Shën Nikolla. Të kujdesesh për të tjerët, kjo është dhurata më e madhe
R.SH. / Vatikan
Me 6 dhjetor kalendar kujton Shën Nikollin, ipeshkëv i në shekullit IV, një ndër shenjtorët e dëshmitarët e Krishtit më të nderuar nga besimtarët e krishterë si dhe nga shqiptarët, të të gjitha krahinave e madje edhe të besimit islam.
Shën Nikolla është mbrojtësi i të dobëtëve dhe të fundit të shoqërisë. Me jetën dhe dëshminë e tij na mëson dhurata më e madhe që mund t'u ofrojmë të tjerëve, sidomos më nevojtarëve, është shpresa, rrënja e së ardhmes. Të japësh shpresë, kjo është puna më e madhe që të krishterët mund të bëjnë për njerëzimin, sepse shpresa është motori më i madh i ndryshimit, është rrënja e së ardhmes dhe burim gëzimi, i gëzimit të vërtet që na ofron Jezu Krishti, Zot e Shëlbues.
E festa e shën Nikollës është dita më e përshtatshme për ta kuptuar këtë dhuratë të madhe që Ungjilli i sjell botës. Ky dëshmitar i lashtë i fesë së krishterë, në të cilin tradita gjen arketipin e Santa Claus, me dëshminë e tij na kujton urgjencën e bamirësisë dhe të dashurisë autentike ndaj motrave e vëllezërve që gjenden në varfëri.
Shën Nikolla i Barit (ose i Mirës) lindi midis viteve 250 dhe 260 p.K. në Patara, në Liçie, në Azinë e Vogël (Turqia e sotme), e pastaj qe zgjedhur ipeshkëv i Mirës, në udhëheqje të komunitetit të krishterë, po në Liçie, ndërsa kishte shpërthyer persekutimi kundër të krishterëve. Sipas traditës, Nikolla përjetoi edhe burgim për shkak të fesë të tij në Krishtin, megjithëse nuk është e qartë nëse kjo ka ndodhur para Ediktit të Kostandinit në 313, apo më pas, në kuadrin e një persekutimi të nisur në Lindje nga perandori romak Licinius.
Nikolla ka mundësi të ketë qenë ndër pjesëmarrësit e Koncilit Kishtar të Nikesë në vitin 325 dhe angazhimi i tij për të mbrojtur fenë e vërtetë shoqërohej gjithmonë me atë në favor të më të varfërve dhe më të vegjëlve. Episodi më i famshëm i rrëfyer nga tradita është dhurata e Nikollës me një pajë për dy vajza të reja, bija të një burri të pasur që kishte humbur gjithçka e gjendej në vështirësi, të cilat kështu mundën të martoheshin. Nikolla vdiq rreth vitit 335 dhe në vitin 1087 reliket e tij u sollën nga qyteti i Mirës, në Turqi, në Bari të Italisë, mbrojtës qiellor i të cilit është shenjti.
Lutja e moçme e Shën Kollit
Sa hyqmet e mrekulli
që ka ba Shejti Shën Kollë,
difton qiella me lumni
tanë dylnjaja s’pranë tue folë.
Barkaxhia tue vozitë,
derdimendi që lypë bukë,
kangë e lavd s’rrinë pa qitë,
si shtektari që ban rrugë.
Si zenjin, si fukara,
në pastë marrë ndoj e ligë e randë,
fill te i Lumi pa ia da
në uj t’Shën Nkollit gjen derman.
Qysh se leu ky fmi n’dylnja
kje si ylli që shkëlqen,
që po i duken punt e mdha,
gjindja mbushen me gazmend.
Ai kje i pastër si biluri,
i dha korpit t’madh ezgjet:
as n’e prende as n’e merkur
gji nuk merrte prej nans vet.
Tue u rritë me shumë urti
shpejt e njiten prindja n’shkollë
e nji t’madhe mrekulli
hin me e ba Shejti Shën Kollë.
Kur prej shkolls kthente n’shpi,
hasë një gru që ish tue dekë
e ky djalë plot me dashni
tue i ba kryq e shndosh me vrep.
Adeodati djalë dishirit
kje grabitë e çu n’gurbet
e i Shën Nkolli prej misirit
për hava e çon n’shpi t’vet.
Tri kuleta tuj i dërgue
për tri vajza t’mbetun shkretë
prej dritaret shkon me ia lshue,
erz e shpirtin n’selamet.
Tre fmi t’mbytun prej katilit,
shti në shekë copë e grim,
shohin prap dritën e diellit,
i ngjallë Shën Kolli me i bekim.
Fushë e male, tokë e det,
ajër zjerm e diell e hanë,
sa Shën Kolli s’kenka i nxeht;
për gjithkend diftojn taman.
Dridhet ferri prej idhnimit
kur Shën Kolli del n’mejdan.
ik armiku prej trishtimit
kur i kshteni thotë “Aman”.
Për nji t’madhe porosi,
o Shën Koll, nji t’madhe nder:
na e ban t’gjithve si dhunti
n’doren tande t’jem përherë.
T’bijt e Zojs t’kongregacionit,
me gjithë zemër tuj u dasht,
t’i mbajm veprat e devocionit,
turp e marre, fjalë pa drashtë.
Ban që shpirtit t’i bajm rrëfimin,
me ndigjesë e përvujtllek,
shpesh tuj e marrun na kungimin,
sikur t’gjithve na përket.
E n’at ditë që t’jet shenue
prej kso jete na me u hjek,
n’dorën tande kjoshim lshue,
ku gjithmonë na kjeme pshtetë.
O i Shën Kollë plot me dashni
Shpirtnat tonë ti na i kujto.
Prap po t’bajm ket porosi:
ti n’at jetë t’gjith na shëlbo.
Ashtu kjoftë.