Crociata: Kreshmët, rast që Evropa të rizbulojë rrënjët e krishtera
R.SH. - Vatikan
“Evropa paraqitet, gjithnjë e më shumë, me një panoramë fetare e kristiane tejet të shkretuar”. Alarmin e jep zv.kryetari i Comece-s - Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës - imzot Mariano Crociata, ipeshkëv i Latina-Terracina-Sezze dhe Priverno. Në reflektimin e tij mbi atmosferën me të cilën Evropa filloi udhën e Kreshmëve, prelati thekson se kontinenti është në Kreshmë që prej një viti, “për shkak të pandemisë e ka nevojë, urgjentisht, të fekondohet nga Kreshmët e Shpirtit, nga Kreshmët e krishtera”. Ta dëgjojmë:
Kemi një atmosferë, që shkon nga mundimi tek brenga e që shoqërohet nga një gjendje shpirtërore e ngarkuar me entuziazëm, me impenjimin për t’iu përgjigjur pozitivisht vështirësive. Kreshmët janë rast për të rizbuluar rrënjët e krishtera dhe Kisha e ka për detyrë ta bëjë aktuale e jetësore këtë thirrje të traditës. Nga kjo pikëpamje, dua të përmend dy gjëra të rëndësishme: mesazhin e Papës për Kreshmë dhe nismën e Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Comece), që parashikon një kremtim për t’u mbajtur në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, çdo ditë të Kreshmëve.
Në ç’mënyrë Evropa mund të rizbulojë fenë, shpresën dhe dashurinë, tre virtyte të dobishme për ta përshkuar si duhet udhën kreshmore?
Kemi tri detyra. E para është të rizbulojmë gjërat thelbësore: pandemia e koronavirusit i bëri të gjithë të kuptojnë se ka rrezik të vrapojnë pas kotësive. Ftesa për lutje dhe agjërim mund të jetë ilaç i vlefshëm në këtë rast. Detyra e dytë është të kuptojmë se, tashmë, jemi bashkësi me të njëjtin fat: çka prek njërin, i prek të gjithë, nuk mund të ndahemi nga njëri-tjetri.
E, së fundi, duhet të mësohemi ta përgatisim të ardhmen, duke filluar nga ata që nuk mund t’i jetojnë Kreshmët, nga më të fundmit: ne, për shembull, flasim për agjërimin, por ata që s’kanë asgjë, as që mund të agjërojnë; kanë të tjera mendime e probleme e kur nuk kanë asgjë, nuk mund të bëjnë as bamirësi. Duhet të nisemi nga të fundmit, për ta jetuar si duhet krishterimin. Ne besimtarët, të parët, duhet ta ndryshojmë orientimin tonë kulturor. Duhet ta kuptojmë se nuk është fjala të impenjohemi “për” dikë, por të veprojmë duke ndarë gjithçka me të tjerët e duke përfshirë edhe të fundmit në këtë bashkëndarje, që kërkon impenjim e përgjegjësi.