitin 339 në Treviri, qytet i Galisë, Ambrozi ndoqi familjen e tij në Romë, ku kreu studimet në retorikë.  Si u bë avokat e më pas prokuror, rreth vitit 370 u emërua qeveritar i Liguries dhe Emilies në Itali. Më pas u transferua përfundimisht në Milano.  Këtu, ndërsa merrte pjesë në zgjedhjen e ipeshkvit të ri të qytetit, duke u përpjekur të zgjidhë mosmarrëveshjet që kishin lindur në bashkësinë e krishterë ndërmjet arianëve e katolikëve, mbajti një fjalim aq të fuqishëm e aq të përshpirtshëm, sa u vendos menjëherë të zgjidhej ai vetë ipeshkëv.

Në fillim nuk pranoi, por më pas, nën udhëheqjen shpirtërore të meshtarit Simpliçiani, u përgatit për pagëzim. Në të vërtetë kishte vendosur prej kohe të bëhej i krishterë, sepse tek krishterimi kishte gjetur të vërtetën dhe qëllimin e vetë jetës së tij. Ia dhuroi të gjitha pasuritë Kishës dhe bëri kushtin e virgjërisë. Me shembullin e shkëlqyer të jetës e me fjalën e tij të frymëzuar, ktheu në fenë e krishterë shumë njerëz, ndërmjet të cilëve, edhe Shën Augustinin.

Ai që thoshte: “Ku është Pjetri, atje është Kisha”, vdiq më 4 prill të vitit 397 e u varros në bazilikën që mban emrin e tij, në Milano, qytet i cili e zgjodhi Pajtor qiellor, së bashku me Shën Karl Borromeun. Konsiderohet si atë i liturgjisë ambroziane, që përdoret nga Kisha e Milanos. Me jetën dhe veprat e shumta liturgjike, komentarët mbi Shkrimin Shenjt e shkrimet me karakter asketiko-moral, ai mbetet simbol i lirisë e i pajtimit.

Ambrozi qe një Shën Gjon tjetër. Ipeshkvi i famshëm, që i priu në fe Milanos së shekullit IV, njeri i ligjit e funksionar civil - u zgjodh njëzëri si nxënës i dashur nga Jezusi. Ashtu si Shën Gjoni Apostull, qe i aftë ta thithte drejtpërdrejtë nga Zemra e Mësuesit Hyjnor, Jezu Krishti, thelbin e mesazhit të tij të dashurisë e të bëhej jo vetëm mësues i fesë, por edhe, e sidomos, dëshmitar i dashurisë së krishterë.

Shën Ambrozi është figurë e një dëshmitari të vërtetë të Zotit. E kur flasim për Shën Ambrozin, duhet thënë se ipeshkvi shenjt pati meritën ta kthente zemrën e Shën Agostinit në rrugën e Zotit, jo vetëm falë përshpirtërisë, por kryesisht falë shembullit të tij. Agostini u prek thellë kryesisht nga radha e gjatë e njerëzve që kërkonin çdo ditë të flisnin me Ambrozin ipeshkëv, sepse ai u jepte ngushëllim e këshilla të urta për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Duke u frymëzuar nga shërbimi që kryente Ambrozi, Agostini  e kuptoi menjëherë se katekizmi është i pandarë nga dëshmimi i tij në jetë. E këtë mësim duhet ta kenë të qartë edhe katekistët e sotëm sepse, kush edukon të tjerët në fe, nuk mund të rrezikojë të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë sepse këtë ia kërkon zanati. Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për Origjenin, shkrimtar tepër i pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që mbështet kokën mbi zemrën e Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të veprojë. Në fund të fundit mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton Ungjillin në mënyrë të besueshme e të frytshme.

Për Agostinin e ri, ende në kërkim të Zotit, fryti i kumtimit të krishterë u shfaq me një dukje të dyfishtë: personale e komunitare. Dëshminë personale e pa me sytë e vet tek ipeshkvi i asokohshëm i Milanos, Ambrozi. Agostini, ipeshkvi i ardhshëm i Iponës mbeti pa mend, kur e pa Ambrozin duke e lexuar Shkrimin Shenjt, Biblën me gojë mbyllur, vetëm me sy.

Një lexim i tillë i binte ndesh dokeve e traditës së kohës, sipas të cilave Bibla duhej lexuar me zë të lartë edhe personalisht. Nga kjo mënyrë e leximit të Shkrimit Shenjt, Agostini fitoi aftësinë për t’u familjarizuar me Biblën. Në këtë lexim me lëvizje të pandjeshme të buzëve, përmes të cilit zemra përpiqet të arrijë urtinë e Fjalës së Hyjit, mund të shihet qartë metoda e katekizmit ambrozian: është vetë Shkrimi Shenjt, i përvetësuar në thellësi të shpirtit, që të mëson çka duhet të kumtosh për t’u prirë zemrave në rrugën drejt Zotit.

Tek figura e Shën Ambrozit që mbeti në kujtesën e besimtarëve si ikonë patristike, përmes së cilës duket qartë “zemra e doktrinës ambroziane”, kemi edhe një ikonë tjetër që është dëshmia e fesë, që Shën Agostini e pa tek besimtarët e kohës së shën Ambrozit, sapo arriti në Milano. Ajo që e tundi zemrën e rektorit të ri afrikan,  Agostinit dyshimtar e të dëshpëruar, e që e bëri të pendohej përfundimisht, nuk qenë homelitë e bukura të Ambrozit, ndonëse i vlerësonte shumë. Qe dëshmia e ipeshkvit dhe e Kishës së tij milaneze, që lutej e këndonte, e bashkuar si një trup i vetëm.

E në përfundim po kujtojmë fjalët e një prej lutjeve të thella të Shën Ambrozit kushtuar Krishtit: “Në se dëshiron të mjekosh një plagët, Ai është mjeku; në se digjesh nga etja e kërkon një pikë ujë, Ai është burimi; në se ke nevojë për ndihmë, është Ai forca; në se dëshiron qiellin, Ai është udha”. “Të Shpresojmë edhe ne në Krishtin. Do të jemi kështu të lum e do të jetojmë në paqe!”

07 dhjetor 2024, 09:58