Kërko

2020.06.05 Incontro comune CCEE e Comece loghi delle strutture 2020.06.05 Incontro comune CCEE e Comece loghi delle strutture

Comece: mesazh i ipeshkvijve evropianë, “vëllazërim universal, pa lënë jashtë askënd”

Në prag të takimit të nesërm të Këshillit Evropian, ipeshkvijtë e kontinentit të vjetër u bëjnë thirrje institucioneve të BE-së të rigjejnë shpresën dhe solidaritetin. Ripropozojnë thirrjen e Papës Françesku që vaksina kundër koronavirusit të jetë për të gjithë

R.SH. - Vatikan

“Mesazh shprese dhe thirrje për solidaritet drejtuar institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare në këtë krizë, që na ka përfshirë”. Këtë duan të bëjnë kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të vendeve të Bashkimit Evropian, me deklaratën e sotme me titull “Të rigjejmë shpresën dhe solidaritetin”, publikuar në prag të takimit të ardhshëm të Këshillit Evropian, më 19 nëntor.

Të mos mbyllim kufijtë, t’ia hapim ato solidaritetit

Është hera e parë që krerët e ipeshkvijve evropianë e bashkojnë zërin për t’i ftuar vendet anëtare të BE-së “të arrijnë atë vëllazërim universal, që nuk lë jashtë askënd”, duke përballuar kështu “sfidat më të mëdha të kësaj periudhe historike, përfshirë pandeminë Covid-19”. Deklarata është rezultat i takimit të këtyre krerëve, që u mblodhën më 30 shtator, nën udhëheqjen e Comece-s (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian). “Pandemia, që na ka munduar muajt e fundit, – lexohet në mesazh - lëkundi shumë nga siguritë tona dhe vuri në dukje brishtësinë e ndërvarësinë tonë. Të moshuarit dhe të varfërit në të gjithë botën po e përjetojnë me keq nga të gjithë. Para kësaj krize, që na befasoi dhe na kapi të papërgatitur, vendet evropiane reaguan fillimisht me frikë, duke mbyllur kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm, madje, disa refuzuan të ndanin me të tjerët mjetet mjekësore më të nevojshme. Shumë prej nesh u shqetësuan edhe për vetë Bashkimin Evropian, në rrezik si projekt ekonomik, politik, shoqëror e kulturor. Atëherë e kuptuam, siç tha Papa Françesku, se jemi në të njëjtën barkë dhe se mund të shpëtojmë vetëm duke qëndruar së bashku”.

Fryma e Etërve Themelues të Bashkimit Evropian

 Edhe vendet e kontinentit të vjetër e kuptuan këtë, prandaj, “me vendosmëri të re, Bashkimi Evropian filloi t’i përgjigjet, si një i vetëm e i bashkuar, kësaj gjendjeje dramatike. E dëshmoi aftësinë e tij për të rizbuluar frymën e Etërve Themelues. Shpresojmë - shkruajnë ipeshkvijtë - që mjetet për rimëkëmbjen nga Covid-19 dhe buxheti i përforcuar i Bashkimit Evropian për vitet 2021-2027, miratuar në takimin e Këshillit Evropian, në korrik, e aktualisht, paraqitur për marrëveshje ndërmjet Parlamentit Evropian dhe vetë Këshillit, do ta pasqyrojnë këtë frymë”. “Kjo krizë - vijon mesazhi - është mundësi shpirtërore për të bërë kthesë”.

Të mos kthehemi në “normalitetin e vjetër”

Prandaj, ipeshkvijtë kërkojnë të mos kthehemi në “normalitetin e vjetër”, por “të përfitojmë nga kjo krizë për të bërë ndryshime rrënjësore e përmirësuese”. Kujtojnë edhe parimet e Doktrinës shoqërore katolike, në veçanti “opcionin për të varfërit dhe për qëndrueshmërinë”, që “mund të jenë udhërrëfyese në ndërtimin e një modeli tjetër ekonomie e shoqërie pas pandemisë”. Së fundi, mesazhi ripropozon thirrjen e Papës Françesku që vaksina kundër koronavirusit të jetë për të gjithë, veçanërisht për më të varfërit.

18 nëntor 2020, 12:52