Kampi Al Nuseirat, Gaza Kampi Al Nuseirat, Gaza

Unicef: Gaza është varrezë fëmijësh dhe familjesh

Nga Amani, në Jordani, Edouard Beigbeder, drejtor rajonal i Unicef-it, bën një thirrje të zjarrtë për t'i dhënë fund dhunës kundër civilëve të pambrojtur dhe për të dërguar ndihma humanitare në Rripin e Gazës. “Asnjë fëmijë, që qëndron në radhë për bukë apo strehohet në çadra, nuk duhet të shkelet për vdekje, ose të vritet nga ndonjë sulm ajror”

R.SH. – Vatikan

Pas masakrave të civilëve në Nuseirat dhe Al Mawasi, në Rripin e Gazës, drejtori rajonal i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe për Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder, nga Jordania, u bën një thirrje të fuqishme palëve në konflikt, duke kërkuar "të lehtësojnë shpërndarjen e ndihmave nga organizatat humanitare në të gjithë Gazën, si edhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar civilëve mbrojtjen e kërkuar, në përputhje me detyrimet e tyre, sipas ligjit ndërkombëtar humanitar".

Të vdesësh për një copë bukë

Ka të paktën 50 mijë fëmijë, që vuajnë nga mungesa e ushqimeve në Rripin e Gazës, denoncon Beigbeder në një deklaratë, ku vihet në dukje se qindra mijëra njerëzve u është dashur të ikin nga luftimet. “Normalizimi i vazhdueshëm i këtij tmerri duhet të kthehet në veprim për ta ndaluar atë”, shpjegon ai, duke shtuar se asnjë fëmijë, që qëndron në radhë për një copë bukë, ose strehohet në një tendë të përkohshme, “nuk duhet të shkelet për vdekje, ose të vritet nga ndonjë sulm ajror”.

Një javë gjakderdhjesh

Në një ditë të vetme, u vranë shumë fëmijë në anë të ndryshme të Rripit të Gazës, ndërsa strehoheshin në tenda, ose ishin në radhë të dëshpëruar për bukë, në kuadrin e një krize ushqimore, që përkeqësohet me shpejtësi. Të mërkurën e kaluar, lexohet në deklaratë, një sulm ajror në kampin Nuseirat, në qendër të Gazës, shkaktoi vdekjen e katër fëmijëve pranë një pike për shpërndarjen e ushqimeve. Ishin në radhë kur bombat filluan të binin. Të njëjtin fat pësoi edhe ngulimi spontan i Al Mawasi, ku mbetën të vrarë të paktën 22 vetë, ndërmjet të cilëve tetë fëmijë, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.

Ferri në tokë

“Ditë pas dite, javë pas jave, për gati 14 muaj, Gaza është kthyer në ferr në Tokë”, shkruan drejtori rajonal i UNICEF-it, duke shtuar se zona është bërë varrezë për fëmijët dhe familjet. Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që nga fillimi i luftës, janë vrarë të paktën 43 mijë vetë, ndërsa makina humanitare nuk është më në gjendje të funksionojë si duhet, për shkak të pengesave të vazhdueshme për dërgimin e ndihmave ndërkombëtare. Që këtej, thirrja e UNICEF-it për respektimin urgjent të detyrimeve, që e drejta ndërkombëtare u imponon palëve ndërluftuese.

09 dhjetor 2024, 11:50