Kërko

Kardinali Jean-Claude Hollerich, kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (COMECE) Kardinali Jean-Claude Hollerich, kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (COMECE)

Europa, Hollerich: me pandeminë, më të bashkuar në synime

Festa e dytë e Evropës në kohën e koronavirusit. Kryetari i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (COMECE) nënvizon risitë e këtij përvjetori: në këtë kohë emergjence shëndetësore, evropianët e përforcuan bashkimin ndërmjet tyre, gjë e pamendueshme vetëm një vit më parë

R.SH. - Vatikan

Atë 9 maj 1950, data e fjalimit historik të Robert Schuman-it, i cili propozoi hapin e parë drejt unitetit evropian me krijimin e Bashkësisë së Qymyrit dhe Çelikut, politikani francez nuk e imagjinonte se shumë nga dëshirat që renditi e që shpresonte të realizoheshin, do të bëheshin realitet pjesërisht 71 vjet më vonë, megjithëse bashkë me krizën pandemike, që ka goditur Evropën dhe gjithë botën prej më se një viti.

Për këtë Ditë të Evropës 2021, që u kremtua dje, kardinali Jean Claude Hollerich, kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (COMECE), në një intervistë dhënë Vatican News, nënvizon se pikërisht gjatë vuajtjeve të pandemisë, Evropa zbuloi se është me të vërtetë një bashkësi, që punon për arritjen e një qëllimi tejet të rëndësishëm: prodhimin e vaksinave kundër Covid-19. E bashkuar në të njëjtën llogore, Evropa, nënvizon kardinali, nuk duhet të harrojë parimin e solidaritetit – bazë e Bashkimit – që i imponon detyrën për të ndihmuar vendet në vështirësi.

Të dëgjohet zëri i qytetarëve evropianë

Në këtë përvjetor, përjetuar sërish në pandemi, Parlamenti, Këshilli dhe Comece propozuan mbledhjen e një konference, me takime të ndryshme, që filluan pikërisht dje, më 9 maj, për të dëgjuar zërin e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve dhe për t’u dhënë atyre mundësinë të shprehen për të ardhmen e kontinentit të vjetër përmes një sërë diskutimesh dhe debatesh. Por të dëgjojmë si e interpreton kardinali Hollerich gjendjen që po kalon njerëzimi në pandemi e çfarë perspektivash sheh për të ardhmen…

Mendoj se, tani në Evropë, e dimë ç’është vuajtja, sepse e kemi përjetuar. Në fazën e parë të kësaj pandemie, Evropa as që ekzistonte. Vepronin qeveritë kombëtare, por pa Evropën. Kjo situatë ndryshoi. Tani, kemi ndihmë financiare, kemi bashkëpunim ndërmjet mjekëve, kemi bashkëpunim për vaksinat. Evropa është sërish e pranishme. Jam i lumtur për këtë, sepse të gjithë vuajmë njëlloj. Shpresoj që ne, pas ndihmës për njëri-tjetrin, të mos i mbyllim duart grusht, duke mbajtur gjithçka për vete, por të dimë të ndihmojmë edhe vendet më të varfra, ato vende, që tani janë qendra e pandemisë. Pastaj, frymë solidariteti, frymë ndihme edhe në shpërndarjen e barabartë të vaksinave, sepse pandemia nuk mund të zhduket vetëm në një kontinent. E gjithë bota duhet të fitojë. Kjo është sfida e madhe, së cilës duhet t’i bëjmë ballë.

Edhe Papa Françesku ka bërë shpesh thirrje për t’i kapërcyer nacionalizmat. Sipas jush, hirësi, ky bashkim i rizbuluar i Evropës ndikon edhe në të ardhmen e saj?

Besoj se po, sepse pamë që, gjithsesi, Evropa funksionon. Sigurisht, ne jemi të lumtur dhe krenarë, që i përkasim secilit prej vendeve tona. E më duhet të them se, meqë kam jetuar jashtë Evropës, kur dëgjoj himne të ndryshme kombëtare, ndihem evropian. Kjo është bukur, por tani duhet të mendojmë edhe për më të prekurit. Pandemia nuk është vetëm krizë shëndetësore, por edhe e gjithë shoqërisë. Ka varfëri të reja, ka njerëz që nuk dinë si ta çojnë përpara jetën. Prandaj, duhet të tregohemi solidarë. Vendet e pasura duhet të jenë solidarë me vendet e varfëra. Mendoj se kur flasim për Evropën shoqërore, kjo është shumë e rëndësishme. Ne e bëmë hapin e parë në Porto dhe kjo udhë duhet të vazhdojë, pasi nuk mund të ketë një Evropë të “të mëdhenjve”, të parave, të ekonomisë. Duhet të realizojmë Evropën e popujve e, për ta bërë këtë, duhet të kujdesemi për çështjen shoqërore.

 Me rastin e Festës së Evropës, kontinenti filloi një konferencë me shumë takime, që synon t’u kërkojë qytetarëve evropianë si e duan Bashkimin. Ç’vlerë ka kjo nismë për Kishat e kontinentit?

Mendoj se është me të vërtetë një mundësi, një rast për të krishterët: të duken, të marrin pjesë në këtë dialog të madh, sepse gjithmonë Bashkimi Evropian është kritikuar për largësinë nga njerëzit e thjeshtë e për mbështetjen vetëm tek intelektualët. Tani, jemi të ftuar të japim mendimet tona, mund të hyjmë në diskutim. Do të doja me gjithë zemër që të krishterët, katolikët dhe të tjerët të jenë të pranishëm. Të hyjnë në këtë dialog për ta bërë Evropën, Bashkimin, diçka më reale për njerëzit.

10 maj 2021, 11:35