Ipeshkvijtë e Evropës në dialog për pandeminë, migracionin dhe lirinë fetare
R.SH. - Vatikan
Pandemia e koronavirusit, politikat e migracionit dhe të strehimit politik, liria fetare në Bashkimin Evropian: këto janë temat e asamblesë pranverore të Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, Comece, që mbahet virtualisht sot e nesër. Merr pjesë edhe zv.kryetari i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.
Objektivat e asamblesë
Një vit pas pandemisë, që ka shkaktuar vdekjen e mbi 2,5 milion njerëzve në të gjithë botën, ipeshkvijtë e Bashkimit Evropian diskutojnë mbi gjendjen aktuale të procesit të rimëkëmbjes në vendet anëtare. Gjithashtu, debatojnë mbi mënyrën më të mirë për të promovuar një mendësi, që e vë njeriun në qendër e që i nxit politikat e BE-së të ndjekin vlera e parime, të cilat mund ta ndihmojnë atë të zgjidhë problemet e shkaktuara nga pasojat shoqëroro-ekonomike të emergjencës shëndetësore.
Prania e Margaritis Schinas
Pjesëmarrja e Margaritis Schinas u jep mundësinë ipeshkvijve të analizojnë progresin e “dialogut të hapur, transparent dhe të rregullt” ndërmjet Kishave dhe institucioneve të BE-së, sanksionuar nga neni 17 i Traktatit për funksionimin e Bashkimit Evropian (TFEU) dhe, të theksojnë disa rekomandime konkrete politike për negociatat e ardhshme mbi paktin e migracionit dhe të strehimit politik. Këto rekomandime përmbahen në një deklaratë të hartuar në dhjetor të vitit të kaluar nga grupi i punës i Comece-së, ngritur për këtë qëllim. Ipeshkvijtë do të reflektojnë edhe për sfidat e respektimit të lirisë fetare në vendet e Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh shqetësimet e ndryshme për këtë në nivel kombëtar.