Kur leksioni virtual përmirëson gjendjen shpirtërore
R.SH. - Vatikan
Pandemia e Covid-19 nuk e ka ndalur impenjimin edukativ të Scholas Occurrentes. Përkundrazi, gjashtë muajt e fundit, Fondacioni papnor ka arritur të lidhet me rreth dy mijë të rinj në 15 vende të botës. Pavarësisht se takimet kanë qenë një herë në javë, në internet, për të respektuar masat e sigurisë, sipas një sondazhi të kryer nga një komitet shkencor ndëruniversitar, ato kanë përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe humorin e nxënësve.
Rezultatet iu paraqitën Papës
Rezultatet e këtij studimi iu paraqitën Papës Françesku nga presidenti dhe drejtori botëror i Fondacionit, Enrique Palmeyro dhe José María Del Corral, gjatë një audience të këtyre ditëve, në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë, lexohet në një komunikatë të Scholas Occurrentes, nënvizoi impenjimin edukativ dhe falenderoi themeluesit e rinj të Fondacionit, që kanë organizuar këtë takim me jetën, në mes të kufizimeve e të vdekjes, shkaktuar nga pandemia.
Bie ndjeshëm trishtimi
Gjatë bisedës me Papën Françesku, Del Corral dhe Palmeyro paraqitën rezultatet e sondazhit mbi vlerësimin e gjendjes shpirtërore të studentëve para dhe pas çdo mësimi virtual javor, organizuar falas nga Fondacioni. Përgjigjet e të rinjve janë kuptimplote. Shihet qartë se ndër ata, që morën pjesë në mësim, ndjenja e vetmisë u ul me 44,60%, nervozizmi dhe shqetësimi me 46,07%, ndërsa intensiteti i trishtimit me 69,09%.
Më pozitivë ndaj shoqërisë
Të rinjtë, theksuan krerët e Scholas Occurrentes, janë shumë rezistentë ndaj Covid-19, por tejet të brishtë përballë pasojave psikologjike të izolimit, deri në atë pikë sa disave u ka shkuar mendja edhe për vetëvrasje, ose për zgjidhje të tjera ekstreme. Prandaj, qe themelore ndërhyrja e ekipit të profesionistëve, prindërve dhe tutorëve të tyre. Pas përvojës së takimeve javore, u vërejt se siguria në vetvete dhe shpresa u rritën me 43,04%, qëndrimi në favor të shoqërisë me 53,35% dhe gëzimi me 68,46%. Studimi iu dha Dikasterit vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor dhe Kongregatës për Edukimin Katolik.
Me vlerë ndërkombëtare
Takimet virtuale lindën si përgjigje ndaj shqetësimit të profesorëve për gjendjen shpirtërore të nxënësve, të cilët nuk bënin as detyrat e shtëpisë. Drejtorët e Scholas folën me Papën Françeskun dhe, së bashku me mësuesit, gjetën një zgjidhje për të përmirësuar gjendjen emocionale të të rinjve. Në një kohë të shkurtër, morën pjesë në këtë nismë, shumë bashkëmoshatarë nga Italia, Spanja, Portugalia, Franca, Rumania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Polonia, Rusia, Moldavia, Argjentina, Paraguai, Kili, Kolumbia, Panama dhe Japonia.