Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Allegro
Programe Podcast
Një skulpturë me vargje nga Divani i Hafëzit, shkruar nga poeti persian Hafez-e-Shirazi, Iran Një skulpturë me vargje nga Divani i Hafëzit, shkruar nga poeti persian Hafez-e-Shirazi, Iran

Poezi për Paqe dhe Bashkim

Ditën Botërore të Poezisë, 21 Mars, e kujtojmë me disa fragmente poetike, që shprehin dëshirën e njerëzimit për paqe.

R.SH. - Vatikan

"Një zë nga errësira ushtoi,

“Poetët dritën e paqes

duhet të na e dhurojnë,

që të mund ta dëbojmë

tmerrin e luftës

nga sytë e lodhur! 

Duam paqe,

jo mungesë lufte”.

Denise Levertov u bën një lutje të thjeshtë poetëve: t'i përdorin fjalët mençurisht dhe të na ndihmojnë të jetojmë nën hijen e fatkeqësisë, me të cilën sot u mësuam aq shumë. Thirrja e saj i bën jehonë temës së Ditës Botërore të Poezisë të këtij viti: "Poezia për paqe dhe unitet". Nuk është e vetmja poete që dëshiron “paqe, jo thjesht mungesë lufte”, e as e para as e fundmja, që sfidon glorifikimin e fatkeqësisë.

Njëherësh me tingujt poetikë të Levertov, ushtojnë në botë edhe  ato që, si shumë poetë të tjerë, e dënojnë haptas çmendurinë e luftës dhe normalizimin e saj.

“O bombë të dua / ta puth dua bumin tënd”, shkruan Gregory Corso. Me  ironinë e tij të hollë, edhe Corso nxjerr në pah absurditetin tragjik të konfliktit, duke vënë në pikëpyetje joshjen e dhunës, të pranuar aq lehtësisht nga njerëzimi. “Bombë, je aq mizore/ sa të bën njeriu”, vazhdon kjo poezi rrënqethëse.

Ndërsa liderët politikë në Perëndim flasin për riarmatimin dhe grumbullimin e armëve, tmerri i luftës vazhdon të mbështjellë rruzullin. Megjithatë, poetët anembanë globit vazhdojnë t’i këndojnë paqes, sot, më 21 mars, në Ditën Botërore e Poezisë, që hedh dritë mbi rolin e artit, përfshirë edhe vargun, parë si fuqi që lufton për paqen dhe ri-humanizimin e njeriut e të botës tij!

Edhe prijësit kanë nisur të flasin të tmerruar. Disa zotohen se do të bëjnë luftë derisa të arrihen të gjitha "qëllimet e fitores së tyre ", të tjerë dënojnë barbarizmin e fshehur pas planeve të dhunshme dhe fjalëve të dhunshme.

Papa Françesku, që po shërohet në Spitalin Gemelli të Romës, bëri një thirrje të pasionuar. Pasi vuri në dukje se, e parë nga spitali, duke u ndjerë i dobët, "lufta duket edhe më absurde", në një letër drejtuar redaktorit të një gazete italiane, shkruan:

"Ne duhet t’i çarmatosim fjalët, të çarmatosim mendjet, të çarmatosim Tokën". Duke çarmatosur fjalët, siç bëjnë poetët, fuqia transformuese e gjuhës mund të kapërcejë barrierat dhe të na bashkojë në një përpjekje të përbashkët për paqen”:

 “Zoti i paqes nuk lavdërohet kurrë nga dhuna njerëzore”, shkruan murgu dhe poeti trappist Thomas Merton.

Poezia është gjuhë universale

Fjalët janë një mjet i fuqishëm universal e kur përdoren siç duhet, ato mund të kenë fuqinë për të formuar një të ardhme paqësore për njerëzimin - si soditja e qetë e një soneti, ashtu edhe recitimi kolektiv i vargjeve që thërrasin për drejtësi, poezia i flet drejtpërdrejt zemrës, duke na ftuar të ëndërrojmë për një botë ku uniteti triumfon mbi ndarjen. Vargu fetar ka luajtur prej kohësh një rol në nxitjen e kësaj ndjenje solidariteti. Nga Psalmet e Davidit: "Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon!” - tek poezia mistike e poetit persian Rumi - "Lëreni veten të tërhiqet në heshtje nga tërheqja e çuditshme e asaj që vërtet e do. Nuk do t'ju çojë në rrugë të gabuar" - dëshira për lidhjen hyjnore dhe unitetin njerëzor është fil-rouge - filli i kuq që na lidh të gjithëve. Poezia është këngë dhe lutje, dhe një pasqyrim i kujdesshëm i botës në të cilën jetojmë.

Shën Françesku i Asizit, i cili i dha hua emrin e tij Papës, shkroi një nga lutjet më të dashura poetike, Lutjen për Paqe, duke mishëruar frymën e unitetit të krishterë dhe të pajtimit njerëzor:

"Më bëj, o Zot,

mjetin e paqes sate:

Ku ka urrejtje,

të çoj dashuri;

lëndim ku u ka,

faljen ta çoj!;

Ku ka dyshim,

të çoj besën;

e ku ka dëshpërim,

të çoj shpresën;

Ku ka errësirë,

Ta zhduk mjerimin,  

trishtim ku ka

të çoj veç gëzimin”.

Po aq të njohura janë edhe poezitë e Mahmud Darwishit, i cili që në moshën 17-vjeçare nisi t’i rrëfente poetikisht vuajtjet e Nakbasë së vitit 1948 në Palestinë. Tani është simbol i rezistencës palestineze, madje edhe poet kombëtar i Palestinës. Darwish ishte dëshmitar i luftës gjatë gjithë jetës së tij, ndonëse frymëzimi i tij poetik ishte i ëmbël dhe i butë!

Lutja e tij e thjeshtë është po aq poetike dhe prekëse, siç ishte kur i doli nga shpirti:

“Ndërsa përgatitni mëngjesin, mendoni për të tjerët (mos harroni ushqimin e pëllumbave).

Ndërsa bëni luftërat tuaja, mendoni për të tjerët (mos i harroni ata që kërkojnë paqe).

Fjalët e Darwishit, të studiuara thellë e po aq edhe të buta, nuk janë romantizim i luftës: ai shkon krah për krah me poetët e tjerë të luftës, që e denoncojnë këtë lavdërim:

“Shoku im, me kaq shumë zell

s’do t’ua tregojë

fëmijëve të etur për një lavdi të dëshpëruar

gënjeshtrën e vjetër:

Dulce et decorum est Pro patria mori"-

shkruan Wilfred Owen.

Edhe Pablo Neruda, ndër poetët më romantikë, i përdori fjalët krejt thjesht, edhe për të shpjeguar gjëra të tmerrshme:

"Ejani dhe gjakun shikojeni në rrugë,

eja, shikoje gjakun…”

Thirrje për veprim

Le të vazhdojmë, pra, të shkruajmë, të flasim dhe ta bëjmë poezinë mjet për paqen dhe për të vërtetën. Të zgjedhim tingujt e fjalëve që ndeshen me zhurmat e armëve të cilat kërcënojnë ta shuajnë thirrjen për paqe. Poezia mbetet një forcë jetike, që na kujton se paqja nuk është thjesht ideal, por diçka që duhet ta krijojmë dhe ta mbrojmë përmes fjalëve tona. Në fund të fundit, ajo që bëjmë dhe ajo që themi na e përcakton personalitetin. "E vërteta e hollë", ajo e vështira për t'u gjetur, është se, siç shkruante poeti i lashtë persian Rumi: "Jemi gjithçka e duam me gjithë shpirt".

21 mars 2025, 11:08
Prev
March 2025
SuMoTuWeThFrSa
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031     
Next
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930