Imzot Angelo Massafra, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë Imzot Angelo Massafra, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

Imzot Massafra për Mbrojtjen e Krijimit: të ndryshojmë për të mirën e të gjithëve

Mesazh i kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra për Ditën Botërore të Lutjes për Mbrotjen e Gjithësisë së krijuar nga Zoti, që kremtohet më 1 shtator: “U forcoftë angazhimi ynë edukativ për ta bërë enciklikën “Laudato si’”, në gjashtëvjetorin e botimit të saj, busullën e një shërbimi bërë shoqërisë dhe vendit tonë”.

R.SH. - Vatikan

U bë i njohur këto ditë, mesazhi i kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra për Ditën, në të cilën të gjitha Kishat e krishtera - katolike, ortodokse e protestante - i thurin lavde Zotit për krijimin e gjithësisë, duke i nxitur njerëzit të kujdesen për natyrën e të luftojnë pasojat e shkatërrimit të saj. Tema e sivjetme “Një shtëpi për të gjithë? Të rinovojmë Oikos-in e Zotit”, ku fjala “oikos”, marrë nga greqishtja, do të thotë “shtëpi”. Dita Botërore e Lutjes për Mbrotjen e Gjithësisë së krijuar nga Zoti kremtohet më 1 shtator e me të, fillon edhe Koha e Krijimit, e cila vazhdon deri më 4 tetor, festa liturgjike e Shën Françeskut të Asizit, pajtor i ekologjisë. 2,3 miliardë të krishterë në botë ftohen në lutje e në veprim për të mbrojtur gjithë Krijimin, në atë që Papa Françesku e quan “ekologji të gjithanshme” në enciklikën e tij “Laudato si’”.

Nuk ka më kohë për të humbur

         “Nuk ka më kohë për të humbur”, nënvizon kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, duke u bërë jehonë mesazheve të njëpasnjëshme të Papës Françesku për mbrojtjen e gjithësisë e ndryshimin e mendësisë në shfrytëzimin e pasurive natyrore. Imzot Massafra kujton zjarret e rëna në Shqipëri, edhe kohët e fundit, e dëmet e shkaktuara prej tyre. “Prandaj, - bën thirrje ai - u kujtoj të gjithëve nevojën që data 1 shtator 2021 t’i kushtohet reflektimit, ndërgjegjësimit dhe lutjes për këtë temë, duke caktuar edhe data të tjera ku në çdo bashkësi të zhvillohen nisma të përshtatshme dhe domethënëse”.

Hapat, që duhen ndërmarrë

         Për çfarë kemi nevojë, sipas kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë? “Nga njëra anë, është e nevojshme të thellohet edukimi në përgjegjësi, për një humanizëm të ri, ku hyn edhe kujdesi për shtëpinë e përbashkët, duke përfshirë shumë subjekte në sfidën edukative”. Pastaj, “të rimendohet thellësisht antropologjia”, vijon imzot Massafra, duke kujtuar se njeriu ka nevojë për një ekologji të gjithanshme, shoqërore e mjedisore, pa e konsideruar veten si zot i botës. “Në të njëjtën kohë, - vijon kryeipeshkvi metropolit - është e nevojshme të nxitet një shoqëri e qëndrueshme ku krijimi i vlerës ekonomike dhe i vendeve të punës të arrihet përmes politikave dhe strategjive, që i kushtojnë kujdes ekspozimit ndaj rreziqeve mjedisore dhe shëndetësore”.

Pakt ndërmjet brezave

         Imzot Massafra është i vetëdijshëm se këto ndryshime mund të realizohen vetëm me një pakt ndërmjet brezave dhe me një vëmendje më të madhe për të mirën e të gjithëve, në të cilën bën pjesë edhe kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët, krijuar nga Hyji i Gjithpushtetshëm. E duke përmendur impenjimin e Papës Françesku, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë uron: “U forcoftë angazhimi ynë edukativ për ta bërë enciklikën “Laudato si’”, në gjashtëvjetorin e botimit të saj, busullën e një shërbimi bërë shoqërisë dhe vendit tonë”.

 

Ja teksti i plotë:

Shumë të dashur Vëllezër Ipeshkvij, 
Meshtarë, Rregulltarë/e dhe besimtarë të gjithë,

në dokumentin me një rëndësi të veçantë Charta Oecumenica, hartuar dhe nxitur 20 vjet më parë nga Konferenca Ipeshkvnore Evropiane së bashku me Konferencën e Kishave Evropiane, është caktuar edhe një ditë ekumenike, data 1 shtator, si një ditë kushtuar Krijimit.

Ky Dokument ende duhet të njihet dhe të studiohet nga Kisha jonë në Shqipëri, por ndërkohë prej disa vitesh kemi filluar t’i bashkëngjitemi nismës, pasi tani ka ardhur koha që të fillojmë ta ndërgjegjësojmë Vendin tonë për këtë argument kaq delikat dhe urgjent, sidomos në dritën e asaj që ndodhi muajin e fundit me zjarret, të cilat kanë shkatërruar shumë zona të botës dhe të Shqipërisë sonë. Ndryshimet klimatike vazhdojnë të përparojnë me dëme që janë gjithnjë e më të mëdha.

NUK KA MË KOHË PËR TË HUMBUR.

Prandaj, u kujtoj të gjithëve nevojën që data 1 shtator 2021 t’i kushtohet reflektimit, ndërgjegjësimit dhe lutjes për këtë temë, duke caktuar edhe data të tjera ku në çdo bashkësi të zhvillohen nisma të përshtatshme dhe domethënëse.

Reflektimi i Kishës Evropiane në këtë drejtim po përparon ndjeshëm dhe nismat që po zhvillohen në Kishat lokale janë dëshmi e këtij përparimi, siç mund të shihet edhe në faqet përkatëse të internetit. Për këtë arsye bashkëndajmë me Kishat e tjera temën që këtë vit është marrë nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve “Të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 4).

Jeta e re për të cilën flitet e vendos nxënësin e Jezusit në një bashkim të thellë me Hyjin. Duke u nisur nga kjo përvojë mund të imagjinojmë një vëllazëri të vërtetë midis njerëzve, siç sugjerohet nga enciklika “Vëllezër të gjithë” dhe një marrëdhënie të re me krijimin, sipas projektit të Enciklikës “Ti qofsh lëvduar”.

Prandaj ftesa për një tranzicion/kalim që shndërron thellësisht formën tonë të jetës, për të arritur kthimin e nevojshëm ekologjik në shumë nivele, të gjallëruar nga dashuria për tokën dhe për krijesat që banojnë në të. Me këtë tranzicion/kalim i japim shprehje kujdesit për shtëpinë e përbashkët dhe kështu i përgjigjemi përngjasimit me Hyjin që, si një Atë, kujdeset për secilën prej tyre.

Dhe po e shpjegojmë se çfarë nënkuptohet me termin “tranzicion/kalim” në fushën ekologjike. Në tranzicionin/kalimin ekologjik duhet të braktiset një model zhvillimi konsumator, që rrit padrejtësitë dhe pabarazitë, për të adoptuar një model të qendërzuar në vëllazërimin midis popujve. Britma e tokës dhe britma e të varfërve na kërkojnë llogari (krh. Ti qofsh lëvduar nr. 49). Angazhohemi të shoqërojmë dhe të inkurajojmë ndryshimet e nevojshme, duke filluar nga vështrimi ynë soditës mbi krijimin deri tek zgjedhjet tona të përditshme.

Ka shumë plane në të cilat mund të veprohet njëkohësisht:

  • Nga njëra anë, është e nevojshme që të thellohet edukimi në përgjegjësi, për një humanizëm të ri që përfshin edhe kujdesin për shtëpinë e përbashkët, duke përfshirë shumë subjekte të përfshira në sfidën edukative.
  • Duhet të rimendohet thellësisht antropologjia, duke kapërcyer forma antropocentrizmi përjashtues dhe vetëreferues, për të rizbuluar atë ndjenjë ndërlidhjeje që gjen shprehje në ekologjinë integrale, ku ekologjia njerëzore është e bashkuar me ekologjinë mjedisore.
  • Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të nxitet një shoqëri elastike dhe e qëndrueshme ku krijimi i vlerës ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës të arrihen përmes politikave dhe strategjive që janë të vëmendshme ndaj ekspozimit ndaj rreziqeve mjedisore dhe shëndetësore.

Ndryshimi aktivizohet vetëm me shpresë dhe së bashku:

  • Me një pakt midis brezave.
  • Duke parë të mirën e përbashkët, e cila përfshin edhe kujdesin për shtëpinë e përbashkët.

U forcoftë angazhimi ynë edukativ për ta bërë Letrën enciklike “Ti qofsh lëvduar”, në gjashtëvjetorin e shpalljes së saj, busullën e një shërbimi bërë shoqërisë dhe Vendit tonë.

26 gusht 2021, 13:00