WhatsApp-Image-2020-05-18-at-15.21.26.jpeg

Një bust i shën Gjon Palit II në katedralen e shën Palit, në Tiranë

Të hënën, 18 maj, në 100-vjetorin e lindjes së shën Gjon Palit II, në katedralen katolike të Shën Palit në Tiranë, u përurua dhe u bekua busti i Papës Karol Wojtyla, dhuruar nga ambasadori i Polonisë.

R.SH. - Vatikan

Në ditën kur e gjithë bota kremtonte 100-vjetorin e lindjes së Papës shenjt Gjon Pali II, edhe Shqipëria sillte ndërmend vizitën e Atit të Shenjtë në Tiranë e Shkodër, në prill të vitit 1993 e përpjekjet e tij të shumta në favor të popullit të vogël shqiptar e të të gjitha trojeve shqiptare. Sot, në katedralen e shën Palit në Tiranë, u përurua një bust i tij, dhuruar nga ambasadori i Polonisë në Shqipëri. Më hollësisht, informacioni i Elidon Dodajt dhe intervista e tij me kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo:

Dëgjo intervistën me imzot George Frendon...
Busti i Shën Gjon Palit II në katedralen e Shën Palit në Tiranë
Busti i Shën Gjon Palit II në katedralen e Shën Palit në Tiranë

Sot, në katedralen katolike të Shën Palit në Tiranë, u përurua busti i shën Gjon Palit II, Papës Karol Wojtyla. Në ceremoninë e bekimit merrnin pjesë kryeipeshkvi metropolit i Tiranë–Durrësit, imzot George Frendo; nunci apostolik në Tiranë, imzot Charles John Brown; ambasadori i Polonisë në Tiranë, i cili është edhe dhuruesi i këtij busti, z. Karol Bachura; znj. Loreta Aliko, kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, si dhe klerikë, rregulltarë, murgesha dhe besimtarë.

Pikërisht si sot, 100 vite më parë, lindi në Wadowice të Polonisë, ai që më 1978 do të zgjidhej Papë i Romës, Vikar i Krishtit në tokë, Gjon Pali II. Me këtë Papë, Shqipëria ka një lidhje të fuqishme, sepse e tillë qe edhe vizita e tij në Shqipëri, në prillin e vitit 1993. Shenjtëria e Tij, teksa shkeli tokën tonë shqiptare, u ul dhe e puthi si tokë martire, e cila për afro 45 vite i dha martirë jo vetëm Kishës Katolike, por krejt historisë njerëzore. Papa Wojtyla, i cili vinte nga një qytezë e vogël polake, dukej se e kishte njohur mirë vuajtjen e popullit shqiptar. Akoma ruhet në kujtesë fjala e tij në Pulja, përtej Adriatikut, kur lutej për popullin shqiptar, i cili vuante nën diktaturën moniste të fundshekullit XX.  

Ceremonia e bekimit nisi me fjalën përshëndetëse të imzot Frendos, i cili kujtoi 100-vjetorin e lindjes së Papës Gjon Pali II, revolucionin që ai solli jo vetëm në Kishë, por edhe në shoqëri, sidomos, duke luajtur një rol shumë të veçantë në rënien e komunizmit, në Evropën Lindore. Janë të panumërta enciklikat, që ka shkruar Papa Gjon Pali II, por edhe gjestet për të vënë në jetë shkrimet e tij përgjatë 26 viteve të papnisë. Ai na ka mësuar si të jetojmë edhe si të vdesim, duke qenë model për ne, si ta bëjmë jetën tonë fli, duke ia kushtuar Zotit.

Ndërkohë nunci apostolik në Shqipëri, imzot John Brown ka shprehur kënaqësi për praninë e tij në këtë ceremoni, duke vlerësuar dhuratën e bustit të Papës Wojtyla, nga ambasadori Bachura. Edhe ambasadori i Polonisë në Tiranë, z. Bachura, ka kujtuar vizitën që pati bërë 30 vite më parë Papa Gjon Pali II në qytetin e tij të lindjes, nga ku e nxiti popullin polak të mos shkurajohej e të kishte gjithmonë shpresë. Ai kujtoi gjithashtu se me zgjedhjen e Karol Wojtyla-s papë filloi edhe rruga drejt rënies së komunizmit. Rol të rëndësishëm për këtë luajti pikërisht Papa Wojtyla, ritheksoi ambasadori Bachura, sidomos, me promovimin e vlerave si dinjiteti njerëzor, drejtësia, dashuria, etj.

Më pas, ceremonia vijoi me bekimin e bustit të shën Gjon Palit II, duke i kërkuar ndërmjetësinë e tij pranë Zotit për plotësimin e lutjeve të besimtarëve. Busti i shën Gjon Palit II është vendosur pranë shtatores së Zojës së Bekuar, shën Marisë, në katedralen e shën Palit në Tiranë.

18 maj 2020, 19:29