Kërko

44216981_174835570109897_8567381615649488896_nAEM.jpg

Lutja e fëmijëve drejtuar Zojës, që të ndalë emergjencën shëndetësore

Sot, shkollat dhe kopshtet në të gjithë botën janë përfshirë në nismën e promovuar nga Fondacioni Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, me titull “Një milion fëmijë thonë Rruzaren”. 23, gjuhët, në të cilat u përkthyen materialet për fushatën e lutjes: ndërmjet tyre, arabishtja dhe gjuhë të ndryshme afrikane

R.SH. - Vatikan

“Inkurajoj këtë manifestim të bukur, ku përfshihen fëmijë nga e gjithë bota, të cilët do të luten në mënyrë të veçantë për gjendjet kritike të shkaktuara nga pandemia”. Me këto fjalë, të dielën, në fund të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi nismën e promovuar nga Fondacioni Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”. Tema e kësaj nisme, tashmë traditë, është “Një milion fëmijë thonë Rruzaren”. Me duar të bashkuara, duke iu drejtuar Zojës, që ta ndalë emergjencën shëndetësore, janë sot mijëra fëmijë të shkollave dhe kopshteve, kudo ndodhen.

Fushatë e frymëzuar nga fjalët e atë Piut nga Pietrelçina

Materialet, që shoqëruan këtë fushatë lutjeje u përkthyen në 23 gjuhë: ndërmjet tyre, edhe arabishtja e gjuhë të ndryshme afrikane. Pjesëmarrja është e jashtëzakonshme, pasi  në këtë nismë marrin pjesë 80 kombe nga të gjitha kontinentet, nga Gana në Siri e në Papua Guinea e Re. Fushata u lind në vitin 2005, në Karakas të Venezuelës, ku disa fëmijë u mblodhën për të lutur Virgjërën Mari para një kamare me fuguren e Zojës në rrugë, frymëzuar nga fjalët e Shën Piut të Pietrelçinës: “Kur një milion fëmijë do të thonë Rruzaren, bota do të ndryshojë”. Që nga viti 2008, nisma mbështetet nga Fondacioni “Ndihmë për Kishën që vuan”, i cili, prej dy vitesh, merr përsipër edhe përgjegjësinë për organizimin e ngjarjes në nivel botëror. “Në krizën aktuale - komenton kardinali Mauro Piacenza, president i Fondacionit ndërkombëtar - e gjithë bota ka qenë dhe vazhdon të jetë në rrezik nga një virus i padukshëm, që ka çuar në vdekjen e qindra mijëra njerëzve dhe në pasoja shoqëroro-ekonomike shkatërrimtare, aktualisht të paparashikueshme. Bota jonë nuk është më e njëjta dhe gjithçka është konsideruar e mirëqenë deri tani, nuk është më ashtu”.

19 tetor 2020, 13:30