Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Shën Patriku, ipeshkëv, apostull i Irlandës Shën Patriku, ipeshkëv, apostull i Irlandës

Më 17 mars kalendari kujton Shën Patrikun, ipeshkëv, apostull i Irlandës

Shën Patriku, ipeshkëv, apostull i Irlandës, u bë një me shpirtin irlandez, shpjegoi pse predikimi i fesë së re të krishterë ndërmjet irlandezëve nuk pati asnjë martir në këtë tokë, banorët e së cilës qenë fise luftarake, shpesh në konflikt ndërmjet tyre. Patriku formoi klerin vendas dhe bashkësitë e para të krishtera, duke respektuar thellësisht traditat. Ne një lutje ai na mëson: “Krishti brenda meje, Krishti pas meje, Krishti përkrah meje, Krishti nën mua, Krishti mbi mua”

R.SH. - Vatikan

Më 17 mars kalendari kishtar përkujton Shën Patrikun, ipeshkëv, apostull i Irlandës.

 Bir i diakonit të bashkësisë Bannhaven Taberniae, Patriku lindi në vitin 385 në Angli, por shpejt u kap nga piratët e u shit skllav në Irlandë, vend i banuar nga keltët e skotët, ende paganë. Gjurmët e rinisë së tij janë të zbehta. Dimë me siguri se para vitit 448 kishte ikur nga Irlanda e qe vendosur në Okserrë, pranë Gjermanit ipeshkëv, njeri me dije të thella e shenjtëri të jashtëzakonshme.

Më pas Patriku u rikthye në Irlandë, jo më si skllav, por si predikatar i Ungjillit. Aftësia e tij gjeniale për t'u bërë një me shpirtin irlandez e për ta kuptuar me fund, shpjegon pse predikimi i fesë së re ndërmjet irlandezëve nuk pati asnjë martir në këtë tokë, banorët e së cilës qenë fise luftarake, shpesh në konflikt ndërmjet tyre.

Patriku formoi klerin vendas dhe bashkësitë e para të krishtera, duke respektuar thellësisht traditat. Synoi së pari të kthente në fenë e krishterë kryetarët e fiseve, pas të cilëve vinte gjithë fisi. Ndërtoi abacitë, që u bënë të famshme e bërthama të qyteteve të ardhshme. Vuajti shumë për shkak të shpifjeve, që bënë kundër tij heretikët pelagjianë. Atëherë Shenjti hartoi shkrimin e titulluar "Rrëfim" duke sqaruar se gjithë veprimtaria e tij misionare s'ishte tjetër, veçse zbatim i një urdhri hyjnor, e urrejtja e pelagjianëve kundër tij, buronte thjeshtë nga urrejtja që ata kishin për Zotin, të cilit ai i bindej pa kushte.

Patriku i përfundoi në paqe ditët e veta në vitin 461 në Ulster e pikërisht në Daun, që nisi të quhej Downpatrick. La pas një trashëgimi të shkëlqyer: një radhë të gjatë shenjtorësh e një popull të lidhur pazgjidhshmërisht me fenë e krishterë në rrjedhë shekujsh.

Një rrëfim i shkurtër për Pajtorin Qiellor e Irlandës

 
Patriku sodit nga anija bregdetin irlandez, një vend që e njeh mirë. Kur ishte 16 vjeç, djaloshi anglez qe kapur nga disa irlandezë, që e çuan në tokën e tyre, ku jetoi si i burgosur për gjashtë vjet me radhë. Sot Patriku nuk është më i burgosur: kthehet në këto troje të egra me dëshirën e vet. Një natë Jezusi iu duk në ëndërr dhe i kërkoi të niset për t’ia kumtuar Ungjillin irlandezëve. E kështu Patriku u bë prift e u nis me anijen e parë drejt e në Irlandë…

E di se misioni i tij nuk është aspak i lehtë. Irlandezët adhurojnë si hyjni të gjitha fenomenet e natyrës: drurët, burimet, stinët... Zotin e gjejnë në natyrën e harlisur të ishullit të blertë, rrethuar me kaltërsinë pa fund të ujërave. Patrikut i duhet të luftojë kundër krerëve fetarë, druidëve, që të kallin frikë e tmerr: ata do të përdorin të gjitha forcat e tyre magjike kundër tij, për të mos e lejuar ta përhapë Fjalën e Krishtit ndërmjet irlandezëve. Po ç’mund të bëjë magjia e druidëve përballë një meshtari të dërguar nga vetë Zoti? Patriku është plot besim e shpresë. U kundërvihet druidëve pa frikë e u tregon qartë se magjia e tyre është e kotë. Natën e parë të Pashkëve në Ishull, meshtari i krishterë ndez zjarre të mëdha në vendin ku ka ngulur banesën, për të kremtuar kështu ngjalljen e Krishtit. Po kjo është e ndaluar.

Dy hapa më tutje kremtohet një festë për nder të hyjnive irlandeze e druidët, duke e parë në dritën valavitëse të flakëve, tërbohen. Por nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndaluar. Magjia është e kotë. Njëri pas tjetrit fiset irlandeze kthehen në fenë e krishterë, sepse krerët e tyre e shohin qartë epërsinë e Patrikut mbi druidët. Megjithatë Patriku ka ende shumë për të bërë: ndonëse tashmë e kanë marrë Pagëzimin, këta luftëtarë mbeten të egër. Nuk ngurrojnë fare t’i plaçkisin e t’i masakrojnë fiset armike! Kur bëjnë beteja të tilla gjakatare, Patriku zemërohet, i dëbon nga Kisha vrasësit e u jep urdhër të kërkojnë falje, në se duan të mbeten të krishterë.

E vetmja rrugë për të fituar respektin, është të mbash qëndrim të paepur përballë krerëve të fiseve. Por Patriku di të jetë edhe i ëmbël e i duruar, posaçërisht kur jep mësime katekizmi. Është mësues tejet i mirë. Gjen gjithnjë rrugë të reja, interesante, për ta shpjeguar fenë e krishterë. Mësimi i tij është tepër tërheqës. Të lë me gojë hapur. Po marrim vetëm një shembull: për të shpjeguar ç’është Trinia Shenjte, përdor tërfilin, që bleron në të katër anët e ishullit. Trinia – shpjegon – është si tërfili. Tërfili ka tri fletë, por është një bimë e vetme. Trinia përbëhet nga tri Vetje: Ati, Biri e Shpirti Shenjt, por është një Hyj i vetëm”. Kjo mënyrë për shpjegimin e themelit të fesë së krishterë u bë aq e famshme, sa edhe sot tërfili mbetet simbol i Irlandës… e Patriku, Pajtori i saj qiellor.

 

 

17 mars 2025, 10:29
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031