Papa: O Virgjëra Mari, plot me dashuri për bijtë e Tu

O Virgjëra Mari, /në këtë ditë feste për të Zënët tënd pa mëkat,/vij e të paraqes nderimin e fesë e të dashurisë/të popullit shenjt të Zotit, Vij tek Ti, në emër të njerëzimit/ Nën mantelin tënd ka vend për të gjithë,/sepse ti je Nënë e Mëshirës./Zemra jote është plot me dashuri për bijtë e Tu:/me dashurinë e Zotit, që në Ty u mishërua/e u bë vëllai ynë, Jezusi,/Shëlbuesi i çdo burri e çdo gruaje...

R.SH. / Vatikan

Lutja e Papës Françesku drejtuar Zojës së Papërlyer, në Sheshin e Spanjës, në Romë, më 8 dhjetor 2015.

O Virgjëra Mari, 

në këtë ditë feste për të Zënët tënd pa mëkat,

vij e të paraqes nderimin e fesë e të dashurisë

të popullit shenjt të Zotit, që jeton në këtë qytet e në këtë dioqezë.

Vij tek Ti, në emër të familjeve, me gëzimet e mundimet;

të fëmijëve e të rinjve, që i hapin udhën jetës,

të pleqve, ngarkuar me barrën e viteve e të përvojës:

e, në mënyrë të posaçme, vij tek Ti

nga ana e të sëmurëve, të  burgosurve,

njerëzve të lodhur e të këputur nga udha.

Si bari, vij edhe në emër të atyre

që erdhën nga toka të largëta

në kërkim të paqes e të punës.

 

Nën mantelin tënd ka vend për të gjithë,

sepse ti je Nënë e Mëshirës.

Zemra jote është plot me dashuri për bijtë e Tu:

me dashurinë e Zotit, që në Ty u mishërua

e u bë vëllai ynë, Jezusi,

Shëlbuesi i çdo burri e çdo gruaje.

Duke të parë Ty, Nëna jonë e Panjollë,

pranojmë fitoren e Mëshirës Hyjnore

mbi mëkatin e mbi të gjitha pasojat e tij;

e rindizet në shpirtin tonë shpresa për një jetë më të mirë,

të lirë nga skllavëria, nga mllefet, nga frika.

 

Sot, këtu, në zemër të Romës, e dëgjojmë zërin tënd amtar,

që na fton të gjithë të vihemi për udhë

drejt asaj Porte, që përfaqëson Krishtin.

Ti u thua të gjithëve: “Ejani, afrojuni besimplotë:

hyni e merrni dhuratën e Mëshirës:

mos kini frikë, as turp mos kini!

Ati ju pret krahëhapur

Për t’ju dhënë faljen e Tij e për t’ju pritur në shtëpinë e tij.

Ejani të gjithë në gurrën e paqes e të gëzimit.

 

Të falënderojmë, o Nënë e Papërlyer,

sepse në këtë udhë pajtimi

ti nuk na lë të ecim vetëm, na shoqëron,

na rri pranë e na mbështet në vështirësi,

Qofsh e bekuar, sot e përgjithmonë. Amen!

08 dhjetor 2024, 16:37