Dita e 33-të e Misionarëve Martirë, dëshmitarë të Ungjillit
R.SH. - Vatikan
Me 24 mars bie Dita Botërore e lutjes dhe agjërimit për misionarët martirë, dëshmitarë të Ungjillit, në përvjetorin e vrasjes së imzot Oskar Romeros.
Dag Hammarskjöld, fitues i çmimit Nobel për Paqe në vitin 1961, pothuajse duke parashikuar fundin e tij tragjik, pati shkruan në ditarin e tij: " Nëse godasin në shenjë dhe vrasin, çfarë ka për të qarë? Të tjerët të kanë paraprirë, të tjerët do të ndjekin pas...”. Ka një gjurmë gjaku në historinë e Kishës që rrjedh nga kryqi i Krishtit dhe i kalon shekujt. Por «sanguis martyrum semen christianorum», siç vuri në dukje Tertuliani. Dhe Shën Oscar Arnulfo Romero y Galdámez (1917-1980), duke u ndjerë i kërcënuar, tha: «Un obispo morirá, pero la Iglesia de Dios, que es el pueblo, no perecerá jamás» ("Një ipeshkëv do të vdesë, por Kisha e Zotit, që është populli, nuk do të humbasë kurrë").
Sivjet në Vitin e Jubileut të Shpresës, tema e Ditës së 33-të të Martirëve Misionarë është “Shkoni dhe ftoni”, nga Ungjilli i Mateut (Mt22,9-10) që na shoqëroi gjatë tetorit misionar. Në shëmbëlltyrën e treguar nga Jezusi, në fragmentin e Mateut, flitet për një urdhër që mbreti u dha shërbëtorëve të tij kur të ftuarit nuk erdhen në banketin e dasmës dhe kështu ai vendos të ftojë të gjithë, madje edhe ata që janë në udhëkryq. Në veçanti, dy foljet "shkoni" dhe "ftoni" na kujtojnë se, duke ndjekur shembullin e misionarëve, "misioni është një dalje e palodhshme për të gjithë njerëzimin për ta ftuar në takim dhe bashkim me Zotin. Nga na tij, i palodhur, Zoti, i madh në dashuri dhe i pasur në mëshirë, shkon gjithmonë te çdo njeri për ta thirrur atë në lumturinë e mbretërisë së tij hyjnore".
Dita e Lutjes dhe agjërimit për misionarët martirë, dëshmitarë të Ungjillit të Jezu Krishtit përkon me përvjetorin e vrasjes së kryeipeshkvit katolik të San Salvadorit, imzot Oskar Arnulfo Romero më 24 mars 1980, derisa kremtonte Meshën e Shenjtë. Imzot Romero pat denoncuar me forcë padrejtësitë dhe pabarazinë shoqërore në vendin e tij.
E që nga viti 1993 Kisha Katolike ia kushton këtë ditë misionarëve martirë e kështu sot më 24 mars mediton mbi vlerën e farës së gjakut të martirëve, që dhuruan jetën e tyre për Krishtin dhe për njeriun vëlla, duke flijuar çdo gjë, deri jetën për fe e për dashuri vëllazërore.
Jeta e këtyre martirëve na përket të gjithëve, për këtë arsye, në këtë ditë, që nga viti 1994 Kisha lutët për misionarët që derdhen gjakun për Krishtin dhe na fton të përforcohemi në fenë tonë të krishterë e në misionin tonë të përditshëm të bartjes e dëshmisë së dashurisë së Krishtit në çdo çast e mjedis ku gjendemi, jetojmë dhe veprojmë.
E sot nuk mund të mos kujtojmë këtu, të gjithë misionarët që dhanë jetën në trevat shqiptare e posaçërisht në Shqipëri e në trevat shqiptare, duke vuajtur së bashku me popullin dhunën e persekutimin e periudhave të ndryshme të errëta si në kohën otomane e atë komuniste, por edhe kontributin e shumë prej tyre në përparimin e mbarë kombit dhe ruajtjen e kultivimin e identietit shqiptar.
Misionarët martirë nuk janë larg jetës së përditshme, por thjesht dëgjuan zërat që vinin nga territori i tyre e sfidat e tij dhe dëshmuan aty Krishtin. Sigurisht, nuk është e thjeshtë, por ia dolën mbanë, prandaj edhe ne duhet të dëgjojmë se ç’vjen nga vendi ku jetojmë e të jemi të krishterë gjithmonë, në kishë, por sidomos në jetën e përditshme, jashtë kishës. Duhet t’u japim sfidave e provokimeve që vijnë nga bota, një përgjigje të bazuar në Ungjill.
Misionarët martirë janë « shpresë për botën », që na kujtojnë vlerën e krishterë të martirizimit. Martirizimi i krishterë përligjet vetëm si akti më i lartë i dashurisë për Zotin e për vëllezërit. Martirët dëshmojnë se dashuria e Krishtit është më e fortë se dhuna e se urrejtja. Ata nuk e kërkuan martirizimin, por qenë gati të japin jetën për t’i qëndruar besnikë Ungjillit