Biografia e Shën Palit
R.SH. - Vatikan
Biografia e Shën Palit shikuar nga Papa i nderit Benedikti XVI, në katekizmin e audiencës së përgjithshme në Vatikan më 27 gusht 2008, gjatë Vitit kushtuar Shën Palit.
Kur flasim për shën Palin Apostull, nuk mund të mos kujtojmë menjëherë ngjarjen e madhe që ndodhi në rrugën e Damaskut, kthimin e Palit, që e ndryshoi plotësisht jetën e tij, pas takimit me Krishtin, po sot do të ndalohemi shkurtimisht së bashku tek jeta e tij.
Kulmet jetëshkrimore të Palit i gjejmë përkatësisht në Letrën drejtuar Filemonit, në të cilën e quan veten ‘plak’ (Fil 9: presbýtes) dhe në veprat e Apostujve, të cilat në çastin e mbytjes së Shtjefnit me gurë, e cilësojnë ‘të ri’ (7, 58: neanías). Të dyja cilësimet janë të përgjithshme, por, sipas llogarive të lashta ‘i ri’ quhej njeriu rreth të tridhjetave, ndërsa ‘plak’, kur arrinte të gjashtëdhjetat. Data e lindjes së Shën Palit varet, në mënyrë absolute, nga datimi i Letrës drejtuar Filemonit. Sipas traditës, letra u shkrua gjatë burgimit romak, në mesin e viteve ’60.
Pali duhet të ketë lindur në vitin 8, kështu duhet të ishte pak a shumë gjashtëdhjetë vjeç, ndërsa në çastin e mbytjes me gurë të Shtjefnit, ishte 30 vjeç. Kjo duhet të jetë kronologjia e saktë. E Viti kushtuar Shën Palit, që po kremtojmë, ndjek pikërisht këtë kronologji. U zgjodh 2008-ta, duke menduar se Shenjti lindi pak a shumë në vitin 8.
Sidoqoftë, ai lindi në Tars të Cilicisë (cfr At 22,3). Qyteti ishte kryeqendër e zonës e në vitin 51 pas Krishtit aty pati qenë prokonsull vetë Marko Tulio Ciceroni, ndërsa dhjetë vjet më pas, në vitin 41, Tarsi qe vendi i takimit të parë të Mark Antonit me Kleoptarën. Hebre i diasporës, Pali fliste greqisht, megjithëse kishte një emër me zanafillë latine, të prejardhur, për bashkëtingëllim, nga emri hebraik Saul/ Saulos, e kishte nënshtetësinë romake. (cfr Vap 22, 25-28). Pali, pra, ndodhej në kufirin e tri kulturave të ndryshme – romake, greke e hebraike - e ndoshta edhe për këtë arsye, ishte i gatshëm t’i përshtatej frymës universalistike, ndërmjetësimit mes kulturave, universalitetit të vërtetë. Ai mësoi edhe një punë dore, të cilën ka mundësi ta ketë ushtruar edhe i jati, atë të mjeshtrit ‘për prodhimin e çadrave’ (cfr Vap 18,3: skenopoiòs), që mbase duhet ta kuptojmë si zeje për punimin e leshit të ashpër të dhisë ose të fijeve të linit, për të bërë rrogoza ose çadra (cfr Vap 20,33-35).
Rreth moshës 12-13 vjeç, moshë në të cilën djali hebre bëhet mitzvà (hyn në moshën e pjekurisë), Pali u largua nga Tarsi, për të shkuar në Jeruzalem, ku u edukua nga Gamalieli-Plaku, nip i Rabinit të madh Hillél, sipas rregullave më të rrepta të farizeizmit, duke u bërë zelltar i flaktë për mbrojtjen e Torahut mosaik (cfr Gal 1,14; Fil 3,5-6; At 22,3;23;6;26,5).
“Pikërisht mbi bazën e ortodoksisë të fuqishme fetare, që e mësoi në shkollën e Hillélit, në Jeruzalem, ai pa në lëvizjen që njihej si e Jezusit të Nazaretit, një rrezik të madh për identitetin judaik, për ortodoksinë e vërtetë të etërve. Që këtu shpjegohet fakti pse ishte krenar kur e persekutonte Kishën e Hyjit, siç e pohon ai vetë tri herë me radhë në Letrat e tij (1Cor 15,9; Gal 1,13; Fil 3,6). Ndonëse nuk është e lehtë ta përfytyrosh konkretisht këtë persekutim, gjithsesi sjellja e tij ishte shprehje e intolerancës. E megjithatë, pikërisht në këto rrethana, do të bënte kthesën e madhe në rrugën drejt Damaskut. Natyrisht, që nga ky çast, jeta e tij ndryshoi e ai u bë apostull i palodhshëm i Ungjillit.
Në fakt Pali hyri në histori më shumë për atë që bëri si i krishterë, madje si apostull, sesa si farize. Tradita e ndan veprimtarinë e tij apostolike mbi bazën e tre udhëtimeve misionare, të cilave u shtohet i katërti: ai i shkuarjes në Romë si i burgosur. Të gjitha tregohen nga Luka në Veprat e Apostujve. Por kur flasim për udhëtimet misionare, të parin duhet ta dallojmë nga dy të tjerët. Për të parin (cfr Vap 13-14) Pali nuk pati përgjegjësi të drejtpërdrejtë, sepse udhëtimi, në të vërtetë, i qe besuar Barnabës. Ata u nisën së bashku nga Anatolia mbi Oront, të dërguar nga kjo Kishë (cfr Vap 13,1-3) e pasi ngritën spirancën nga porti i Seleuçisë në bregdetin sirian, përshkuan ishullin e Qipros, nga Salamina, në Paf; prej këtu arritën në bregdetin jugor të Anatolisë, Turqia e sotme, e u kapën në qytetet e Atalisë, në Pergë të Panfilisë, Antioki të Pisidisë, Ikon, Listër e Derbe e, që këtu, u kthyen në pikënisje.
Lindi kështu Kisha e popujve, Kisha e paganëve. E ndërkohë, posaçërisht në Jeruzalem, lindte diskutimi i vështirë: deri në ç’pikë këta të krishterë, të ardhur nga paganizmi, ishin të detyruar të hynin edhe në jetën e ligjit të Izraelit (në ndjekjen e riteve fetare e normave të ndryshme, që e veçonin Izraelin nga pjesa tjetër e botës), për t’u bërë vërtetë pjesëtarë të premtimeve të profetëve e për të hyrë faktikisht në trashëgiminë e Izraelit. Që të zgjidhej kjo çështje, themelore për lindjen e Kishës së ardhshme, u mblodh në Jerusalem i ashtuquajturi Koncili i Apostujve, për të vendosur mbi këtë problem, nga i cili varej lindja reale e Kishës universale. U vendos të mos ua impononin paganëve të kthyer në fenë e krishterë, nënshtrimin ndaj ligjit të Moisiut (cfr Vap 15,6-30): pra nuk ishin të detyruar t’i respektonin normat e Judaizmit; e vetmja domosdoshmëri ishte t’i përkisnin Krishtit, të jetonin me Krishtin e sipas fjalëve të tij. Kështu, duke qenë të Krishtit, ishin edhe të Abrahamit, të Hyjit e pjesëtarë të të gjitha premtimeve.
Pas kësaj ngjarjeje vendimtare, Pali u nda nga Barnaba, zbriti në Siri e nisi udhëtimin e dytë misionar (cfr Vap 15,36-18,22). Përshkoi Sirinë e Cilicinë, pa rishtas qytetin e Listrës, ku mori me vete Timoteun (figurë tepër e rëndësishme e Kishës në fasha, bir i një hebreje e një pagani), dhe e rrethpreu; përshkoi pastaj Anatolinë qendrore e arriti në qytetin e Troades në bregdetin verior të Detit Egje. E këtu i ndodhi përsëri një ngjarje e rëndësishme: pa në ëndërr një maqedon nga ana tjetër e detit, do të thotë në Evropë, që i thoshte: “Eja e më ndihmo!”. Ishte Evropa e ardhshme, që kërkonte ndihmën e dritën e Ungjillit.
I shtyrë nga ky vegim, hyri në Evropë. Që këtu ngriti spirancën për Maqedoni, duke hyrë kështu në Evropë. Zbarkoi në Neapoli, arriti në Filipi, ku themeloi një bashkësi të bukur, pastaj kaloi në Selanik e, i nisur që këtu për shkak të vështirësive që i krijuan Judenjtë, kaloi nëpër Berea e arriti në Athinë. Në këtë kryeqytet të kulturës së lashtë greke u predikoi, më parë në Agorà e më pas në Areòpag, paganëve e grekëve.
E fjalimi në Areòpag, për të cilin flitet në Veprat e Apostujve, është model që tregon si duhet çuar Ungjilli në kulturën greke, si mund t’i bësh grekët të kuptojnë se ky Zot i të krishterëve, i hebrenjve, nuk ishte Hyj i huaj për kulturën e tyre, por Hyji i panjohur, i pritur prej tyre, përgjigje e vërtetë për pyetjet më të thella të kulturës së tyre.
Nga Athina, pastaj, arriti në Korint, ku u ndalua një vit e gjysmë. E këtu kemi një ngjarje kronologjikisht shumë të sigurt, më të sigurtën e gjithë jetëshkrimit të tij, sepse gjatë qëndrimit në Korint, atij iu desh të paraqitej para Qeveritarit të provincës senatoriale të Akajës, Prokonsullit Galioni, i akuzuar se ushtronte një kult të paligjshëm. Mbi Galionin dhe kohën e tij, në Korint ruhet një mbishkrim i lashtë, i gjetur në Delfi, ku thuhet se ishte Prokonsull në Korint ndërmjet viteve 51 e 53.
Prej këndej, këtu kemi një datë absolutisht të sigurt. Pali qëndroi në Korint pikërisht gjatë këtyre viteve. Mund të hamendësojmë se arriti pak a shumë në vitin 50 e ndenji aty deri në vitin 52. Nga Korinti, pastaj, duke kaluar nëpër Çenkre, port lindor i qytetit, u drejtua nga Palestina, duke kaluar nëpër Çezarenë Bregdetare, prej nga u ngjit në Jerusalem, për t’u kthyer, pastaj, në Antiokinë mbi Oront.
Udhëtimi i tretë misionar (cfr Vap 18,23-21,16) filloi si gjithnjë në Antiokinë, që qe bërë pikë zanafille e Kishës së paganëve, e misionit të paganëve e ishte edhe vendi ku lindi termi ‘të krishterë’. Këtu, për herë të parë, na thotë Shën Luka, ndjekësit e Jezusit u thirrën ‘të krishterë’. Që aty Pali shkoi drejt e në Efez, kryeqytet i provincës së Azisë, ku qëndroi dy vjet, duke kryer një shërbim, që pati ndikim të madh në zonë.
Nga Efezi Pali shkroi letrat drejtuar Selanikasve e Korintianëve. Por popullsia qytetit u çua peshë kundër tij, duke u nisur nga argjendarët vendas, të cilëve po u pakësoheshin fitimet, për shkak të kufizimit të kultit të Artemidës (tempulli që i kushtohej asaj në Efez, Artemysion, ishte një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë); prandaj atij iu desh të ikte drejt veriut. Si përshkoi rishtas Maqedoninë, zbriti përsëri në Greqi, ndoshta në Korint, ku ndenji tre muaj e shkroi Letrën e famshme drejtuar Romakëve, që përmbledh gjithë kumtimin e tij.
Që këtu u rikthye në Maqedoni e, me anije, arriti në Troade e pastaj, duke shkelur paksa ishujt Mitilenë, Kio, Samo, arriti në Milet, ku mbajti një fjalim të rëndësishëm para Pleqve të Kishës së Efezit, duke përshkruar portretin e bariut të vërtetë të Kishës (cfr Vap 20). Prej këndej u rinis, duke shpalosur velat drejt Tirit, prej nga arriti në Çezarenë Bregdetare, për t’u ngjitur edhe një herë në Jerusalem. Këtu u arrestua për një keqkuptim: disa Judenjë kishin marrë për paganë ca judenjë të tjerë me origjinë greke, të cilët Pali i kishte lejuar të shkelnin në zonën tempullare ku mund të hynin vetëm izraelitët. Shpëtoi nga dënimi i caktuar me vdekje, falë ndërmjetësisë së tribunit romak të rojës në zonën e Tempullit (cfr Vap 21,27-36); kjo ndodhi kur në Judé ishte Prokuror perandorak Anton Feliçe. Pasi kaloi ca kohë në burg (nuk dihet mirë sesa), e me qenë se, si qytetar romak, kishte të drejtë apelimi nga Qesari (që asokohe ishte Neroni) Prokurori i më pasmë, Porcio Festo, e nisi në Romë të shoqëruar me roje ushtarake.
Në udhëtimin drejt Romës preku ishujt mesdhetarë të Kretës e të Maltës, e pastaj qytetin e Sirakuzës, Regjo Kalabrien e Pozuolin. Të krishterët e Romës dolën ta prisnin në Rrugën Apia deri në Forin e Apios (rreth 70 kilometra në jug të kryeqytetit) e të tjerë, deri tek Tri Tavernat (rreth 40 km). Në Romë u takua me delegatët e bashkësisë hebraike, të cilëve u tregoi se ishte në zinxhirë për shkak të ‘shpresës së Izraelit’ (cfr Vap 28, 20). Por rrëfimi i Lukës përfundon duke zënë në gojë dy vjetët e kaluara në Romë nën mbikëqyrje të lehtë ushtarake, pa cekur fare ndonjë vendim nga ana e Qesarit (Neronit) e aq më pak, vdekjen e të akuzuarit.
Tradita e mëvonshme flet për lirimin e tij, që duhet t’i ketë krijuar, pastaj, mundësitë si për të bërë një udhëtim në Spanjë, ashtu edhe një tjetër në Lindje, e më saktësisht në Kretë, në Efez e në Nikopoli të Epirit. Gjithnjë mbi bazë hamendjesh, flitet për një arrestim të dytë e edhe për një burgim të dytë në Romë (ku duhet të ketë shkruar Letrat e ashtuquajtura Baritore, do të thotë dy letrat Timoteut e Titit), e një proces gjyqësor, me përfundim negativ. Sidoqoftë, një sërë shkaqesh i shtyjnë shumë studiues të Shën Palit ta përfundojnë jetëshkrimin e Apostullit me rrëfimin e Shën Lukës në Veprat.
Në këtë listë të shkurtër të udhëtimeve të Palit, mjafton të shënojmë se ai iu kushtua kumtimit të Ungjillit, pa i kursyer energjitë, duke përballuar një sërë provash të rënda, listën e të cilave na e la në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve (cfr 11,21-28). Nga ana tjetër është ai që shkruan: “Gjithçka bëj për Ungjillin’(1 Kor 9,23), duke u marrë bujarisht me atë, që e quan ‘shqetësimi për të gjitha Kishat” (2 Kor 11, 28). Shikojmë një impenjim, që mund të shpjegohet vetëm përmes një shpirti të rrëmbyer nga drita e Ungjillit, të dashuruar me Krishtin, një shpirti të mbështetur nga bindja e thellë: është e nevojshme t’i çohet botës drita e Krishtit, t’u kumtohet të gjithëve Ungjilli. Kjo, më duket, është gjithçka mbetet nga kjo përmbledhje e udhëtimeve të Palit: të shikosh pasionin e tij për Ungjillin, për të kuptuar madhështinë, bukurinë, madje nevojën e thellë që ka Ungjilli për të gjithë njerëzit.
E tani të flasim për mbarimin e jetës së tij tokësore.
Tradita e lashtë kristiane dëshmon një zëri se Shën Pali vdiq i martirizuar në Romë. Shkrimet e Besëlidhjes së Re nuk e kujtojnë këtë fakt. Veprat e Apostujve e përfundojnë rrëfimin e tyre duke cekur se Apostulli ishte në burg, por megjithatë mund t’i priste të gjithë ata, që shkonin për ta takuar. (cfr At 28,30-31). Vetëm në Letrën e dytë drejtuar Timoteut gjejmë këto fjalë paralajmëruese: “Përsá më përket mua, gjaku im është he-he kah derdhet porsi flije dhe ka ardhur tashmë koha t’i shpalos velat” (2 Tm 4,6; cfr Fil 2,17). Përdoren dy figura, ajo kultuale e flijimit, që e pati përdorur edhe në Letrën drejtuar Filipianëve, duke e shpjeguar martirizimin si pjesë përbërëse e flijimit të Jezusit, e ajo detare e shpalosjes së velave: dy figura të cilat, marrë së bashku, nënkuptojnë me takt vdekjen e tij të afërme, e një vdekje të përgjakshme.
Dëshmia e parë e qartë mbi fundin e Shën Palit na vjen nga gjysma e viteve 90 të shekullit I, rreth 30 vjet pas vdekjes së Apostullit. Gjendet në Letrën që Kisha e Romës, me ipeshkvin e saj, Klementin I, ia drejton Kishës së Korintit. Në këtë tekst epistolar, të krishterët ftohen ta kenë gjithnjë parasysh shembullin e Apostujve; e menjëherë pasi kujtohet martirizimi i Pjetrit, lexojmë këto fjalë: “Për shkak të zilive e grindjeve, Pali u detyrua të na tregojë si mund të merret çmimi i duresës. I arrestuar shtatë herë, i internuar, i gjuajtur me gurë, qe kasnec i Krishtit në lindje e në perëndim e, për fenë e tij, fitoi një lavdi të panjollë.
Pasi pati predikuar drejtësinë në mbarë botën e pati arritur deri në skajet e perëndimit, përballoi martirizimin para sundimtarëve; kështu u nis nga kjo botë e arriti në vendin shenjt, duke u bërë modeli më i lartë i durimit”(1 Klem 5,2). Duresa për të cilën flitet, është shprehje e bashkimit me mundimet e Krishtit, e bujarisë dhe e forcës shpirtërore, me të cilën pranoi një shtegtim të gjatë, plot vuajtje, aq sa të mund të thoshte: “Unë mbart në trupin tim varrët e Jezusit” (Gal, 6.17). Sipas tekstit të Shën Klementit, Pali kishte arritur deri në ‘skajet e perëndimit’. Diskutohet në se këtu ceket një udhëtim që Shën Pali duhet ta ketë bërë në Spanjë. Kjo nuk është e sigurt, por është e vërtetë se Shën Pali, në Letrën drejtuar Romakëve, shpreh dëshirën për të shkuar në Spanjë (cfr Rm. 15,24).
Shumë interesant është, ndërkaq, në Letrën e Klementit, kujtimi i dy emrave të Pjetrit e të Palit njëri pas tjetrit, ndonëse ata radhiten anasjelltas në dëshminë që sjell në shekullin IV Euzebi i Çezaresë i cili, duke folur për perandorin Neron, do të shkruante: “Gjatë sundimit të tij, Palit iu pre koka pikërisht në Romë e Pjetri u kryqëzua. Rrëfimi vërtetohet nga emrat e Pjetrit e të Palit, që ruhen edhe sot e kësaj dite mbi varret e tyre në këtë qytet”(Hist. Eccl 2,25,5). Euzebi vijon më tej, duke sjellë deklaratën e një meshatri romak, me emrin Gaio, që i përket shekullit II: “Unë mund të të tregoj për trofetë e dy apostujve: në se do të shkosh në Vatikan ose në Rrugën Ostiense, do t’i gjesh trofetë e themeluesve të Kishës” (ibid 2,25,6-7). Trofetë janë monumentet e ngritura mbi varret e tyre, e fjala është për vetë vendvarrosjen e Pjetrit e të Palit, të cilët edhe sot, pas mase dymijë vjetësh, vijojmë t’i nderojmë në të njëjtat vende: si këtu, në Vatikan, vend ku u kryqëzua Shën Pjetri, ashtu edhe në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve në Rrugën Ostiense, ku ruhen reliket e Apostullit të Popujve.
Është interesante të vëmë në dukje se dy Apostujt e mëdhenj kujtohen së bashku. Ndonëse asnjë burim i lashtë nuk flet për shërbimin e tyre të njëkohshëm në Romë, tradita e mëpasme kristiane, mbi bazën e varrimit të të dyve në kryeqytetin e perandorisë, i kujton së bashku si themelues të Kishës së Romës.
Në shkrimet e Irineut të Lionit, aty nga fundi i shekullit II, lidhur me vazhdimësinë apostolike në Kisha të ndryshme, lexojmë: “Me që do të shkonim tepër gjatë, në se do të numëronim vazhdimësinë e të gjitha Kishave, por marrim Kishën tejet të madhe e të lashtë, të njohur nga të gjithë, Kishën e themeluar e të vendosur në Romë nga dy apostujt e lavdishëm, Pjetri e Pali” (Adv. haer.3,3,2).
Por ta lëmë tani mënjanë figurën e Pjetrit e të përqendrohemi tek ajo e Palit. Përshkrimin e plotë të martirizimit të Shën Palit e gjejmë në ‘Veprat e Palit’, shkruar nga fundi i shekullit II. Ato tregojnë se Neroni e dënoi Palin me prerjen e kokës, vendim që u ekzekutua menjëherë (cfr 9,5). Data e vdekjes ndryshon në fondet e lashta, të cilat e vendosin ndërmjet persekutimit të shpërthyer nga vetë Neroni pas djegies së Romës në korrik të vitit 64 dhe vitit të fundit të mbretërimit të tij, dmth vitit 68 (cfr Gerolamo, De viris ill 5,8). Llogaritja varet shumë nga kronologjia e arritjes së Palit në Romë, diskutim në të cilin këtu nuk mund të hyjmë.
Tradita e mëpasme saktëson dy elemente të tjera. Njëri, më legjendari, rrëfen se martirizimi u krye në një vend, që njihet me emrin Acque Salviæ në Rrugën Laurentina, me tre kërcime të kokës, që shkaktuan shpërthimin e tre burimeve, prandaj vendi deri më sot quhet “Tre Burimet” (Veprat e Pjetrit e të Palit të Pseudo Marçelit, shekulli V). Tjetri përkon me dëshminë e lashtë të Gaios, që e kujtuam më sipër. Sipas saj, Shën Pali jo vetëm që u varros “jashtë qytetit… në miljen e dytë mbi Rrugën Ostiense”, por edhe, më saktësisht “në bashtinën e Luçinës”, matronë e krishterë (Mundimet e Palit të Pseudo Abdisë, në shekullin VI). Këtu, në shekullin IV, perandori Kostandin ngriti Kishën e parë, që u zgjerua shumë ndërmjet shekullit IV e V nga perandorët Valentiniani, Teodosi e Arkadi. Pas djegies së vitit 1800, u ngrit Bazilika e sotme e Shën Palit jashtë Mureve.
Të lutemi që Zoti, i cili e bëri Palin ta shohë dritën e Tij, ta dëgjojë Fjalën e Tij t’i preku thellë zemrën, të na ndihmojë edhe ne ta shohim dritën e Tij, që edhe zemra jonë të preket nga Fjala e Tij e të mundemi edhe ne t’ia japim dritën e Ungjillit e të vërtetën e Krishtit botës së sotme, të etur për të”.