Kërko

Lutje për paqen Lutje për paqen 

Papa: të lutemi për Tokën Shenjte dhe Mianmarin

Edhe sivjet përsëritet nisma e Forumit Ndërkombëtar të Veprimit Katolik (FIAC), duke nisur nga Veprimi Katolik Italian, për të vijuar me atë Argjentinas, me Bashkimin Botëror të Organizatave Femërore Katolike (WUCWO) dhe Komisionin Kombëtar për Drejtësi e Paqe (Argjentinë). Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot kujtoi nismën, që mbahet sot, 8 qershor. Maria Grazia Tibaldi, sekretare e FIAC: “Papa na fton të jemi artizanë të paqes në të përditshmen tonë”.

R. SH. - Vatikan

Sot, 8 qershor, në orën 13.00, të gjithëve u drejtohet ftesa të bashkohen një minut në lutje për paqen, posaçërisht për situatën në Tokën Shenjte e në Mianmar. Secili mund të lutet sipas fesë së vet. Nisma promovohet nga Veprimi Katolik Ndërkombëtar si dhe  një mori organizatash.

Ftesa e Papës

“Të martën,  8 qershor, në orën 13.00, Veprimi Katolik Ndërkombëtar fton për t’ia kushtuar një minut paqes, secili sipas traditës së vet fetare. Të lutemi posaçërisht për Tokën Shenjte e Mianmarin”.

Artizanë të paqes

“Nuk mund të mos emocionohesh, kur i dëgjon këto fjalë, shqiptuar nga Françesku, pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot. Emocion i bukur, por edhe, e sidomos, inkurajim për ta vijuar këtë nismë, për të qenë, siç theksoi Papa, artizanë të paqes në të përditshmen tonë”. E pohon këtë, në një intervistë dhënë Vatican News, sekretarja e Federatës Ndërkombëtare të Veprimit Katolik, Maria Grazia Tibaldi:

“Për herë  të parë një ngjarje e tillë  u kremtua më 2014 e, që asokohe më 8 qershor - kujton - njerëzit në çdo kontinent luten për paqe në Tokën Shenjte. Sivjet në zemrën e të gjithëve e të secilit është edhe Mianmari, ku ne jemi të pransihëm si Veprim Katolik”.

Si të marrim pjesë

Në çdo skaj të botës lutja nisi në orën 13.00. “Thirrja jonë – vijon - u drejtohet të  gjithë njerëzve, ndaj secili mund të lutet në shtëpi, në vendin e punës, kudo që të jetë. Ndërsa për ata, që marrin pjesë ndër shoqata e në bashkësi, lutja mund të jetë edhe kolektive e, në shumë vende, do të ketë edhe nisma online. Si për shembull, në Argjentinë. Orari nuk ka të bëjë me një shtet të veçantë: “Ora 13.00 është relative në çdo vend. Do të nisim në Filipine e do të shkojmë përpara kështu, në këtë lutje  shungulluese për paqen”- përfundon Tibaldi.

Mianmari

Katër muaj pas puçit, që e rrëzoi nga pushteti dhe e burgosi lideren Aung San Suu Kyi, në Mianmar vijojnë protestat si dhe shtypja e tyre nga ana e ushtarakëve. Junta në fuqi i deklaroi “grupe terroriste” qeverinë e unitetit kombëtar si dhe organizatat e tjera, të cilat prej javësh manifestojnë kundër puçit ushtarak. Burimet zyrtare flasin  për 800 qytetarë ish-birmanë të vrarë gjatë protestave, organizuar spontanisht në qytetet më të mëdha, kryesisht me pjesëmarrjen e  të rinjve, ndërsa të arrestuarit arrijnë në 4 mijë vetë. Ndërkaq nga Mianmari vjen lajmi i pushimit nga puna të mijëra akademikëve e punonjësve të universiteteve, kundërshtarë të juntës. Muajin e kaluar Papa Françesku, në Meshën për besimtarët e vendit aziatik, banues në Romë, u kujtoi se “nuk duhet të përulen para logjikës së urrejtjes e të përçarjes, por ta rikrijojnë vëllazërimin, duke u angazhuar edhe “përmes rrugëve shoqërore e politike” e duke qenë dëshmitarë të së vërtetës, që është Jezusi, edhe “në natën  e errët të dhimbjes”.

Toka Shenjte

Një thirrje e fuqishme drejtuar palëve në konflikt, sidomos krerëve përgjegjës, që të bëjnë çmos për ta ndalur vringëllimën e armëve, e edhe një nxitje për t’u lutur që izraelitët e palestinezët të gjejnë rrugën e humbur të paqes, ishte ajo që bëri Papa pas kremtimit të Mbretëreshës Qiellore të  21 majit. Françesku u ndalua gjatë tek shkallëzimi dramatik i dhunës në Lindjen e Mesme:

“Ndjek me shqetësim të thellë atë, që po ndodh në Tokën Shenjte. Këto ditë shpërthyen ndeshje të dhunshme të armatosura ndërmjet Rripit të Gazës e Izraelit, që po krijojnë rrezikun e shndërrimit në një spirale vdekjeje e shkatërrimi. Të shumtë, njerëzit e plagosur, e më të shumtë, të pafajshmit e vdekur. Ndërmjet tyre, edhe fëmijë. E kjo është e tmerrshme dhe e papranueshme.Vdekja e tyre është shenjë, që tregon se nuk dëshirohet ndërtimi i ardhmërisë, por rrënimi i saj”.

Papa shprehu shqetësimin e tij edhe për thellimin e tensionit në qytetet izraelite:

“Veç kësaj, thellimi i urrejtjes dhe i dhunës, që po shtrihet në qytetet e ndryshme të Izraelit, është plagë e rëndë, që i hapet vëllazërimit e bashkëjetesës paqësore ndërmjet qytetarëve e që do të jetë vështirë të mbyllet, nëse nuk nis menjëherë dialogu. Pyes: ku do të çojnë urrejtja e hakmarrja? Vërtet mund ta ndërtojmë  paqen, duke rrënuar tjetrin? Në emër të Zotit, që i krijoi të gjithë njerëzit të barabartë, me të njëjta të drejta, me të njëjtat detyra e të njëjtin dinjitet e i thirri të bashkëjetojnë si vëllezër (Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor), ju bëj thirrje për qetësi e, atyre që kanë përgjegësi, ta ndalojnë vringëllimën e armëve e të ecin në rrugët e paqes, edhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare”.

07 qershor 2021, 15:44