CARITAS-ALBANIA-TERREMOTO9aem.jpg

Kisha Katolike dhe Karitasi Shqiptar pranë të dëmtuarve nga tërmeti

Në këtë çast dhimbjeje për gjithë shqiptarët, pas tërmetit të fuqishëm, që goditi dje Durrësin dhe zonat përreth, Kisha Katolike, përmes organizmave të saj, si Karitasi, por edhe grupet famullitare e shoqatat simotra në Evropë, po impenjohet për të lehtësuar gjendjen e të dëmtuarve.

R.SH. - Vatikan

Që dje, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, në një deklaratë të saj për shtyp, shprehu afërsinë e besimtarëve me të gjithë ata, që janë prekur nga kjo tragjedi dhe siguroi lutje të vazhdueshme për jetët e humbura dhe për familjarët e viktimave. “Ne si Kishë – shkruhet në mesazh – kemi aktivizuar strukturat tona të bamirësisë dhe të ndihmës për t’u ardhur në ndihmë shtresave dhe popullatës që më së shumti është goditur nga kjo valë shkatërruese. Gjithashtu urdhërojmë meshtarët tanë që sot dhe nesër (dje dhe sot, shënimi ynë) të kremtojnë meshën “Në kohën e Tërmetit”, në fq. 949 të Mesharit. Hyjit Krijues i lutemi dhe Atij i besohemi”.

Gjendja në Durrës

Por, si është gjendja sot në Durrës dhe si po vazhdon puna e Kishës Katolike në ndihmë të banorëve? Kujtojmë se Ministria e Brendshme i ka kërkuar Karitasit të Shqipërisë të ndihmojë të shpërngulurit, që kanë mbetur pa shtëpi, prandaj, në plotësimin e kësaj detyre, janë përfshirë të gjitha dioqezat, jo vetëm ato që kanë besimtarë të dëmtuar nga tërmeti. Dje, ipeshkvi i Jugut, imzot Giovanni Peragine, u tregua i gatshëm të strehojë në dioqezën e tij disa nga banorët durrsakë të mbetur pa shtëpi. Ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, shkoi personalisht të qëndrojë rreth zjarrit me banorët e Thumanës. Për të mos folur për kryeipeshkvin e Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, i cili është nisur menjëherë në Durrës, së bashku me personelin e Karitasit, të cilit i ka ardhur në ndihmë edhe Karitasi i Kosovës, pas telefonatës së ipeshkvit, imzot Dodë Gjergjit, me të cilën i shprehu solidaritetin e gjithë popullit kosovar, imzot Frendos.

Nga Athina, ku ndodhet për të marrë pjesë në Asamblenë e ipeshkvijve evropianë mbi shpëtimin e Gjithësisë, presidenti i Karitasit Shqiptar, imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit, siguroi lutje për viktimat dhe për gjithë banorët, duke garantuar ndërhyrjen e Karitasit për “lehtësimin e shqetësimeve dhe të nevojave të tyre”. “Zoti pastë mëshirë dhe e ndaloftë këtë plagë, që po godet në mënyrë të vazhdueshme tokën tonë dhe uroj që këto rrethana do të na ushqejnë dhe nxisin të gjithëve drejt ndihmës reciproke dhe solidaritetit vëllazëror, të cilat, në momente si këto, duhet të na gjejnë më të bashkuar se kurrë”, thuhet në mesazhin e imzot Massafra-s.

Famullitari i komunitetit të Shën Dominikut në Durrës, At’ Bernard Caruana personalisht dhe si komunitet katolik është i impenjuar personalisht në konstatimin e dëmtimeve dhe në koordinimin e ndihmave të Kishës. Ai po punon për të ndihmuar të gjithë qytetarët e Durrësit që janë goditur nga tërmeti, të cilët janë të  pikëlluar e vështirësi të mëdha. Në mikrofonin e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News, domenikani At’ Caruana na pasqyron ditën e parë pas tërmetit në Durrës dhe veprimtarinë e Kishës katolike, të Caritasit dioqezan të Tiranë-Durrësit dhe Caritasit Kombëtar, ta dëgjojmë dëshminë e tij nga Durrësi …

Dëgjo atë Bernard Caruana-n...

Lutje në të gjitha kishat e Shqipërisë

Dje, në orën 18.00, të gjithë besimtarëve u është kërkuar të thonë Rruzaren aty ku ndodhen e shumë janë mbledhur në kisha për t’u lutur që Zoti t’i ngushëllojë të mbijetuarit e të pranojë në amshim viktimat. Në kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores qiellore të Shqipërisë, u mblodhën dje shumë besimtarë shkodranë, me qirinj në duar e me lutje në zemër. Famullitari i Shkodrës, don Vlash Palaj, ndërsa udhëhoqi lutjen e besimtarëve, nuk i kurseu kritikat për ata që, për arsye fitimi personal, ndërtojnë pallate e ndërtesa, pa respektuar asnjë ligj, duke e rritur kështu rrezikun e shembjes në rastin e fatkeqësive natyrore. Në përfundim të lutjes, qirinjtë e ndezur të besimtarëve u vendosën pranë ikonës së Zojës, duke i kërkuar asaj – ashtu siç bën populli shqiptar jetë e mot – ta mbrojë Shqipërinë nga fatkeqësi të tjera e t’i përforcojë të gjithë në fe për t’u bërë ballë pasojave të tërmetit.

27 nëntor 2019, 14:59