Tutti i santi Tutti i santi

Shenjtorët e javës 1 - 8 dhjetor

Më 1 dhjetor, Kisha fillon Vitin e Ri liturgjik e kremton të Dielën e Parë të Kohës së Ardhjes, ciklit të tretë 'C', sipa kalendarit liturgjik. Nis, kështu, përgatitja shpirtërore për të pritur Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krisht. Gjithnjë më më 1 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Eligjin, ipeshkëv i Lionit dhe shën Naumin, profet.

R.SH. - Vatikan

Më 1 dhjetor, Kisha fillon Vitin e Ri liturgjik e kremton të Dielën e Parë të Kohës së Ardhjes, ciklit të tretë 'C', sipas kalendarit liturgjik. Nis, kështu, përgatitja shpirtërore për të pritur Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krisht. Gjithnjë më 1 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Eligjin, ipeshkëv i Lionit dhe shën Naumin, profet.

Ungjilli i kësaj së diele që na kujtojnë se Jezusi vjen për çdo njeri, për çdo popull: të përgatitemi, prandaj, për ta takuar me gëzim.

Të hënën më 2 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Kromacin e Akuilesë. Jetoi në shekullin IV, mori pjesë në Koncilin e Akuilesë, Italia e sotme verilindore. Aty u shqua për njohuritë e tij teologjike dhe u zgjodh ipeshkëv. Ka lënë shkrime të çmueshme, kryesisht predikime dhe një koment të papërfunduar të Ungjillit sipas Mateut.

Të  martën më 3 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Françesk Saverin. I riu fisnik spanjoll studioi teologji në Sorbonë, ku njohu Injacin e Lojolës, me të cilin ndau thirrjen për të themeluar Shoqërinë e Jezusit. I mbështetur në besimin e tij të kulluar në Krishtin, u nis për Amerikën Jugore dhe e shkriu jetën për kumtimin e ungjillit mes popujve të atjeshëm. Ja çfarë shkruante për fenë: Është i madh dallimi ndërmjet atij që beson në Hyjin kur ka gjithçka që i duhet dhe atij që beson në Hyjin pa pasur asgjë dhe duke hequr dorë nga gjithçka që mund të ketë, për të imituar më mirë Krishtin. Si rrjedhojë, ka shumë dallim ndërmjet atyre që kanë fe, shpresë e besim në Hyjin jashtë rrezikut për vdekje dhe atyre që kanë fe, shpresë e besim në Hyjin, kur, për dashuri ndaj tij e për t’i shërbyer atij, i bëjnë ballë lirisht çdo rreziku vdekjeprurës, kur edhe mund ta shmangin.

Të mërkurën më 4 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Barbaren, martire e shekullit III. Thirret në ndihmë kundër rrufeve dhe zjarrit dhe kjo lidhet me martirizimin e saj. I ati, që ishte pagan (dhe krishterimi ishte fe e jashtëligjshme), kur mori vesh se e bija ishte bërë e krishterë, urdhëroi të gjykohej dhe mori përsipër ta zbatonte vetë dënimin me vrasje, me shpatë. Tradita thotë se, sapo e vrau të bijën, pasi e kishte torturuar për dy ditë me çdo lloj mundimi, e goditi një rrufe. Po në këtë ditë e nderon edhe Kisha Ortodokse.

Të enjten më 5 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Pelinin, ipeshkëv e martir i shekull VII, me origjinë nga Durrësi dhe shën Saba Arkimandrit. Murgu nga Cezarea e Kapadokisë jetoi në Tokën e Shenjtë mes shekullit IV-V dhe iu kushtua me zell e urti ruajtjes së fesë së vërtetë.

Të premten më 6 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Nikollën, ipeshkëv i shenjtë i Mirës (Turqia e sotme), jetoi mes shekulli III-IV. U bë i famshëm që në lashtësi, me anë të mrekullive të shumta, me të cilat u erdhi në ndihmë atyre që kërkuan ndërmjetësimin e tij. Është i njohur në të gjithë botën, edhe jashtë Kishës. Ndër shqiptarë devocioni ndaj shën Kollit është më i përhapuri bashkë me atë ndaj Shën Andout. Është shumë popullor edhe në të gjitha kishat e traditës Ortodokse.

Të shtunën më 7 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Ambrozin, ipeshkëv. Njeri i drejtë, që kërkoi me ngulm drejtësinë dhe asaj i shërbeu si jurist, u zgjodh ipeshkëv i Milanos kundër vullnetit të tij, por, pasi e pranoi këtë shërbesë si vullnetin e Zotit, iu përkushtua plotësisht Ungjillit dhe Kishës. Ja si e kujton zgjedhjen e tij ipeshkvore: “Çfarë qëndrese bëra për të mos u shuguruar! Në fund, pasi e pashë veten të detyruar, kërkova që, të paktën, të ma shtynin shugurimit. Asgjë nuk vlejti kjo kërkesë për një përjashtim. Fitoi detyrimi, që më ngarkuan”. Predikimet e tij mrekulluan Shën Agostinin, të cilin e pagëzoi në fenë e krishterë pas një kërkimi të gjatë shpirtëror. Ai e shoi etjen tek burimi i kulluar i fjalës së Hyjit, prandaj na porosit edhe ne: “Pi, pra, nga të dyja kupat, nga ajo e Besëlidhjes së Re dhe të Vjetër, sepse tek të dyja pi Krishtin. Shkrimi hyjnor pihet, Shkrimi hyjnor gëlltitet, kur lëngu i fjalës së amshuar zbret në venat e mendjes dhe në energjitë e shpirtit”.

Të dielën e ardhshme më 8 dhjetorkëtë vit edhe pse është e diel, Festa e Zotit Jezu Krisht i lë vendin festës së Ngjizjes së Papërlyer të Virgjrës Mari –Zojës së Bekuar. Kisha ka dashur që, gjatë kohës së Ardhjes, liturgjia të bëjë të pranishme mes popullit të krishterë fuqinë, që e ka ruajtur Virgjrën nga mëkati, për të përgatitur tek ajo mishërimin e Birit të Hyjit.

 Kremtojmë, në eukaristi, po atë mister të shëlbimit, që na prek të gjithëve, por dobinë e të cilit Maria e ka njohur e para.

 

01 dhjetor 2024, 10:52