Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Finale
Programe Podcast
I Lumi Atë Luigj Palaj, ofrm, martir I Lumi Atë Luigj Palaj, ofrm, martir

Festa liturgjike e të Lumit Atё Luigji Paliq, ofm, martir

I Lumi At Luigj Palaj i vetëdijshëm për rreziqet që i kanoseshin, por e vazhdoi shërbimin e tij në besnikëri ndaj Zotit dhe popullit dhe, përpara se të vritej, konfirmoi gatishmërinë e tij të plotë për të vdekur për Krishtin dhe për Kishën Katolikët e Kosovës e konsideruan Atë një françeskan shembullor gjatë jetës së tij dhe fama e tij si martir u përhap me shpejtësi pas vdekjes së tij. Papa Françesku e njohu martirizimin e tij më 20 qershor 2024 dhe Kisha katolike e Lumnoi më 16 nëntor 2024

R.SH. / Vatikan

Sot me 7 mars kalendari i Kishës katolike përkujton të Lumin Atë Luigj Palaj, françeskan e martir i Kishës katolike në Kosovë.

Historia e martirizimit të të Lumit Atë Luigji Palaj a Paliq, i françeskan e martir,  intelektual dhe largpamës, i dashuruar pas Krishtit dhe popullit tё tij, është një tregues se si njerëzit jo rrallë herë tentojnë të përdorin fenë për të arritur qëllime të tyre njerëzore që me fenë e besimin nuk kanë shumë të bëjnë. Ishte një frat françeskan i dashuruar pas Krishtit e Kishës, gjithashtu i butë, i përvujtë e jetonte në thjeshtësi. Kishte një zell për shpirtrat dhe për popullin e vet pavarësisht se a ishin të krishterë apo myslimanë. Ai ishte një bari i palodhshëm. Ishte inteligjent dhe largpamës. Te çdo person shihte një vëlla në Krishtin. Plot me virtyte siç ishte nuk u kursye për të mbrojtur e ruajtur popullin e vet nga kanosjet dhe shtrëngimet e atyre që donin t’ia kushtëzonin lirinë e besimit.

Atë Luigji lindi në Janjevë të Kosovës më 20 shkurt 1877 nga prindërit Toma dhe Paulina. U pagëzua me emrin Mate si apostulli shën Matia. Dëshmia e krishterë e prindërve të tij e ndihmoi dhe e forcoi në edukimin dhe rritjen e tij në fe, po nga prindërit ushqeu edhe devocionin e thellë për shën Antonin e Padovës. Është falë kësaj ndihmese të prindërve që do të lindë e do të zhvillohet thirrja e tij për të ndjekur Krishtin sipas modelit të shën Françeskut të Asizit, thirrje që ishte paraprirë nga ajo e të vëllait më të madh i cili përpara Mates [Atë Luigji] kishte hyrë në urdhrin françeskan e më vonë si i tillë do të quhet patër Engjëlli.

 Pra Mate, apo Matia, duke e ndier fuqishëm thirrjen për ta ndjekur Krishtin në Urdhrin e Fretërve Minorë, në moshën 17 vjeç, kërkon të pranohet ndër bijtë e shën Françeskut.Fillon noviciatin në Troshan më 23 shtator 1896 e që nga ai moment do të marrë emrin Luigji, pasi e kishte prekur jeta e shën Luigji Gonzagës. Pas përfundimit të studimeve filozofike teologjike dhe pas bërjes së kushteve solemne të jetës rregulltare ndër françeskanë, u shugurua meshtar më 20 prill 1903.

Kthehet në vendlindje, ku do të jetë për një periudhë jo të gjatë në Shkodër si dhe në Baz të Mirditës. Më pas veprimi i tij baritor do të përqendrohet në Pejë dhe në Gllogjan (Rrafshi i Dukagjinit). Në vitin 1907 iu besua edhe përgjegjësia e Shenjtërores së shën Antonit, në Gjakovë, detyrë që e mbajti deri më 1910. Më pas u përqendrua në Pejë, ku ishte famullitar i vëllai, Atë Engjëlli, duke u kujdesur për fshatin e Gllogjanit. Në Gllogjan kryeipeshkvi imzot Lazër Mjedja kishte blerë një terren për ndërtimin e Kishës dhe Atë Luigji u kujdesua, përveç aspektit baritor e shpirtëror të beismtarëve, edhe me atë të mbledhjes së materialeve të ndërtimit për Kishën e re që parashikohej të ndërtohej aty.

Ata që e kanë njohur, dëshmojnë se Atë Luigji me të vërtetë i përngjante shën Luigjit. Karakteristikat e tij na nxjerrin në dukje një Atë Luigj të durueshëm, guximtar dhe i gatshëm për sakrificë. Kishte një shikim të vendosur e të drejtë. Ata sytë e tij ishin si dy drita-fenerë në ballë. Ishte fjalëpakë, por shumë komunikativ dhe përfshirës. Siç e përcakton prof. Zekeria Cana: “Ishte kaq i vendosur, sa mund t’ia vrisje trupin por jo shpirtin”.

I Lumi Atë Luigj Paliq a Palaj ishte një frat françeskan i dashuruar pas Krishtit dhe Kishës, gjithashtu i butë, i përvujtë e jetonte në thjeshtësi. Kishte një zell për shpirtrat dhe për popullin e vet pavarësisht se a ishin të krishterë apo myslimanë. Ai ishte një bari i palodhshëm, inteligjent dhe largpamës. Te çdo person shihte një vëlla në Krishtin. Plot me virtyte siç ishte nuk u kursye për të mbrojtur dhe ruajtur popullin e vet nga kanosjet dhe shtrëngimet e atyre që donin t’ia kushtëzonin lirinë e besimit.

Vitet 1912-1913 janë vite mjaft delikate në aspektin politik, pasi malazezët në përpjekjet për të aneksuar Kosovën mundohen, me joshje e me kërcënime, t’i bëjnë shqiptarët të kthehen në ortodoksi. E Patër Luigjit i duhet të punojë pikërisht në një situatë të tillë. I shtyrë nga feja e tij i thellë në Zotin dhe nga përgjegjësia e misionit meshtarak, mbrojtja e lirisë së besimit e, si rrjedhojë, ajo e të drejtave njerëzore ishin për të një gjë e vetme. Prandaj nuk u ndal përpara kërcënimeve të ndryshme, për t’i mbështetur katolikët dhe myslimanët e Kosovës që të mos e mohonin besimin e tyre përkatës.

Situata ishte mjaft e nderë. Edhe kyreipeshkvi i dioqezës Shkup Prizren, imzot Lazër Mjedja në një letër të gjatë Prefektit të Propaganda Fide-s, në Vatikan, i përshkruan me dhimbje mizoritë që po bëheshin mbi popullsinë shqiptare nga ana e serbo-malazezëve. Atë Luigj Paliqi me qëndresën e tij të vendosur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ku spikat ajo e lirisë së ndërgjegjes dhe besimit, u bë një pengesë e pathyeshme për serbo-malazezët. Me gjithë vështirësitë, Atë Luigji nuk zmbrapsej.

Ja si dëshmon Ndue Mark Gera, që e takoi Atë Luigjin pak ditë para arrestimit në shtëpinë e Uk Gjonit në fshatin Gllogjan: “e këshillova të merrte tre katër burra e ta shoqëronin deri në Shkodër. Atë Luigji me një shprehje fytyre rrezatuese refuzoi kategorikisht. 'Për krishterimin e për vendim tim do të bëhem kurban, fli, e do ti mbroj këto të drejta deri në vdekje'”.

Autoritetet serbo-malazeze tashmë ishin të vendosura për ta eliminuar këtë pengesë serioze të planit të tyre e për këtë shfrytëzuan periudhën shkurt-mars 1913, ku nën pretekstin e kontrolleve për grumbullimin e armëve kishin filluar një seri torturash e mundimesh kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, edhe pse këta nën nxitjen e Atë Luigjit i kishin dorëzuar armët.

Atëherë Atë Luigji vendos të shkojë në Pejë për t’u ankuar mbi keqtrajtimet ndaj popullsisë së pafajshme. E në vend që të dëgjohej fjala e tij aty, në Pejë, atë ditë, 4 mars 1913, arrestohet menjëherë. Autoritetet shpresojnë se kështu do të detyrohet të mohojë fenë dhe të ndahet nga Kisha Katolike dhe Vatikani, duke kaluar në ortodoksi. Po ta bënte ai, do të ishte më e lehtë të detyroheshin besimtarët e tjerë. Por nuk ia arritën.

E dërguan në Gjakovë. Aty egërsisht e morën në pyetje dhe e keqtrajtuan, por Atë Luigji u përgjigjej: “Jam në shërbim të Jezu Krishtit dhe të Papës”. Atëherë në Gjakovë, pas dy ditësh, ia hoqën zhgunin dhe sandalet dhe, pasi e lidhën me tel me gati 52 të burgosur të tjerë, dy nga dy, e nisën bashkë me të tjerët ashtu të lidhur e në këmbë për në Pejë. Gjatë rrugës ushtarët shpesh i binin me kondakun e pushkës ose e shtynin me bajonetë. Nga plagët mezi arrinte të ecte.

Duke e parë gjendjen e tij dhe faktin se me gjithë këto vuajtje e tortura nuk kthehej nga bindja e tij dhe besimi i tij, atëherë ushtarët e larguan disa metra nga rruga dhe në afërsi të fshatit Janosh, në komune të Gjakovës, e vranë me 4 plumba pas shpine dhe aty shpejt e shpejt e mbuluan me pak dhe. Ishte vetëm 36 vjeç. Por ngjarja nuk mbeti e fshehur.

Një fshatar, Smail Sadria, shkoi dhe lajmëroi famullitarin e zonës, dom Shtjefën Krasniqin e ky Françeskanët në Gjakovë. Menjëherë këta lajmëruan kryeipeshkvin imzot Lazër Mjedjën dhe delegacionet e qeverive të huaja të pranishme në Prizren: konsullatën austro-hungareze, franceze dhe italiane. Këta kërkuan një autopsi të dytë dhe në vazhdim e detyruan qeverinë malazeze të autorizonte transferimin e trupit për varrimin jashtë kufijve të territoreve të pushtuara nga malazezët, të vendosej një kryq përkujtimor në vendin e vrasjes në Janosh dhe të ndërtohej një Kishë në Gllogjan si një riparim ndaj këtij akti të lig.

Ndërkohë, jehona e vrasjes së padrejtë të françeskanit Atë Paliqit u përhap gjerësisht dhe bindja që ai vdiq si një martir i vërtetë i fesë dhe i Krishtit erdhi e u forcua. Kur trupi i tij u mor nga fshati Janosh, Gjakovë, për t’u transferuar më 15 korrik në  fshatin Zym, Prizren, u gjet i paprishur dhe pa shenja dekompozimi, si edhe nuk vinte erë të keqe. Besimtarët e shumtë të mbledhur në Gjakovë, ku u vendos fillimisht para transferimit për në Zym, e lusnin për të fituar hire pranë Zotit. Edhe në ditët e sotme, qoftë në fshatin Zym, ku është i varrosur, qoftë në fshatin Janosh, afër Gjakovës, në vendin e vrasjes, besimtarët shkojnë të luten e të kërkojnë ndërmjetësimin e tij pranë Zotit.

Dëshmia që na jep Rexhep Sla, i besimit mysliman, na tregon se Atë Paliqi gjithçka bëri, e bëri për dashurinë ndaj Krishtit. Ja si tregon ai: “nga Gjakova në Janosh isha i lidhur krah për krah me Atë Paliq … E munduan shumë gjatë rrugës e ishte i lodhur, i munduar e i gjakosur. E shkëputën nga grupi për ta vrarë afër rrugës. Ndërsa ishin gati për ta vrarë, Atë Luigji për tre herë thirri me zë të lartë:Gjithçka të jetë për dashuri të Krishtit!”.

Atë Gjergj Fishta kompozoi një poezi për atë Paliqin për të kujtuar heroizmin e tij të krishterë e kombëtar. Vërtet se ushtarët arritën të vrasin trupin e tij në atë moshë të re, por nuk bënë gjë tjetër përveçse e rritën fuqishëm personalitetin moral të tij që gjeti te të gjithë, të krishterë e myslimanë, edhe sot e kësaj e dite, bindjen e gjallë e të fuqishme se Atë Paliqi, duke kaluar nëpër vuajtjet e mëdha, arriti të marrë palmën e fitores e të lavdit si martir besnik i Krishtit dhe i Kishës së Tij, besnikëri që e shprehu në dashurinë ndaj popullit të tij.

07 mars 2025, 11:30
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031