Kërko

Motёr Vera (Marte) Paluca, françeskane Motёr Vera (Marte) Paluca, françeskane 

Lamtumirë Motёr Vera Paluca

Mё 26 dhjetorin e kaluar, ndërroi jetë, në moshën 68 vjeçare, Motёr Vera (Marte) Paluca, françeskane e Motrave rregulltare tё Zojёs sё Papёrlyer. Riti i salikimit e varrimi u mbajt dje, më 29 dhjetor 2020, në varrezat e fshatit Moglicës, Gjakovë, ditën e martë, më 29 dhjetor 2020. Pushoftë në paqe!

R. SH. - Vatikan

Me ngashërim të madh, dje, iu dha lamtumira e fundit motrës Vera Paluca, në Gjakovё ( Moglicё), në Kosovё, ku u mbajt riti i salikimit dhe varrimi i motrës françeskane të Motrave rregulltare tё Zojёs sё Papёrlyer. Motër Vera (Marte) Paluca ndërroi jetё më 26 dhjetor në Cetinje tё Malit tё Zi, në moshën 68-vjeçare, nga sëmundja e Codvid. Riti dhe lutja e funeralit në Gjakovё ( Moglicё) u drejtuan nga françeskani at Ndue Kajtazi, në praninë e 15 meshtarëve, rregulltarëve, motrave rregulltare dhe një numri të madh besimatrësh nga të gjitha anët.

Motёr Vera (Marte) Paluca, me prejardhja nga nje familje e madhe, fisnike e besimtare e fshatit Dol, famullia e dikurshme e Zojës Rruzare tё Bishtazhinit, sot famullia e Pjetrashanit, komuna e Gjakovës, qe motër e jashtëzakonshme, jetoi për Zotin, pёr Kishën e për Motrat Françeskane tё Zojёs sё Papёrlyer, pranё tё cilave  për gati 50 vjet shërbeu me besnikëri, gëzim, pёruvjtёri, dashuri e përkushtim për vite tё tёra, sipas kushteve e rregullave të veçanta të jetës rregulltare françeskane, me njё kujdesё tejet tё veçantё pёr thirrjet e shenjta rregulltare e meshtarake, duke u dalluar për virtytet njerëzore e shpirtërore, si dhe për shërbimin dhe dëshminë e gjallë plot dashuri  për Krishtin dhe Kishën e tij në popullin e Zotit nё Kosovё, Shqipёri e Mal tё Zi etj.

Funerali i Motrës Vera Paluca u kremtua mё 29 dhjetor 2020, në varrezat e fshatit Moglicës, Gjakovë, ku trupi i saj pushon në banesёn e mbrame. Me besim dhe shpresë, në udhën e jetës së përjetshme, drejt ringjalljes, të përshëndesim plot dashuri e mirënjohje motёr Vera, motrat e vëllezërit  tu së bashku me familjen, si dhe farefisi e miqtë që qajnë largimin tënd nga kjo botë. 

Jeta e motrës Vera Paluca qe një jetë shembullore që dëshmoi dashurinё e Zotit pёr çdo njeri. Një jetë në dhe me lutje, përkushtim e veprimtari kushtuar Zotit e njerëzve, sipas rregullave të Motrave Françeskane. Një jetë dedikuar njohjes dhe rëndësisë së jetës rregulltare kushtuar Zotit, tё rrёnjosur nё realitetin dhe identitetin e popullit shqiptar, duke e parë të kaluarën më mirënjohje; duke jetuar të tashmen me pasion e dashuri; duke përqafuar të ardhmen me shpresë në jetën e përjetshme me Zotin. 

Mbi këto u mbështet jeta rregulltare e Motrës Vera Paluca, duke na dhuruar, kёshtu, dëshminë e ndritshme të jetës së saj rregulltare françeskane si dritë mbi pishtar, për të ndriçuar e ngrohur të gjithë ata që pati njohur, takuar, dashur e shërbyer gjatë shtegtimit të saj tokësor.

Motra Vera Paluca, me jetën e saj rregulltare, po edhe me dëshminë gjatë sëmundjes sё saj, na foli për domethënien dhe vlerën e kësaj forme të veçantë të ndjekjes së Jezu Krishtit, duke bartur me durim, qëndresë, forcё e dashuri çdo ditё kryqin. Si françeskane po edhe si person, jeta e Motrёs Vera qe dëshmi bindëse e atyre njerëzve, që kanë vendosur të lënë gjithçka, për t’i përngjarë Jezu Krishtit më nga afër, përmes zbatimit të këshillave ungjillore.

Jeta e Motrës Vera Paluca, u karakterizua si jetë plot gëzim, duke u treguar të gjithëve se ndjekja e Krishtit dhe jeta sipas Ungjillit, ta mbush zemrën me lumturi. Si jetë e guximshme, plot forcё, qëndresë ngaqë, e ndjente gjithmonë se Zoti e donte, edhe në vёshtirёsi, ajo diti kurdoherë t’i mbështesë në Jezu Krishtin Shpëtimtar të gjitha shpresat. Dhe si jetë bashkimi. Qe ndërtuese e palodhur e vëllazërisë mes motrave françeskane, mes meshtarёve tё ndryshëm famullitarë e besimtarëve, me të gjithë e në mënyrë të veçantë me të rinjtё, tё moshuarit, tё mënjanuarit, dëshmoi se vëllazëria nuk është utopi, por vetë ëndrra e Jezusit për mbarë njerëzimin! Jetoi, besoi e shërbeu me bindje e dashuri duke u mbështetur në fjalët e Mësuesit Hyjnor, Jezusit Shёlbues: kushdo, që shpreson në Zotit, nuk mbetet kurrë i zhgënjyer. I përjetshëm qoftë kujtimi yt, o e lumtura dhe e paharruara motra jonё Vera! Pushosh në paqen e Zotit të Jetës!

30 dhjetor 2020, 12:11