Teologjia nën provën e Covid
R.SH. - Vatikan
Pandemia aktuale e koronavirusit është interpretuar vetëm me parametrat e shkencës dhe vendimet e qeverive janë marrë duke u nisur nga arsyet e dhëna prej komiteteve tekniko-shkencore. Arsyet e fesë, të cilat kanë qenë vendimtare në përballimin e epidemive të mëdha të së kaluarës, tani, s’kanë pasur asnjë rëndësi.
Pyetjet e mëdha
Duke pasur parasysh këtë realitet, Fakulteti i Teologjisë i Universitetit Papnor Gregorian mendoi të hapë një kurs me temë “Teologjia nën provën e Covid-19. Dialog me shkencën”. Synimi i kursit është “të inkurajojë dialogun e sinqertë dhe pa paragjykime ndërmjet shkencës në përgjithësi dhe shkencës së fesë”, në veçanti. “Në këtë kohë dramatike, që e ka shporuar zemrën e bashkëkombasve të globalizuar, pyetjet e mëdha për Zotin, kohën, njeriun, Kishën dhe jetën janë rishfaqur. Pse misteri i së keqes? Pse kjo vuajtje? Si vepron Zoti në histori? Çfarë shprese kumton bashkësia e krishterë? Si ta ndërtojmë bashkësinë e njerëzve ndërmjet egoizmit dhe të mirës së përbashkët?” shkruajnë organizatorët, për të shpjeguar arsyet e këtij vendimi të Universitetit Gregorian në Romë.
Konfrontimi
“Kursi do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve përmes konfrontimit ndërmjet virologut Ernesto Burgio (anëtar i Institutit Evropian të Brukselit për punën kërkimore kundër kancerit e në favor të ambientit) dhe një grupi specialistësh në fushat e studimit të teologjisë: teologjisë biblike, teologjisë së Etërve të Kishës, teologjisë themelore, teologjisë dogmatike, teologjisë morale.
Të mësojmë duke dëgjuar njëri-tjetrin
“Shkenca dhe teologjia përballen me njëra-tjetrën, duke e ditur se mund të mësojnë shumë nga ky dëgjim reciprok”, shpjegon don Dario Vitali, koordinator i kursit dhe drejtor i Departamentit të Teologjisë Dogmatike në Universitet. Kursi, që do të jetë i hapur për publikun, përbëhet nga 12 orë mësimore në internet, të cilat do të mbahen duke filluar nga 5 nëntori. Në të mund të marrin pjesë anëtarë të personelit mjekësor dhe para-mjekësor të spitaleve, mësuesit e shkollave të të gjitha niveleve, si edhe ata, që, si individë a si bashkësi, janë në kërkim të përgjigjeve për pyetjet e shtruara nga kursi, në fund të të cilit do të jepet një certifikatë pjesëmarrjeje. Regjistrimet kanë filluar sot e do të mbyllen më 5 nëntor. Kursi do të përfundojë më 15 prillin e vitit të ardhshëm. Natyrisht, duke qenë në internet, mund të regjistrohet kushdo, edhe nga vende të tjera të botës, pra, edhe nga trevat shqiptare.